1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Romney fitoi zgjedhjet paraprake në Florida

1 Shkurt 2012

Fytyra të lumtura në qendrën e kongreseve në Tampa, kryeqytetin e Floridës. Menjëherë pas mbyllljes së qendrave të fundit të votimit ishte e qartë: Mitt Romney i fitoi zgjedhjet paraprake dhe kështu 50 vota delegatësh.

https://p.dw.com/p/13uNM
Republikani Mitt RomneyFotografi: dapd

 "Një natë e mrekullueshme dhe shumë e suksesshme për Mitt Romney," gëzohet biznesmeni Ron Sasine, që e ka mbështetur ish - guvernatorin e Massachusett edhe në përpjekjen e parë elektorale para katër vjetësh. Ai është për Romney-n, sepse i beson biznesmenit të suksesshëm për zhvillimin e ekonomisë. Ai rreshtohet me shumicën e votuesve republikanë në Florida, shqetësimi më i madh, i të cilëve është gjendja ekonomike,  faktori më i rëndësishëm se për kë do ta japin votën.

 "Believe in America" – "Besoni tek Amerika" është slogani aktual i Mitt Romney në fushatën zgjedhore. Në paraqitjet e tij ai këndon dhe citon këngë patriotike. Edhe në Florida ai gjeti përsëri fjalë të mëdha: "Kjo fushatë ka të bëjë vetëm me zëvendësimin e presidentit, por edhe me shpëtimin e shpirtit të Amerikës."

Republican presidential candidate, former Massachusetts Gov. Mitt Romney, greets supporters at his Florida primary primary night rally in Tampa, Fla., Tuesday, Jan. 31, 2012. (AP Photo/Gerald Herbert)
Zgjedhjet paraprake në FloridaFotografi: dapd

Romney synon të fitojë bazën konservatore

Fitorja mbi rivalin e tij Newt Gingrich ishte e dukshme 46 me 32 përqind. Ai është i gatshëm, të drejtojë partinë dhe vendin, tha Romney, por u tregua i kujdesshëm që të mos e deklarojë garën të fituar.  Zgjedhjet paraprake nuk janë të lehta, tha ai, duke pasur parasysh luftën e ashpër, që ka pasur me rivalin e tij kryesor Newt Gingrich. "Por votimet me konkurrencë të fortë nuk na ndajnë, ato janë një përgatitje e mirë dhe ne do të fitojmë."

Newt Gingrich, ish - zëdhënësi i dhomës së përfaqësuesve, përsëriti në mbrëmje qëllimin e tij, që të qëndrojë në garë, në qoftë se duhet, deri në kongresin e partisë në gusht. Gingrich ishte me sa duket i përgatitur mirë për humbjen, sepse pasuesit e tij në Orlando mbanin në duar pankarta me mbishkrimin "edhe 46 shtete" një aludim, për faktin se janë zgjedhje që janë zhvilluar vetëm në katër shtete amerikane dhe janë caktuar vetëm një pjesë e vogël e delegatëve, të nevojshëm për emërimin.

Vorwahlen Florida 2012
Fotografi: dapd

Fushatë agresive

Për Newt Gingrich, që ka shumë simpatizantë në bazë, si dhe tek mbështetësit e Tea-Party, situata pas Floridës paraqitet e tillë: "Tani është e qartë, se është një garë me dy persona, ndërmjet konservatorit Newt Gingrich dhe të moderuarit nga Massachusett."  Gingrich megjithatë nuk u përqëndrua shumë tek rivali i tij Romney, por sulmoi presidentin Obama. Ai premtoi se në qoftë se ai bëhet president, atëherë ai do të terheqë që ditën e parë shumë ligje. Përveç kësaj Gingrich paralajmëroi, që Obama në mandatin e tij të dytë do të bëhet akoma "më radikal" se deri tani.

Romney ka mbështetjen e establishmentit republikan, shumë më tepër para se konkurrenti i tij dhe në Florida ai nuk u rezuervua që ta sulmojë masivisht dhe direkt Newt Gingrich-in. Kjo i solli atij akuzën, se po bën një fushatë të ndyrë. Mbështetësit e tij e shohin çështjen ndryshe. Njëri prej tyre, Ron Sasine, tha në qendrën e kongreseve në Tampa: "Kjo nuk ka qenë një fushatë e ndyrë, ishte fjala vetëm për zbulimin e situatave të komplikuara, në të cilat ndodheshin disa nga kandidatët e tjerë." Dhe paraja luan natyrisht rol në fushatën zgjedhore, fundja duhen bërë reklama televizive dhe duhen financuar ngjarje të tilla, si kjo në Tampa.

Por dy kandidatët e tjerë  gjithashtu nuk duan të heqin dorë, ultrakonservatori Rick Santorum dhe liberali Ron Paul, renditen në Florida në vendin tre dhe katër. Kur u shpallën rezultatet e votimeve, ata nuk ishin më aty, kishin shkuar në tribunën tjetër elektorale në Nevada. Atje zhvillohen më 4 shkurt zgjedhjet paraprake.

Autor: Christina Bergmann / Ina Verbica

Redaktoi: V.Filaj-Ballvora