1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rrëshqitje djathtas - Populistët e djathtë fitues të zgjedhjeve evropiane në Holandë

6 Qershor 2009

Fituese të zgjedhjeve në Holandë ishin ato parti, të cilat ose kanë thënë qartë PO ose prerazi JO për Evropën.

https://p.dw.com/p/I4gV
Kryetari i partsë së djathtë holandeze (PVV), Geert Wilders, në një debat televiziv mbi zgjedhjet evropiane 2009.
Kryetari i partsë së djathtë holandeze (PVV), Geert Wilders.Fotografi: DPA

Ai polemizon, provokon dhe jo rrallë diskretiton kundërshtarët politikë: Geert Wilders është padyshim një tip i politikanit jo komod dhe gjuhëmprehtë. Megjithatë duket, se si njeri që urren fenë islame, si një kritik ndaj Evropës dhe si një njeri i debateve të zjarrta ai mirëpritet në elektorat. Me partinë e tij të re "Partia për Lirinë" (PVV), populisiti i djathtë menjëherë fitoi katër nga 25 mandatet që ka Holanda në Parlamentin Evropian në Strasburg. E sikur të mos mjaftonte kaq, duke u renditur pas kristiandemokratëve partia e Wilders me rreth 15% të votave të elektoratit, rezulton si forca e dytë politike në Holandë.

Kryeministri holandez Jan Peter Balkenende.
Kryeministri holandez Jan Peter Balkenende.Fotografi: AP

Wilders e di, se me politikën e tij të parrullave ai ka bërë për vete të pakënaqurit:„Njerëzit janë ngopur me një Evropë të madhe, ndoshta më vonë edhe me Turqinë në radhët e saj. Por zgjedhësit janë ngopur edhe me kabinetin Balkenende dhe Bos. Zgjedhësit treguan, se ata nuk mund t'i injorosh. Ne do të vazhdojmë, ky ishte vetëm fillimi. Ne do të vazhdojmë të forcohemi edhe më shumë."

Me kritikën e tij ndaj Evropës, me JO-në e qartë kundër Turqisë në BE dhe me sulmet e ashpra ndaj koalicionit qeverisës me bazë të gjerë në Hagë, Wilders ka fituar pikë.

Partitë e etabluara pësuan humbje, aq sa Kryeministri kristiandemokrat Balkenende bëri thirrje duke tërhequr vëmendjen, që të mos profetizohet qysh tani fundi i koalicionit: „Koalicioni qeverisës do të gjykohet në zgjedhjet kombëtare, që janë në maj 2011. Në këto zgjedhje kishim të bënim me Brukselin dhe me Strasburgun, por natyrisht zgjedhësit kanë vendosur dhe natyrisht ne duhet tani të punojmë më fort në Parlamentin e BE-së, por edhe në kabinetin qeverisës. Ne do ta bëjmë këtë."

Shumicën e votave i kanë humbur socialdemokratët, të cilët deri tani nuk kanë mundur të profilizohen si duhet në koalicionin qeverisës. Kryetari i partisë Wouter Bos e pranon, se mesazhi i partisë së tij socialdemokrate „Partij van de Arbeid“ (PvdA) nuk ka mbërritur tek zgjedhësit, ndoshta edhe për faktin që socialdemokratët u përpoqën për një vështrim të diferencuar, thotë Bos: „Të bie në sy, që tri partitë, që kanë humbur sot, kanë prej shumë kohësh lidhje të ngushta me Evropën. Ato kanë marrë përsipër përgjegjësi në Evropë, kanë mbrojtur kompromise dhe e kanë mbrojtur Evropën prej kritikëve të shumtë. Me sa duket kjo nuk ka qenë histori bindëse për zgjedhësit. Ndaj ne duhet ta analizojmë me sy shumë kritik fushatën tonë.“

Një tjetër parti e majtë në të kundërt mundi më shumë se t'i dyfishonte votat e saj. Partia liberale e majtë "D66" u shprehën plotësisht pro Evropës dhe bënë për vete rreth 10% të zgjedhësve. Fituese të zgjedhjeve në Holandë janë pra ato parti, të cilat ose kanë thënë qartë PO ose prerazi JO për Evropën.

Autor: Ludger Kaczmierczak / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Eliana Xhani