1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rreziku i djathtë nga Evropa Lindore

15 Maj 2010

Partitë e djathta radikale dhe grupet neofashiste po bëhen gjithnjë e më shumë problem në demokracitë e reja të Evropës Lindore dhe Qendrore.

https://p.dw.com/p/NOjh
Ekstremistë të djathtë në Hungari - marshim i gardës paramilitare 'Jobbik'.
Fotografi: picture alliance/dpa

„Ofensivë: Rreziku i djathtë nga Evropa Lindore“, quhet libri i korrespondetëve austriakë për Evropën Lindore dhe Juglindore, Gregor Mayer dhe Bernard Odehnal, në të cilin të dy autorët vëzhgojnë skenën ekstremiste të djathtë në gjashtë vende: Hungari, Çeki, Slovaki, Kroaci, Serbi dhe Bullgari. Titulli është domethënës. Ai tregon që një brez i ri ekstremistësh të djathtë shfaqet në një sërë vendesh të Evropës Qendrore dhe Lindore. Qëllimi i këtyre grupeve nuk është vetëm që të hyjnë në parlament si parti politike, thotë Gregor Mayer.

„Ata bëjnë një organizim mbarëshoqëror me një strukturë fronti popullor, në të cilin inkuadrohen artistë, këngëtarë rroku, njerëz me motoçikleta dhe që të ngjallin përshtypjen se janë një lëvizje e gjerë shoqërore, gjë që nuk janë, por ama janë militantë. Ky militantizëm gjen shprehje pastaj deri në gardat me uniforma, siç është garda e suksesshme hungareze 'Jobbik'. Dhe këtë ne e përkufizojmë me „Ofensivë".

Autorët e theksojnë qartë rrezikun, që vjen nga agjitacioni ultranacionalist. Rrezik për stabilitetin politik në këto vende, si dhe për demokracinë në BE në përgjithësi. A mund të ndihmojë BE në zgjidhjen e problemit? Gregor Mayer:

„Po dhe jo. Është një çështje shumë komplekse, sepse BE sigurisht nuk është i ndërtuar në atë formë, që të kapërcejë probleme të këtij lloji. Është politika, ajo që i heq terrenin ekstremizmit të djathtë në këto vende, që çon në një mirëqënie më të mirë, në reforma të zgjuara, që kontribuojnë në krijimin dhe forcimin e shtresave të mesme. Kjo i heq radikalizmit të djathtë terrenin dhe jo një iniciativë politike e Komisionit të Brukselit.“

Në rastin e Serbisë dhe Kroacisë BE mund të kishte një fushë më të gjerë veprimi për të luftuar ekstremizmin e djathtë, por megjithatë Gregor Mayer mbetet skeptik.

„Në fazën para pranimit vendet janë të gatshme të bëjnë shumë më tepër. Ekzistojnë më shumë mundësi, kur vendi ndodhet pak para pranimit. Kroacia është në prag, Serbia ka fatin e keq se predispozicioni i BE-së për pranime të reja momentalisht po bie. Por kjo pyetje direkte: se çfarë bëni ju me ekstremizmin tuaj të djathtë, është një çështje aq e brendshme, një çështje e ndjeshme e një sovraniteti akoma ekzistues edhe në BE, tek e cila nuk mund të arrish direkt, por duhen mbështetur politikanët, të cilët i heqin terrenin ekstremizmit të djathtë."

Autorët kanë bërë hulumtime në këto vende, kanë grumbulluar informacione të brendshme përmes bisedave dhe intervistave me figura të skenës së djathtë. Këtu Gregor Mayer-it i ka rënë në sy një veçori shumë karakteristike për lëvizjet e reja ekstremiste të djathta. Ata i vlerësojnë shumë mediat, thotë ai:

„Kjo do të thotë: ata duan që të shkruash për ta. Natyrisht që atyre nuk u pëlqen mënyra se si ne shkruajmë për ta, por duan të prezantohen. Jobbik apo Rassate në Bullgari i ka pritur mirë kolegët e mi dhe i kanë lejuar t'i fotografojnë. Nuk ka qenë problem të takoje Mladen Obradovic-in e Obraz-it në Serbi. Ai vetëm ka bërë pyetjen: ku duhet të shkoj? Kaq i dëshiruar ishte që të merrej më në fund në konsideratë nga një reporter perëndimor. Në fakt ka disa prej tyre që janë aq cinikë, si p.sh. zëdhënësi i Jobbik-ut, i cili thotë: është gjithmonë më mirë, n.q.s. ata shkruajnë keq për ne, se sa të mos shkruajnë fare.“

Mladen Obradovic, ultranacionalist nga Serbia.
Mladen Obradovic, ultranacionalist nga Serbia.Fotografi: DW

Vështrimi në skenën ekstremiste të djathtë në vende të ndryshe pasurohet me portrete të kokave drejtuese. Të bie në sy, që ata janë të rinj, të arsimuar. Në të gjitha vendet, të djathtët duket se jo vetëm që po fitojnë ndikim, por ata po radikalizohen dhe po militarizohen: marshimet dhe sulmet bëhen pjesë e së përditshmes. Zemërimi i djathtë drejtohet kundër romëve, homoseksualëve dhe hebrejve. Si shkak për shpalosjen e lëvizjeve radikale autorët shohin kushtet e pafavorshme politike dhe ekonomike aktuale në këto vende, ku të rinjtë e kanë humbur besimin te sistemi. Libri i referohet botëkuptimit të rrezikshëm të shoqërive, të cilave po u shteron besimi në premtimet e kapitalizmit për ndihmë dhe në radhë të parë tek politikanët e tyre të korruptuar e të ngarkuar nga e kaluara.

Autor: Yordanka Yordanova / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Eliana Xhani