1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rreziku terrorist vazhdon të jetë i pandryshuar dhe i lartë

28 Shtator 2008

Vendet e BE-së dhe SHBA duan të thellojnë bashkëpunimin për t'u mbrojtur prej terrorizimit.

https://p.dw.com/p/FQOE
Pjesëmarrësit e takimit të Bonit, Roberto Maroni (Itali), Grzegorz Schetyna (Poloni), Michael Chertoff (SHBA), Antonio Camacho Vizcaino (Spanjë), Michele Alliot-Marie (Francë) dhe Jacqui Smith (Britania e Madhe)
Pjesëmarrësit e takimit të Bonit, Roberto Maroni (Itali), Grzegorz Schetyna (Poloni), Michael Chertoff (SHBA), Antonio Camacho Vizcaino (Spanjë), Michele Alliot-Marie (Francë) dhe Jacqui Smith (Britania e Madhe)Fotografi: AP

Pas arrestimit të dy personave të dyshuar për terrorizëm në aeroportin e Këln/Bonnit në Gjermani ka filluar të shtohet bindja se edhe Gjermania është në shënjestër të akteve terroriste. Shumëkush mendonte deri tani se rreziku për Gjermaninë nuk është aq i lartë sa për vende të tjera, por rastet e dyshimta po shtohen.

Për të diskutuar për këtë rrezik dhe masat që duhen marrë për t'u mbrojtur prej terrorizimit, me ftesë të Ministrit të Brendshëm gjerman Wolfgang Schäuble, qëndruan në Bonn homologët e tij nga Franca, Britania e Madhe, Spanja, Italia, Polonia si dhe Ministri amerikan për Atdheun. Në kuadër të kësaj konference kundër terrorit zoti Schojble deklaroi në DLF:

"Ne po themi prej kohësh që Gjermania si edhe e gjithë Evropa dhe bota perendimore është në fokus të terrorizmit ndërkombëtar. Prej opinionit publik një gjë e tillë nuk merret kaq seriozisht, por kemi të bëjmë me një realitet."

Sipas ministrit Schäuble në internet gjenden vazhdimisht mesazhe kërcënimi të rrjetit ndërkombëtar të terrorizmit, të cilat janë edhe të përkthyera në gjermanisht. Po ashtu sipas tij nga Gjermania ka njerez që shkojnë për t'u stërvitur nëpër kampet e terroristëve dhe përpiqen të kthehen sërish në Gjermani.

"Në rast se ne kemi shenja se ata mund të kthehen, përpiqemi që t'i pengojmë të kryejnë akte terroriste, për këtë arsye po zhvillohen edhe bisedime. Por ky është një proces që zgjat."

Nisur nga rasti i fundit, kur një komando speciale e policisë arrestoi në aeroportin e Këln/Bonit dy të dyshuar terroristë, një 23-vjeçar nga Somalia dhe një tjetër somalez 24-vjeçar me shtetësi gjermane, që donin të udhëtonin për në Amstërdam, ministri Schäuble tha: "Lajmet aktuale nuk ndryshojnë asgjë në lidhje me gjendjen e rrezikshmërisë, që vazhdon të jetë e pandryshuar dhe e lartë. Po nga ana tjetër ato tregojnë se autoritetet tona të sigurisë punojnë intesivisht dhe janë të vëmendshme."