1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rreziqet nga ngrohja e planetit janë reale

7 Dhjetor 2009

Shtypi gjerman mbi problemet e klimës që do të diskutohen në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për klimën e cila fillon sot në Kopenhagë.

https://p.dw.com/p/Krg5
Logo e Konferencës për klimën në Kopenhagë.
Logo e Konferencës për klimën në Kopenhagë.Fotografi: picture alliance / dpa /COP 15

Gazeta „Berliner Zeitung" shkruan: "Zgjidhja për problemet e klimës është tashmë e njohur: njeriu i dioksidit të karbonit, i cili është njeriu që është i varur nga nafta dhe qymyri, duhet të vdesë. Ndryshimi i klimës mund të arrihet nëpërmjet uljes së eimisionit të gazit të efektit serë në të gjitha fushat si: në prodhimin e elektricitetit, në transport, në fabrika. Mirëqenia jonë nuk duhet të bazohet në lëndët e para fosile. Teknikat e reja të gjelbra janë të kërkuara në një masë të madhe."

Gazeta "Bild Zeitung" komenton: "Shkrirje e poleve të globit dhe e akullnajave, përmbytje dhe thatësira, uria dhe mungesa e ujit janë tregues se rreziqet nga ngrohja e planetit janë reale. Në prag të takimit të nivelit të lartë për klimën në Kopenhagë qeveria federale gjermane me të drejtë nxit të mendohet sërish për këto rreziqe. Një gjë është tashmë e qartë: klima botërore nuk mund të shërohet vetëm nga gjermanët. Edhe sikur këtu ne do të hiqnim dorë fare nga përdorimi i automjeteve dhe do të përdornim vetëm energji të pastër shumë të shtrenjtë, kjo nuk do të ishte më shumë se një gjysmë pike uji të ftohtë në një glob botëror që po ngrohet. Ka vetëm një glob dhe vetëm një klimë. Kjo do të përcaktohet më shumë nga vende të tilla si SHBA-ja ose vende si Kina dhe India, ku popullsia rritet me ritme të shpejta, sesa nga Republika Federale e Gjermanisë shumë më e vogël. Në qoftë se ndotësit e mëdhenj të mjedisit nuk bëhen të arsyeshëm, atëhere përpjekjet tona do të mbeteshin pa efekt. Bazuar në politikën tonë ndaj mjedist Berlini ka mundësinë të kërkojë më shumë nga të tjerët në Kopenhagë. Të kërkosh nga ekonomia jonë aksione politike të njëanshme mjedisore do t´i shërbente më shumë konkurrentëve të huaj, por jo mjedisit."

Gazeta "Münchener Merkur" vëren: "E sigurtë është se në kërkimin shkencor të mjedisit ka shumë njohuri që akoma nuk e zgjidhin enigmën me një tabllo sa më harmonike. Bota shkencore do të bëntë një shërbim nëse do të fliste hapur rreth elementëve të veçantë të njohurive të përftuara për të mënjanuar kështu teoritë konspirative. Sidoqoftë: rritja e dioksidit të karbonit të shkaktuar nga veprimatria e njeriut vepron si një katalizator në sistemin klimaterik të dalë jashtë binarëve dhe kjo nuk mund të kundërshtohet me argumenta serioze. Ajo që kërkohet është të thirret arsyeja e pastër për të ndryshuar mënyrën tonë të jetesës dhe për ta përshtatur atë me kushtet e krijuara."

Autor : Vilma Filaj - Ballvora / dpa

Redaktoi : Aida Cama