1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

290410 EU Sonderausschuss Finanzhilfen

30 Prill 2010

Komisioni i veçantë i Parlamentit Evropian për krizën financiare dhe ekonomike, u mblodh të enjten (29.4.) në Bruksel. Në qendër të diskutimeve ishin falimentimet e mundshme të shteteve dhe arsyet e krizës.

https://p.dw.com/p/NAIe
Salla plenare e Parlamentit të BE-së.
Fotografi: DW

Ajo çka i bashkon të gjitha partitë në komisionin e Parlamentit Evropian është frika: a është Greqia vallë vetëm fillimi? A do ta përballojë krizën bashkimi monetar? Kristiandemokrati luksemburgas Frank Engel paralajmëron ndaj një efekti domino:

"Nuk është regullimi më i mirë ai që pengon atë çka po ndodh aktualisht me Greqinë dhe që mund të ndodhë nesër me Portugalinë e pasnesër me Spanjën. Dhe nëse ndodh një gjë e tillë me Spanjën atëherë është e përfshirë gjithë Evropa, pasi Evropa nuk ka mjetet e mjaftueshme financiare për të shpëtuar Spanjën. Ne duhet të merremi me këtë problem pasi sjellja e marrë dhe plotësisht e paparashikueshme e tregjeve shkatërron shoqëritë tona."

Sa e rrezikuar është euro? Pas Greqisë mund të pasojnë Spanja dhe Portugalia.
Sa e rrezikuar është euro? Pas Greqisë mund të pasojnë Spanja dhe Portugalia.Fotografi: picture alliance/dpa

Por luksemburgasi konsiderohet nga shumë deputetë si jo i paanshëm pasi ai kundërshton rregulla shtesë në mbikqyrje. Socialistja franceze Pervenche Beres sheh tek Luksemburgu oaze fiskale, dhe këto oaze janë të rrezikshme në disa drejtime:

"Ato nuk janë vetëm oaze fiskale. Janë oaze fiskale, mbikqyrjeje dhe pastrimi parash dhe përbëjnë një problem për funksionimin e sistemit ndërkombëtar financiar."

Sipas Beres paratë e depozituara atje mungojnë në vendet e origjinës të cilave iu nevojiten për kompensimin social, duke ashpërsuar kështu pasojat sociale të krizës.

Konservatorja britanike Kay Swinburne vjen nga një vend jashtë zonës së euros. Ndoshta pikërisht për këtë arsye ajo ka mundësi të thyejë një tabu pa frikën e problemeve në karrierën e saj: Swinburne mendon se vendosja e kritereve të njëjta të stabilitetit për të gjitha vendet e euros është jorealiste.

"Është parë se ajo çfarë ishte e mirë për Greqinë nuk ishte patjetër e mirë për Gjermaninë. Nuk them se duhen liruar frerët plotësisht dhe se çdo vend anëtar mund të përcaktojë kriteret e veta të stabilitetit. Por nëse rezulton se vlerat unike nuk funksionojnë atëherë duhet të jemi të hapur për propozimet alternative që ofrojnë specialistët."

Steuer Kabinett Liechtenstein Vaduz Schloss Steuerabkommen Steuern Flash-Galerie
Oazet fiskale dëmtojnë sistemin ndërkombëtar financiar.Fotografi: AP

Shumë deputetë e shohin globalizimin si shkak të rëndësishëm madje më të rëndësishmin për pasojat kaq të forta të krizës dhe përse ato janë kaq të vështira të administrohen. Por suedezi Ole Schmidt paralajmëron ndaj kërkimit të rrënjëve të të gjitha të këqijave në tregjet e lira.

"Natyrisht ka shumë njerëz, para së gjithash në Afrikë të cilët vuajnë ende nga uria. Por ka edhe shumë që përfitojnë nga kjo politikë dhe kjo në sajë të globalizimit."

Konsensusi i përfaqësuesve të të gjitha partive në komision është që rruga për daljen nga kriza gjendet për Evropën në një politikë të re energjetike dhe industriale që respekton ambjentin. Dhe në këtë aspekt nuk duhet të humbasim shanset, mendon politikani i gjelbër holandez Bas Eickhout.

"Flitet gjithnjë për Kinën. Por kinezët janë në krye në të gjithë botën sa i takon energjisë diellore dhe vitin e ardhshëm do të jenë të parët në treg edhe për energjinë nga era. Ata investojnë. A duam ne të pasojmë apo duam të jemi vetë ne krye?"

Për kristiandemokratin gjerman Thomas Mann kushtet në Evropë janë të duhurat: "Ne të gjithë do të përfitojmë prej masave pozitive për ambjentin pasi kemi një industri të fortë ambjenti në vende të ndryshme anëtare. Ky është një stimul pozitiv që ne mund të sjellim."

Kështu shumë shpresojnë që kriza jo vetëm të jetë kapërcyer por që Evropa madje të dalë më e fortë prej saj.

Autor: Christoph Hasselbach / Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica