1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Rrugët për nënshtetësinë" - Konferencë shtypi e së ngarkuarës së qeverisë për integrimin Bëmer

Sabine Ripperger9 Korrik 2008

Qeveria në Gjermani është e interesuar, që sa më shumë të huajt që jetojnë prej një kohe të gjatë në vend të marrin nënshtetsinë gjermane.

https://p.dw.com/p/EZRQ
E ngarkuara e qeverisë gjermane për integrimin, Maria BöhmerFotografi: picture-alliance/ dpa

E ngarkuara e qeverisë për çështjet e integrimit Maria Bemër (Böhmer) të mërkurën (9.7.) paraqiti në Berlin broshurën e re "Rrugët për nënshtetësinë", ku përshkruhen mundësitë e ndryshme për marrjen e nënshtetësisë gjermane. Me këtë rast Bëmer u përpoq ta mbrojë si të nevosjshëm provimin e marrjes së nënshtetësisë, rregull i ri aplikimi ky mjaft i diskutuar së fundi nga shoqatat e të huajve.


Maria Bëmer në konferencën e shtypit m erastin e prezantimit të broshurës i inkurajoi të huajt, që jetojnë në Gjermani dhe i përmbushin kriteret ligjore, për të shfrytëzuar mundësinë e marrjes së nënshtetësisë: “Eshtë një përfitim për secilin, nëse ka nënshtetësinë gjermane. Por kjo nënkupton edhe pranimin social. Eshtë gjithashtu një përfitim edhe për "të ndjerin si ne", pra ndejnja e të qënit pjesë e një shoqërie. Kjo është ana emocionale, që sipas mendimit tim, është mjaft e rëndësishme, kur bëhet fjalë për marrjen e nënshtetësisë. ”


Se çfarë kupton ajo me këtë u bë e qartë gjatë vizitës që zonja Bëmer zhvilloi në Freiburg, ku një ditë më parë ajo u takua me të rinj, që ndjekin kurset e kualifikimit profesional: “Dje njëri prej të rinjve më tha: `kam ardhur në Gjermani kur isha vetëm gjashtë muajsh. Prindërit e mi vijnë nga Libani. Gjermania është tani atdheu im i parë dhe atdheu i dytë është Libani."


Me ndryshimin e ligjit për nënshtetësinë verën e kaluar dhe me futjen e provimit të detyrueshëm për ata që aplikojnë nga 1 shtatori, sipas së ngarkuarës së qeverisë për integrimin, janë vendosur shtylla të rëndësishme për procesin e dhënies së nënshtetësisë. “Qëllimi është që ne të kemi qytetare dhe qytetarë në vendin tonë, të cilët jo vetmëm të gëzojnë të gjitha të drejtat, por t´i shfrytëzojnë ato dhe të njohin edhe detyrimet, pavarësisht, nëse aplikanti është rritur këtu në Gjermani, apo diku tjetër dhe ka ardhur më vonë këtu, e dëshiron dhe mund të bëhet nënshtetas gjerman.”


Ky objektiv sipas Bëmerit do të thotë përçim i dijeve bazë, për të qenë nënshtetas si dhe i parimeve bazë dhe i vlerave të kushtetutës sonë.

“Unë mendoj, se nëse është fjala për pranimin e ligjit themelor, ky është komponent edhe i procesit të marrjes së nënshtetësisë, sepse në këtë rast duhet ta dish, se çfarë pranon. Këto janë njohuri të domosdoshme, dhe besoj, se ato kanë edhe një efekt që përforcojnë identitetin.”


Përmes kësaj deklarate Bëmer iu kundërvu kërkesës, së shtruar kryesisht prej shoqatave turke, për lehtësimin e procedurës së pranimit të dynështetësisë. Ndërkohë janë rreth 3.300 të rinj që deri në moshën 23 vjeç duhet të vendosin, se cilën nënshtetësi preferojnë. Deri në vitin 2018 numri i tyre do të arrijë në 50.000, tha Bëmer.


Bëmer mbrojti edhe provimin e sapo futur në procedurën e dhënies së nënshtetësisë. Provimi është konceptuar në formën e një katalogu me pyetje, të cilat sipas mendimit të saj, pas një përgatitjeje përkatëse mund t´i kalojnë 70 deri në 80% e aplikantëve. Provimi megjithatë mund të përsëritet.


Gjermania jeton prej larmisë së njerëzve të saj dhe ka nevojë për një të ardhme të mirë të përbashkët edhe për gatishmëërinë e angazhimin e migrantëve, të cilët duhet të japin kontributin e tyre aktiv në shoqëri, theksoi e ngarkuara e qeverisë për integrimin, Maria Bëmer.