1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rruga drejt anëtarësimit në BE

Bernd Riegert / Angelina Verbica17 Dhjetor 2012

Serbia u bë kandidate për anëtarësim në BE. Vetëm titull nderi, apo edhe ndihma financiare? Cila është procedura për pranim? Dhe ku ndodhen kandidatët e tjerë?

https://p.dw.com/p/16zn2
Fotografi: European Communities

Pas negociatave të vështira në samitin e BE-së (mars 2012) në Bruksel, Serbia u ngrit në rangun e kandidatit për pranim në bashkësinë e 27 shteteve të BE-së. Para samitit Serbia arriti një marrëveshje me Kosovën, për të mënjanuar grindjen lidhur me statusin ndërkombëtar të Kosovës. Për Serbinë titulli "kandidat" është një hap i rëndëdsihëm në rrugën e gjatë drejt anëtarësimit. Në vitin 2009 Serbia kërkoi zyrtarisht anëtarësimin. Tani Komisioni i BE në Bruksel do t'i japë kandidatit të ri kushtet, që duhet të përmbushë për fillimin e negociatave për pranim. "Ne nuk duam në asnjë mënyrë të importojmë konflikte të reja në BE", tha komisioneri i BE-së për zgjerimin Stefan Fyle, duke patur parasysh Serbinë.

Sipas të dhënave të Komisionit të BE-së, një tjetër kandidat, Maqedonia, pret fillimin zyrtar të bisedimeve që prej vitit 2005. Republika e dikurshme jugosllave i ka plotësuar praktikisht të gjitha kushtet për fillimin e bisedimeve, por grindja për emrin e vendit me anëtaren e BE-së, Greqinë, nuk është kapërcyer akoma.

Një tjetër kandidat, që pret akoma hapjen e negociatave për anëtarësim, është shteti i vogël i Malit të Zi, që është shkëputur nga bashkësia shtetërore me Serbinë në vitin 2006. Mali i Zi mori statusin e kandidatit në vitin 2010.

Islanda dhe Turqia negociojnë

Kancelarja Merkel dhe kryeministri turk Erdoan në një konferencë shtypi në Berlin.
Për pranimin e Turqisë ka ende shumë skepticizëm në BE.Fotografi: Getty Images

Grupi tjetër i kandidatëve për pranim është një hap më tutje. Islanda dhe Turqia negociojnë për pranimin e tyre me shtetet e tjera të BE-së. Islanda, shteti ishull në Atlantikun e Veriut, bën përparime të shpejta. Që nga falimentimi gjatë krizës financiare, Islanda do të hyjë në gjirin e BE-së. Që prej korrikut 2010 po zhvillohen negociata konkrete.

Kroacia do të anëtarësohet në vitin 2013

Kroacia ia ka dalë mbanë. Vendi do të jetë nga 1 korriku 2013 vendi i 28-të anëtar i Bashkimit Evropian. Traktati i pranimit u nënshkrua nga kryetarët e shteteve të BE-së në dhjetor 2011 dhe duhet të ratifikohet vetëm nga parlamentet. Kroacia kishte aplikuar për anëtarësim që në vitin 2003. Dhjetë vjet ka zgjatur gjithsej procesi i pranimit.

Protesta të kundërshtarëve të anëtarësimit në Kroaci.
Dhjetë vjet pritje dhe pastaj protesta kundër anëtarësimit - rruga e Kroacisë drejt BE-së nuk ka qenë e lehtë.Fotografi: REUTERS

Tre vende, që presin në radhë

Bosnjë-Hercegovina nuk ka mundur të bëjë kërkesë për anëtarësim në BE. Vendi, ku nuk është arritur ende pajtimi ndërmjet palëve ndërluftuese, është shumë i paqendrueshëm për bisedime formale për pranim. Në vitin 2008 u vendos një marrëveshje stabilizimi dhe asociimi me BE, që ka për qëllim ta afrojë Bosnjë-Hercegovinën me standartet evropiane dhe dikur ta bëjë të aftë për anëtarësimin përfundimtar.

Sarajeva, kryeqyteti i Bosnje-Hercegovinës.
Sarajeva, kryeqyteti i Bosnje-Hercegovinës.Fotografi: DW

Kosova, që ka shpallur pavarësinë nga Serbia, nuk njihet nga të gjitha shtetet e BE-së si shtet i pavarur. Prandaj bisedimet formale për pranim nuk janë një herë për një herë të mundura. Në vitin 2008 BE vendosi, që edhe territori i Kosovës të ketë "perspektivë evropiane", kur të jenë sqaruar çështjet e statusit dhe marrëdhëniet me Serbinë.

Shqipëria ka bërë kërkesë në vitin 2009. Në moment po zhvillohen negociata ndërmjet qeverisë shqiptare dhe komisionit të BE në Bruksel për të shqyrtuar, nëse Shqipëria po bën përpjekje të mjaftueshme në gjyqësor, apo në frenimin e krimit të organizuar. Për njohjen e saj si kandidat nuk është vendosur ende.

Një vend i shkëputur dhe një i ndaluar

BE-ja ka përvojë me zgjerimin, sepse 21 nga gjithsej 27 anëtarë që ka sot unioni, qysh nga themelimi në vitin 1957 u pranuan gjashtë anëtarë njëherësh. Më shpejt funksionoi antarësimi i Finlandës. Në vitin 1992 finlandezët paraqitën kërkesën për anëtarësim. Tre vjet më vonë Finlanda u pranua si anëtare në klubin evropian.

Antarësimin më të pazakontë e kanë përjetuar qytetarët e ish-RDGJ-së (ish-Republika Demokratike e Gjermanisë). Ata brenda natës u bënë anëtarë të BE-së, sepse kjo republikë u bashkua me Republikën Federale të Gjermanisë më 1 tetor 1990. Për këtë antarësim nuk u zhvilluan negociata, megjithatë RFGJ-së iu desh të bëjë premtime financiare vullnetarisht për të bindur anëtarët skeptikë, siç ishte Britania e Madhe.

Porta e Brandenburgut pas rënies së murit të Berlinit, nëntor 1989.
Anëtarë në kohë rekord - ish-RDGJ u bë automatikisht anëtare e BE-së pas bashkimit më Rebublikën Federale.Fotografi: picture alliance/dpa

BE-ja ka përjetuar deri më tani edhe një shkëputje - ose të paktën gjysmë shkëputje nga unioni. Në vitin 1985 Groenlanda u shkëput nga Komuniteti Evropian (siç quhej askohe BE-ja), sepse në vitin 1979 Danimarka njohu autonominë Groenlandës. Kësisoj në vitin 1982 qytetarët e Groenlandës votuan për shkëputjen nga Komuniteti Evropian, akt ky që u realizua tre vjet më vonë.

Groenlanda ishte pjesë e Komunitetit Evropian, pasi i përkiste deri në 1979 Danimarkës. Norvegjia, Zvicra dhe një sërë vendesh të tjera të vogla, ndonëse janë pjesë e vendeve anëtare të BE-së, nuk janë anëtarë në union. Një shtet i vogël p.sh. është dhe Vatikani, i cili nuk lejohet të antarësohet në BE, sepse nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare ky është një shtet absolutist, teokratik dhe pa paralament e gjykata të pavarura.