1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rruga e gjatë drejt unitetit të Gjermanisë - Një vështrim retrospektiv

3 Tetor 2009

Më 3 tetor 1990 u vulos zyrtarisht ribashkimi i Gjermanisë. Ai u parapri nga protestat paqësore në RDGj në nëntorin e 1989. Bashkimi u mundësua prej Perestrojkës së ish-presidentit sovjetik Mihael Gorbaçov.

https://p.dw.com/p/Jwwb
3 Tetor 1990, Dita e Ribashkimit të Gjermanisë
3 Tetor 1990, Dita e Ribashkimit të GjermanisëFotografi: AP

Mister Gorbatschov, tear down this wall”.

"Mr. Gorbaçov rrëzojeni këtë mur"! Ishte kjo një dëshirë fisnike që shprehu presidenti amerikan Ronald Regan gjatë vizitës në Berlin qershorin e vitit 1987. Ai i bëri thirrje presidentit sovjetik Gorbaçov që ta rrëzonte murin, që ndante Gjermaninë në dy pjesë. Asokohe vetëm 3 përqind e shtetasve gjermano-perëndimorë e konsideronin të mundshme se do ta përjetonin personalisht ribashkimin e Gjermanisë. Por historia nuk u dha të drejtë atyre, ashtu si edhe këtij udhëheqësi: "Muri do të ekzistojë edhe pas 50 vjetësh edhe pas njëqind vjetësh, nëse nuk evitohen shkaqet për ekzistencën e tij." Kjo profeci e Erih Honekerit (Erich Honecker), kryetarit të partisë së bashkuar socialiste SED në janar të vitit 1989, vetëm pak muaj më vonë rezultoi e gabuar.

Helmut Kohl, Michail Gorbatschow dhe George Bush
Helmut Kohl, Michail Gorbatschow dhe George BushFotografi: dpa

Në nëntor anëtari i byrosë politike Erih Shabovski (Erich Schabowski) shpalli hapjen e kufijve të RDGj-së e kësisoj edhe rrëzimin e murit. Ky ishte një interpretim i gabuar i një situate të turbullt të vendimmarrjes në parti, siç u konstatua më vonë, por që pati pasoja të rënda për socialistët në pushtet në RDGj.

Popullsia e RDGj kishte marrë ndërkaq rrugën drejt Perëndimit.

Dhjetra mijëra njerëz pas hapjes së kufirit nisën udhëtimin për të zbuluar Gjermaninë "tjetër", siç quhej në zhargonin e partisë socialiste Republika Federale e Gjermanisë. Ndërkohë që shpresa e disa mbrojtësve të të drejtave qytetare, që të ruhej shteti më vehte i RDGj-së në një sistem demokratik por me orinetim socialist u dëshmua si iluzion.

Ditë historike: Hannelore dhe Helmut Kohl, Hans-Dietrich Genscher dhe Richard von Weizsäcker
Ditë historike: Hannelore dhe Helmut Kohl, Hans-Dietrich Genscher dhe Richard von WeizsäckerFotografi: dpa - Fotoreport

Në zgjedhjet e para të lira për kuvendin popullor në RDGj fitoi aleanca për Gjermaninë nën udhëheqjen e kristiandemokratëve, kryetari i së cilës në Gjermaninë Perëndimore kish fokusuar ribashkimin duke u angazhuar për të fituar besimin për një Gjermani të bashkuar tek fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore (ShBA, Franca, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik): Helmut Kohl "Ne gjermanët kemi mësuar prej historisë. Ne jemi një popull që e duam paqen dhe lirinë. Ne kurrë nuk do t´ia dorëzojmë demokracinë tonë armiqve të paqes dhe të lirisë. Për ne janë të pandashme dashuria për atdheun, dashuria për lirinë dhe fryma e fqinjësisë së mirë."

Marrëveshjet 2 + 4

Në marrëveshjet e ashtuquajtura dy plus katër u përcaktuan bazat për bashkimin gjerman mes qeverive të Republikës Federale të Gjermanisë dhe asaj të RDGj-së. Në fund u rivendos sovraniteti i Gjermanisë i kufizuar qysh pas Luftës së Dytë Botërore. Ndër ata që përgëzuan më 3 tetor 1990 ishte edhe presidenti i ShBA Bush:


"Unë përgëzoj kancelarin Kohl si dhe të gjithë gjermanët në Lindje e në Perëndim dhe në Berlinin të ndarë prej kaq kohësh, që ia dolën të mbajnë gjithmonë të gjallë ëndrrën e tyre për vetëvendosje kombëtare."

Qysh prej asaj dite kanë kaluar 19 vjet. Për ndërtimin në Lindje qysh prej ribashkimit janë investuar rreth 250 miliardë euro. Për paktin e solidaritetit deri në vitin 2019 duhet të derdhen edhe 150 miliardë të tjera.

Autor: Bernd Gräsler/Aida Cama

Redaktoi: MImoza Cika-Kelmendi