1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia ka në plan një seri të re negociatash për programin atomik iranian

Herman Krause18 Prill 2006

Rusia beson edhe më tej se Irani nuk dëshiron të zhvillojë armë të veta atomike. Udhëheqja ruse është edhe e bindur, se problemi atomik iranian mund të zgjidhet vetëm përmes negociatave.

https://p.dw.com/p/AqqK
Sergej Lavrov, Ministri i jashtëm rus
Sergej Lavrov, Ministri i jashtëm rusFotografi: AP

"Rusia do të përpiqet edhe më tej të arrijë një zgjidhje me negociata. Grindja për programin atomik iranian duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore". Këtë e deklaroi një zëdhënës i ministrisë ruse të punëve të jashtme. Megjithë problemet fjalën duhet ta ketë diplomacia, tha ai. Për këtë shkak, Rusia ka ftuar edhe për përfaqësues të BE dhe të SHBA në një raund bisedimesh në lidhje me programin atomik të Iranit.

Për SHBA në takim do të marrë pjesë sekretari i shtetit i ministrisë së jashtme, Nikolas Berns. Ai aktualisht ndodhet në Moskë për të zhvilluar bisedime përgatitore për takimin ekonomik të nivelit të lartë. Për herë të parë në këtë takim do të marrë pjesë edhe një përfaqësues i Kinës.

"Rusia është aktori kryesor në programin bërthamor iranian. Rusia ka interesa të veta, interesa të veçanta. Por marrëdhëniet tona me botën perëndimore nuk duhet të keqësohen. Nga ana tjetër, Rusia nuk duhet t'u vërë pikëpyetje marrëdhënieve ekonomike, sepse Irani është një partner i besueshëm."

Kështu e shpjegon Raxhab Safarov, drejtori i qendrës ruse për studimet për Iranin, iniciativën më të fundit të Moskës. Jo më larg se java e kaluar, ministri rus i energjitikës, Viktor Christenko lidhi për sipërmarrjen shtetërore Gasprom një marrëveshje të re prej miliardash me Iranin. Kështu, Gaspromi do të ndihmojë për të zbuluar një zonë rezervë gjigante gazi në Gjirin Persik. Gazi iranian mendohet se pas kësaj do të shkojë në Rusi dhe më pas, përmes tubacioneve ruse do t'i shitet perëndimit ose Kinës.

Lavrov: "Irani nuk ka deklaruar asnjëherë se ka ndërmend të zhvillojë armë bërthamore. Disa herë qeveria ka dhënë siguri, se nuk ekzistojnë plane të tilla dhe se energjia atomike do të përdoret vetëm për qëllime paqësore." Kjo deklaratë e ministrit të jashtëm Sergej Lavrov u transmetua të dielën edhe njëherë nga televizioni rus, gjë që tregon: Rusia ka një pozicion të ndryshëm me atë të qeverisë amerikane. Shefi i shtabit të përgjithshëm rus, Juri Balujevski tha vec kësaj në fundjavë se Irani nuk është në gjendje as në plan afatmesëm dhe as në plan afatgjatë që të ndërtojë bomba atomike. Programi ushtarak iranian është konceptuar krejtësisht për nevoja mbrojtjeje. Deklaratat marciale të presidentit iranian, Mahmud Ahmadinexhad veçanërisht kundër Izraelit në Moskë injorohen krejtësisht.

Qeveria ruse nuk do të votojë në asnjë mënyrë pro një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për përdorimin e dhunës. Punët duken sikur ministria e jashtme ruse kërkon të marrë një iniciativë të re për negociata. Në këtë kuadër, oferta e bërë Teheranit që ta pasurojë uranin në territorin rus, është ende në tryezë.