1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Së shpejti Prishtina dhe Beogradi diskutojnë për të zhdukurit

21 Maj 2010

Pala kosovare kërkon të jetë e pranishme në hapjen e varrezës masive. Hetuesit e misionit EULEX janë takuar në Beograd me prokurorë të Serbisë dhe sipas tyre EULEX, krimet e luftës do t’i trajtojë me prioritet të lartë.

https://p.dw.com/p/NUAc
Fotografi: DW/A.Herrberg

Përfaqësues të komisionit qeveritar të Kosovës për përsona të zhdukur akoma nuk kanë ndonjë informacion zyrtar se çfarë po bëhet me hetimet, që po zhvillohen nga autoritetet e Serbisë në varrëzën masive në Rashkë të Serbisë, ku dyshohet të jenë varrosur trupat e mbi 250 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ata janë në pritje të një takimi të mundshëm me palën serbe. Ndërkohë zëdhënësja e misionit EULEX, Kristina Herodes, i tha DW se hetuesit e këtij misioni janë takuar në Beograd me zyrtarë të Prokurorisë serbe për krime lufte duke i ofruar bashkëpunim Beogradit për çdo zhvarrim.

"Hetuesit e EULEX-it kanë qenë në Beograd, për të kërkuar informacione të tjera, që lidhen me varrezën e mundshme masive në Rashkë të Serbisë. Takimi është mbajtur me prokurorin për krime lufte. Takimi ka qenë i mirë dhe nga të dy anët ekziston një vendosmëri për të ecur përpara në lidhje me këtë çështje, sa më shpejt që të jetë e mundur", thotë Kristina Herodes.

Pala kosovare kërkon të jetë e pranishme

Ndërkohë kryetari i komisionit qeveritar për të zhdukurit, Prenk Gjeta, thotë për programin tonë se pala kosovare kërkon që të jetë edhe ajo e pranishme gjatë hapjes së varrëzës masive në Rashkë.

Kosovo Prenk Gjeta
Kryetari i komisionit qeveritar për të zhdukurit, Prenk Gjeta.Fotografi: DW

"Kërkesa jonë kryesore është që sa më shpejtë të hapet ai vend me pjesëmarrjen edhe të palës kosovare", thotë Prenk Gjeta.

Prokurorët për krime të luftës në Serbi, sipas mediave serbe tashmë i kanë filluar procedurat ligjore për zhvarrosjen e trupave të pajetë në varrezën masive në Rashkë, ndërsa hetimet në terren do të pasohen nga ekshumimet, autopsitë dhe identifikimi i viktimave. Prokuroria serbe ka thënë se ekshumimi do të zhvillohet nën mbikëqyrjen e EULEX-it, por nuk është përmendur në mënyrë specifike prania e palës kosovare.

Organizata serbe kërkojnë hapjen e varrezave me trupat e serbëve

Disa organizata serbe, që angazhohen për të zhdukurit serbë të Kosovës, kanë thënë se hapja e varrëzës masive në Rashkë të Serbisë duhet kushtëzuar edhe me hapjen e disa varrezave masive, që sipas tyre ekzistojnë në Kosovë me trupa të serbëve. Prenk Gjeta thotë se jozyrtarisht është i informuar me këto kërkesa, mirëpo sipas tij, hapja e varrezave masive nuk duhet kushtëzuar.

"Edhe në Kosovë ata janë të lirë që të kërkojnë në çdo vend, që është i dyshimtë. Janë pikërisht disa kërkesa, që ka bërë pala serbe dhe jemi në përpjeke për t'i realizuar ato kërkesa me gërmime si në Bellaqevc, në Koshare dhe në Liqenin e Livoqit", thotë Prenk Gjeta.

Komisioni qeveritar i Kosovës për persona të zhdukur në lista ka të regjistruar gjithsej 1862 persona të zhdukur. Nga ky numër afro 500 janë serbë të Kosovës. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka qenë dhe vazhdon të jetë ndërmjetësues në bisedimet për të zhdukurit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, bisedime këto që u ndërprenë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Zyrtarë nga Kryqi i kuq ndërkombëtar thonë se ky mekanizëm tashmë i ka dërguar Beogradit kërkesën e palës kosovarëve për një takim. Ata u shprehen optimistë për mbajtjen e këtij takimi, mirëpo nuk janë në gjendje ta saktësojë datën.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica