1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sërish video kërcënuese e Al Kaidës kundër Gjermanisë

19 Shtator 2009

Pas shfaqjes së një videoje të re të organizatës terroriste El Kaida, me kërcënime ndaj Gjermanisë, janë forcuar masat e sigurisë në vend.

https://p.dw.com/p/JkV6
Bekkay Harrach
Bekkay Harrach ka jetuar për vite me radhë në Bon.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Ministria e Brendshme njoftoi, se pas videos së publikuar dje (18.9.) në internet, supozohet rritje e shkallës së rrezikut. Sipas njoftimeve të medieve, mesazhi video përmban kërcënime për atentate, nëse ushtarët gjermanë nuk tërhiqen nga Afganistani, pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani.

Prokuroria bëri të ditur, se ka shumë gjasa, që personi në video të jetë islamisti Bekkay Harrach, i cili jeton në Bon të Gjermanisë. Në fillim të vitit ai ishte shfaqur në një tjetër video me kërcënime terroriste kundër Gjermanisë. Prokuroria ka nisur hetimet kundër Harrach me origjinë marokiane, nën dyshimin për anëtarësi në një shoqatë të huaj terroriste.

Eksperti për terrorizmin në kanalin e dytë televiziv gjerman (ZDF), Elmar Theveßen, tha, se video është pjesë e propagandës së El Kaidës: "Bekkay Harrach ka jetuar për vite me radhë në Bon, ai e njeh shumë mirë Gjermaninë dhe pas burgimit në Siri ka shkuar në Afganistan, në kampin e El Kaidës. Autoritetet besojnë, se ai tashmë bën pjesë në rrethin e drejtuesve të organizatës terroriste përreth Osama bin Ladenit, dhe kjo është arsye pse videoja merret kaq seriozisht. Megjithatë videoja është pjesë e ofensivës propagandistike të El Kaidës, me të cilën ajo synon të ngjallë frikë. Autoritetet gjermane presin shfaqjen së shpejti edhe të një videoje ku Osama bin Laden i drejtohet vetë popullit gjerman. Por, e përsëris, për momentin bëhet fjalë vetëm për propagandë, dhe nuk ka të dhëna për rrezik konkret."

Në një intervistë dhënë sot për radion 'Deutschlandfunk', ministri i Brendshëm i landit të Bavarisë, Joachim Herrmann, tha: "Këtë video kërcënuese duhet ta marrim seriozisht, pasi Harrach është një islamist i njohur, që është prej kohësh nën vëzhgim. Nga ana tjetër është e qartë, se me këtë video bëhet edhe politikë. Ajo synon të përhapë frikë në radhët e popullsisë. Por nga ana tjetër, ne nuk mund të kontrollojmë çdo metër katror të Gjermanisë, 24 orë rresht. Duhet të vendosim prioritete, p.sh. në aeroporte apo stacione trenash, prania e policisë është përforcuar. Ne duhet t'u bëjmë të qartë terroristëve potencialë, se jemi vigjilentë."

Autor : Eliana Xhani

Redaktoi : Aida Cama