1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë ka tymosur ai?- Një pohim socialist me jehonë të madhe

3 Maj 2019

Kryetari i të rinjve të SPD-së po lufton për "socializmin demokratik" dhe ëndërron të shpronësojë BMW-në. Ideja pritet me habi edhe nga vetë shokët e partisë.

https://p.dw.com/p/3HqZU
Bundesvorsitzender der Jusos - Kevin Kühnert
Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Kappeler

Kryetari i "Socialistëve të Rinj", organizata rinore e SPD-së, e cila në Gjermani thirret shkurt "Juso", na qenka një socialist. Këtë Kevin Kühnert ia tha të përjavshmes gjermane, "Die Zeit".  Në një intervistë ai u shpreh për një socializëm demokratik, si "një përpjekje për t'i ardhur më pranë idealit të një shoqërie të lirë, të barabartë dhe solidare". Kühnert tha se mund ta imagjinonte  që të shtetëzonte kompani të mëdha, si BMW-në ose kompanitë e pasurive të patundshme. "Pa një formë kolektivizimi, është i papërfytyrueshëm kapërcimi i kapitalizmit",  tha kryetari i organizatës rinore të SPD-së. 

Ndryshe nga disa prej paraardhësve të tij, Kühnert konsiderohet me perspektivë në SPD. Ai është i pranishëm në instancat udhëheqëse të partisë dhe në media, ka luftuar në fillim të vitit 2018 kundër një koalicioni të ri me CDU-në dhe CSU-në dhe kësisoj për pak sa nuk e prishi koalicionin e kancelares Angela Merkel. 

Deutschland SPD l Juso-Bundeskongress in Düsseldorf l Kevin Kühnert
Kühnert nga foltorja e Kongresit Federal të Socialistëve të Rinj, 2018Fotografi: picture alliance/dpa/M. Becker

Utopi dhe marrëzi

Për shumë konservatorë dhe liberalë në Gjermani - 30 vjet pas dështimit të socializmit në RDGJ - edhe shfaqja e ideve të tilla që kërkojnë fundin e kapitalizmit është tabu. Ministri Federal i Transportit Andreas Scheuer, vetë nga CSU-ja, e quan Kühnert-in  një "fantazues të humbur"  dhe me "një përfytyrim të çuditshëm e demode për botën". 

Demokratët e Lirë (FDP) do ta "mbronin ekonominë sociale të tregut kundër këtyre ekseseve socialiste", tha Sekretarja e Përgjithshme e FDP-së, Linda Teuteberg.

Por edhe shokë të partisë janë distancuar nga Kühnert. "Ai flet në një intervistë për një utopi shoqërore, që nuk është as shoqëria ime, dhe as kërkesë e SPD-së, tha të enjten në Berlin, Sekretari i Përgjithshëm i SPD-së, Lars Klingbeil. Deputeti i SPD-së së Hamburgut, Johannes Kars, i quan "marrëzi e madhe" idetë e Kühnertit, dhe shtron pyetjen provokuese: "Çfarë ka tymosur ai?"

Edhe marksistët mund të bëhen kancelarë
 
Zëvendëskryetari i SPD-së, Ralf Stegner, e merr në mbrojtje Kühnert-in në një intervistë me DW. "Të flasësh për shoqërinë e së ardhmes, për çështje globale të drejtësisë, kjo është me kuptim, thotë Stegner. Stegner thekson se Juso-t kanë qenë gjithmonë në të majtë të partisë nënë. "Ish kryetarët e Juso-s, si Gerhard Schröder ose Andrea Nahles, kanë thënë gjëra të ngjashme," tha zëvendëspresidenti i SPD-së, për DW. Gerhard Schröder madje e rreshtonte veten në kampin marksist në kohën e Juso-s. Si Kancelar, zbatoi më pas që prej vitit 2003 disa reforma ekonomike që shumëkush i quajti neoliberale. 

Ralf Stegner, SPD
Fotografi: picture alliance/dpa/C. Rehder

Fakti që Kühnert tani flet konkretisht për shpronësime, mund t'i sjellë dëm SPD-së në fushatën zgjedhore evropiane. Në sondazhe, një shumicë e madhe e gjermanëve e kundërshtojnë shpronësimin si instrument politik. 

E teksa SPD-ja vijon diskutimet mbi konceptin e shpronësimit, ministri kristiansocial Scheuer ka kohë që e zbaton pa u ndier. Ministria e tij raporton mbi 65 procedura shpronësimi, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me toka bujqësore. Scheuer e bën këtë për ndërtimin e rrugëve, e jo për socializëm.

Peter Hille, shikon miqësisht në objektiv, veshur me një xhaketë të errët dhe një bluzë bojëqielli në gri, në hollin e DW Bonn.
Peter Hille redaktor, reporter dhe gazetar i specializuar në politikat e zhvillimit@peterhille