1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel USA Abrüstungsgipfel

12 Prill 2010

Kancelarja gjermane Merkel u nis sot (12.04.) për një vizitë disaditore në SHBA. Të martën (13.04.) ajo merr pjesë në samitin për sigurinë bërthamore. Po ashtu është planifikuar dhe një takim me presidentin Obama.

https://p.dw.com/p/Mto2
Fotografi: AP

Gjermania e merr seriozisht rrezikun e rënies së materialit nuklear në duart e terroristëve. Prandaj kancelarja Angela Merkel në konferencën e organizuar për këtë temë nga presidenti amerikan Barack Obama do të theksojë masat gjermane për sigurimin e materialit bërthamor, tha zëdhënësi i qeverisë Ulrich Wilhelm para udhëtimit të Merkelit në Uashington.
"Për shembull, kur bëhet fjalë se si mund të ballafaqohemi me kërcënimin e mundshëm terrorist dhe ndër të tjera se çfarë kontributi mund të sjellin aktivitetet kombëtare, që materiali bërthamor të mbetet në qarqe të sigurta. Kështu për shembull në ligjin për lëndët bërthamore ne kemi urdhëresa dhe rregulla, të cilat nuk i kanë shumë prej vendeve të tjera."

Iran Atomanlage in Isfahan Uran
Impiant atomik iranian në IsfahanFotografi: AP

Një rrezik i nënvlerësuar është edhe sasia e lartë e uranit të pasuruar, që ndodhet në qarkullim për qëllime hulumtuese shkencore dhe nëpër spitale, thuhet në Berlin. Kjo sasi mund t'iu shërbejë terroristëve për prodhimin e të ashtuquajturave bomba të papastra, tek të cilat lënda plasëse konvencionale përzihet me material radioaktiv.

Masa për mbrojtjen e materialit bërthamor

Në samitin dyditor për sigurinë bërthamore në Uashington shtetet pjesëmarrëse duan të detyrohen që të përpiqen më shumë për mbrojtjen e materialit bërthamor dhe të përpilojnë një plan të detajuar pune. Gjermania do të verë në dispozicion edhe 10 milionë të tjerë për Organizatën Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore në Vjenë si mbështetje për masat, që duhet të ndërmarrë ajo për sigurinë mbarëbotërore bërthamore, thuhet në Berlin.

Pranimii të burgosurve të Guantanamos nga Gjermania mbetet i hapur

Në takimin e planifikuar të Merkelit me presidentin Obama ( të martën rreth orës 18.00 sipas kohës lokale në Uashington) do të bisedohet për Iranin, Lindjen e Mesme, Afganistanin, gjendjen në Pakistan dhe ekonominë botërore, tha zëdhënësi i qeverisë Wilhelm. Mesazhi për Obaman se edhe Gjermania përfundimisht do të pranojë disa prej të burgosurve në Guantanamo nuk ndodhet në valixhen e kancelares Merkel.

"Ekziston gatishmëria parimore e qeverisë federale, që me palën amerikane të bisedojë për raste unike. Këto bisedime zgjasin, kjo do të thotë se shqyrtimi i rasteve vazhdon dhe se deri tani nuk kemi ndonjë risi, për të cilën do të mund të bisedohej në nivelin e presidentit amerikan dhe kancelares gjermane."

No-Flash Guantanamo
Të burgosur në kampin e Guantanamos në KubëFotografi: AP

Qeveria federale e ka punën pisk, sepse landet gjermane, përgjegjëse për strehimin e tyre, hezistojnë t'i pranojnë. Ato frikësohen se ish të arrestuarit përbëjnë një rrezik për sigurinë. Politikanët e opozitës si shefja e ekologjistëve Claudia Roth flasin për një fyerje të rëndë, në rast se kancelarja Merkel shkon duarbosh në Uashington. Marrëdhëniet mes Gjermanisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të shkëlqyera, thuhet nga ana tjetër në qarqet qeveritare në Berlin. Asnjëherë më parë nuk ka pasur kontakte kaq intensive si ne mes të Obamas dhe Merkelit.

Kancelarja pas përfundimit të samitit për sigurinë bërthamore do të vizitojë edhe Kaliforninë, ku do të takojë guvernatorin Arnold Schwarzenegger, si dhe shkencëtarë e sipërmarrës. Përveç kësaj ajo pritet të mbajë edhe një fjalim në Universitetin Standford.

Autor: Bernd Gräßler/Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica