1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EU Flüchtlingspolitik

26 Nëntor 2010

Në kryeqytetin e Libisë Tripoli më 29 dhe 30 nëntor mblidhen rreth 80 kryetarë shtetesh në samitin e tretë Afrikë-BE. Krahas marrëdhënieve ekonomike diskutohet edhe politika ndaj refugjatëve.

https://p.dw.com/p/QJMA
Refugjatë në TripoliFotografi: AP

Ekziston një hendek i çuditshëm ndërmjet fjalëve dhe veprave, kur është fjala për politikën evropiane për refugjatët. Përgjegjësit në Bruksel dhe në kryeqytetet e BE nuk lodhen së instruktuari qeveritë e vendeve të tjera për të drejtat e njeriut dhe zbatimin e ligjit. Por kur është fjala për refugjatët para dyerve të vendeve të BE, punët janë ndryshe. "Ne do ta ruajmë kredibilitetin e traditës humanitare të Evropës si vend, ku refugjatët pranohen, nëqoftëse u themi njerëzve në Evropë, se ne luftojmë abuzimin", tha ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, së fundi në një takim me homologët nga shtetet e tjera të BE.

Përsëri fjala ishte për emigrimin. Së fundi ka qenë Greqia, një herë tjetër ishin spanjollët dhe maltezët ata, që e ndjenin vetën të lënë vetëm prej partnerëve, me mijëra refugjatë ilegalë në brigjet e tyre. "Temë e vështirë në këtë kontekst është solidariteti ndërmjet shteteve, që janë tepër të ngarkuara, sidomos në jug të Evropës dhe në shtete të tjera", thotë ministri.

Thomas de Maiziere Terrorgefahr
Ministri i brendshëm gjerman, Thomas de MaiziereFotografi: AP

BE negocion me Libinë

Mbingarkimi i këtyre shteteve në periferi të Evropës vjen nga fakti se rregullat e BE e detyrojnë një vend që ta pranojë refugjatin, aty ku ai ka shkelur territorin e BE. Vendet si Gjermania nuk kanë problem me këtë rregull. Dhe shumica e vendeve të jugut e përballojnë tani këtë, që kur pjesëtarët e agjencisë për mbrojtjen e kufirit Frontex kapin refugjatët që në det dhe i pengojnë të shkelin në Evropë. Por kjo nuk është e mjaftueshme. Qysh para dy vjetësh BE ka nisur të negociojë me Libinë për një marrëveshje kornizë. Janë marrëveshje të fshehta, nga të cilat shumë pak gjëra dalin jashtë. Në Parlamentin Evropian kanë frikë se evropianët janë të interesuar në radhë të parë për një gjë, që është dikush që ua merr refugjatët.

Italien Libyen Muammar Gaddafi bei Silvio Berlusconi in Rom
Berluskoni takohet me Gadafin në gusht 2010, Italia prej kohësh ka zhvilluar negociata për çështjen e refugjatëve me LibinëFotografi: AP

Lidhur me këtë deputetja e të gjelbërve, Franziska Brandner, thotë: "Frika jonë është se BE përmes kësaj mund të shpëtojë fare mirë prej refugjatëve dhe Gadaffi merr si kompensim pak më shumë integrim ekonomik me BE, lehtësime për vizat për njerëzit e tij. Ky është shqetësimi ynë."

Çfarë ndodh në Libi me refugjatët?

Qeveria italiane e Silvio Berlusconit ka qenë e para, që ka zhvilluar hapur tratativa me udhëheqësin e madh të revolucionit në Tripoli. Këmbimi i refugjatëve ndaj miliarda eurove, ky ishte pazari. Komisari i OKB-së për refugjatë, Antonio Guterrez, u shpreh i tronditur. Portugezi tha se dyshon, që Libia ka strehimore të mjaftueshme të refugjatëve. Ndërkohë sundimtari i vetëm libian e ka dëbuar UNHCR nga vendi i tij. Askush nuk e di më, se çfarë do të ndodhë me refugjatët e dëbuar në këtë vend afrikanoverior. Pesëdhjetë milionë euro i ka premtuar Brukseli diktatorit në vjeshtë, para, me anë të të cilave duhet të përmirësohet gjendja e refugjatëve në vend. Por kush e kontrollon Libinë, kur organizata për refugjatë e Kombeve të Bashkuara nuk ndodhet në vend? Kritikët thonë se evropianët duan t'i kenë duart e pastra, nga refugjatët ata gjithsesi kanë shpëtuar .

Autor: Peter Heilbrunner/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi