1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia para "Grexit" apo shpëtimit

la (rtr, dpa)21 Qershor 2015

Ujdi apo kaos? Të hënën takohen në Bruksel krerët e qeverive dhe vendeve të BE-së në Bruksel në një samit të posaçëm për nxjerrjen nga ngërçi të bisedimeve për arritjen e ujdisë me Athinën.

https://p.dw.com/p/1FkBv
Symbolbild Griechenland Schuldenkrise
Fotografi: Getty Images/M. Cardy

Para samitit të jashtëzakonshëm për Greqinë që zhvillohet në Bruksel mes krerëve të qeverive dhe sheteve të Bashkimit Europian nga Athina bëhet e ditur se Greqia do të prezantojë propozime shtesë në Bruksel. "Do të përpiqemi të plotësojmë listën e mëparshme, që t'i afrohemi zgjidhjes", tha Alekos Flabouraris, një këshilltar i kryeministrit Tsipras të shtunën (20.06) për televizionin Mega. "Nuk do të udhëtojmë me propozimet e vjetra", citon agjencia gjermane e lajmeve, dpa, politikanin grek. Flabouraris shprehet se bën pjesë tek optimistët që mendojnë se mund të gjendet një zgjidhje për krizën.

Ndërkohë presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk e paralajmëroi Greqinë se pa një ujdi me kreditorët ndërkombëtarë, vendi shkon drejt falimentimit. Në një videomesazh në fundjavë ai theksoi se gjendja është serioze. "Kjo nuk është lojë dhe nuk ka kohë për lojëra", tha Tusk. Ky është realiteti.

Grexit pa pasoja të menjëhershme por afatmesme

Në rast të mosarritjes së një ujdie me kreditorët, Greqia shkon drejt falimentimit dhe daljes nga eurozona, gjë që e rrit mjaft presionin ndaj politikës së Athinës. Gjithnjë e më tepër grekë po tërheqin paratë e tyre nga xhirollogaritë. Por sipas Flabouraris, Banka Qendrore Europiane nuk mund t'ia lejojë vetes një falimentim të Greqisë. BQE e di efektin domino që mund të ketë një falimentim i sistemit bankar, tha ai. Këshilli i BQE i ka rritur ndërkohë ndihmat urgjente të likuiditetit për bankat greke.

Për ekspertin gjerman të ekonomisë, Peter Bofinger një "Grexit" nuk do ta shkaktonte ndikime të mëdha në plan afatshkurtër "as në Gjermania dhe as në ekonominë botërore", është shprehur Bofinger për gazetën "Passauer Presse". Nuk mund të pritet tronditja e tregjeve si në vitin 2008 me falimentimin e bankës Lehman Brothers. Por në plan afatmesëm dalja e Greqisë do të përbënte problem. Sot eurozona ende shihet si një kala e paprekshme. "Por nëse një vend del, atëherë kjo do të tërhiqte spekuluesit", thotë Bofinger.

G7 Gipfel Schloss Elmau Donald Tusk
Kreu i Këshillit të BE-së, Donald TuskFotografi: picture alliance/augenklick/S. Minkoff

Rreziku i "dezintegrimit europian"

Sinjale alarmi vijnë nga politikanët gjermanë në fundjavë. Kreu i partisë socialdemokrate, partnere në koalicionin qeverisës, Sigmar Gabriel ka paralajmëruar nga pasojat dramatike për Europën, në rast të daljes së Greqisë nga eurozona. "Një dalje e Greqisë do të ishte sinjal fatal", tha Gabriel të shtunën në një takim jozyrtar të socialdemokratëve në Berlin, citon agjencia e lajmeve dpa. Nacionalizmi po merr hov në Europë, dështimi i negociatave do t'i përforconte këto tendenca. Ekziston rreziku i "dezintegrimit europian", paralajmëroi zëvendëskancelari gjerman. Edhe kreu i komisionit për Europën në Bundestag, Gunther Krichbaum (CDU) u shpreh se duhet arritur një marrëveshje. Takimi i së hënës është "shansi i fundit" për ta shmangur falimentimin e Greqisë, i tha ai gazetës gjermane "Saarbrücker Zeitung".

Me shqetësim mbi gjendjen aktuale para takimit të së hënës shkruajnë edhe mediat greke. "Ujdi ose kaos" titullon gazeta e Athinës, "Ta Nea". Kreu i qeverisë së majtë Aleksis Tsipras ndodhet me "kurriz pas murit". Me taktikën e vonesës ai ia ka dalë që qytetarët të zbrazin xhirollogaritë. Java që shkon është "një javë e zezë" për bankat greke, shkruan gazeta bulevardeske, "Ethnos". "Ultimatum i fortë i BE-së", shkruan gazeta konservatore, "Kathimerini" duke theksuar se "lajmi që BE i dërgon Athinës është ose ujdia për propozimet e kreditorëve ose falimentimi."