1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i Berlinit dhe polemika Rama- Haradinaj

Bekim Shehu''
3 Maj 2019

Pas samitit të Berlinit, përfaqësuesit e Kosovës po përgatiten për takimin e Parisit. Por ndërmjet kryeministrave të Kosovës e të Shqipërisë ka vazhduar një polemikë mbi diskutimet brenda samitit për taksën ndaj Serbisë.

https://p.dw.com/p/3HtBd
Kryeministrat Haradinaj dhe Rama gjatë një takimi në Tiranë (2017)
Kryeministrat Haradinaj dhe Rama gjatë një takimi në Tiranë (2017)Fotografi: DW/A. Ruci

Udhëheqësit më të lartë të Kosovës, përfshirë edhe Grupin negociator të Kosovës u mblodhën në Prishtinë ku diskutuan për Samitin e Berlinit dhe për të shprehur një qëndrim të Kosovës lidhur me dialogun Kosovë-Serbi në takimet e radhës. Takimi i sotëm i përbashkët në Prishtinë, u zhvillua me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se Samiti i Berlinit nga të gjithë u vlerësua i dobishëm.

"Ne kemi vetëm një mandat para qytetarëve tanë, shtetin tonë, integritetin dhe sovranitetin dhe Kushtetutën e Kosovës. Ky është qëndrimi ynë. E falënderojmë BE-në për fillimin e involvimit serioz në këtë proces. Por në mënyrë të veçantë e falënderojmë dhe e inkurajojmë angazhimin e vazhdueshëm dhe të domosdoshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Besojmë se do të ketë në të ardhmen edhe një involvim më direkt të SHBA-ve. Falënderojmë kancelaren Merkel dhe presidentin Macron për angazhimin e tyre për Kosovën”, tha pas takimit në Prishtinë Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.

Lidhur më kërkesën e vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar që taksa ndaj produkteve serbe të pezullohet dhe t'i hapet rruga dialogut Kosovë-Serbi, Kryetari i Kuvendit tha se "taksa ka qenë vendim dinjitoz dhe tash nuk duhet të kthehet kundër Kosovës dhe të nënshtrohemi ndaj Serbisë. Taksa nuk duhet të shërbejë kundër SHBA-së dhe Gjermanisë e Francës dhe e ardhmja duhet të sjellë vendime të mençura”.

Debat në distancë mes kryeministrave të Kosovës dhe Shqipërisë

Por është pikërisht kërkesa për pezullimin e taksës ndaj Serbisë, që thuhet se u diskutua në Berlin dhe refuzimi i kryeministrit Haradinaj për ta hequr atë, që ka përplasur Kryeministrin e Kosovës dhe Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

Një polemikë në distancë u zhvillua nga dy kryeministrat për atë se çfarë u tha në Samitin e Berlinit dhe kush i bëri kujt presion që të pezullohet taksa.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se në Berlin është përballur me presion të madh nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, për pezullimin e taksës ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës e Hercegovinës. Këto deklarime të Haradinajt nuk i pëlqyen kryeministrit të Shqipërisë. Ai i hodhi ato poshtë me një reagim të gjatë në profilin e tij social. Në të ai kritikon Haradinajn dhe e quan deklarimin e tij të pavërtetë.

"Si rregull, udhëheqësit nuk i komentojnë në publik bisedat mes tyre e sidomos ato informale, aq më tepër pa rënë dakord paraprakisht dhe lëre pastaj t'i shtrembërojnë, duke gënjyer për të dalë "burra të mirë" para popullit të tyre, si të ishin duke shitur mish në pazar", tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë shpjegon detaje të tjera nga takimi. "Kancelarja Merkel dhe presidenti Macron kanë nxitur një diskutim informal mbi rifillimin e dialogut dhe i kanë kërkuar me shumë durim kryeministrit Haradinaj, jo ta heqë taksën, po thjesht të japë pëlqimin që taksa të pezullohet përkohësisht, për 6 muaj apo edhe për 4 muaj, duke u zotuar që të hyjnë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ata vetë”, tha Rama duke pohuar se "i ka sugjeruar kryeministrit të Kosovës në dy momente që ta pranojë këtë kërkesë”.

Pas kësaj, kryeministri Haradinaj reagoi sërish. Pas një mbledhje të qeverisë së Kosovës ai tha se"gjithmonë do ta tregojë të vërtetën për proceset e bisedimeve me Serbinë”, sepse, sipas Haradinajt, kjo është edhe në interes kombëtar.

Deutschland Westbalkan-Gipfel
Fotografi: Getty Images/M. Schmidt

"Kërkesat që të pezullohen tarifat nuk janë të reja edhe pozicionet nuk janë të reja për disa prej atyre që i kanë, njëkohësisht qëndrimi im nuk është i ri pra është i qëndrueshëm, nuk ka ndonjë ndryshim dhe nuk do të ketë, pra nuk ka pse të diskutohet më. Pastaj kjo e kryeministrit Edi Rama: për mua shqiptarët, edhe të majtë edhe të djathtë janë vëllezërit e motrat e mia dhe ua kam borxh të vërtetën, atë që ka thënë At Zef Pllumi "rrno për me tregu” do t'ua tregoj të vërtetën edhe kur i pëlqen edhe kur nuk i pëlqen dikujt, për shkak se jemi në obligim ndaj qytetarëve tanë”, tha Kryeministri Haradinaj.

Njohësit e zhvillimeve politike këtë polemikë në distancë të kryeministrave Edia Rama dhe Ramush Haradinaj e shohin në mënyrë kritike. Vigan Qorroli, profesor në Universitetin e Prishtinës thotë se "përçarja mes liderëve politikë shqiptarë nuk është mëkat. Ajo është një traumë e mosnjohjes në radhë të parë të parimeve bazë të demokracisë, dhe së dyti, të moskuptimit të thellë të politikës perëndimore”. Sipas tij, kasta e lartë udhëheqëse në Shqipëri dhe Kosovë nuk kanë "ide për zhvillimin e shtetit dhe përparimin e shoqërisë”, prandaj të vetmen levë, që e përdorin më së miri është "dhuna verbale dhe konfliktualiteti politik”.

Samiti i Berlinit vazhdon të komentohet në Kosovë

Sidoqoftë, megjithë këtë polemikë në distancë të dy kryeministrave, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj, Samiti i Berlinit vazhdon të komentohet në Prishtinë. Udhëheqësit politikë të Kosovës nuk duken shumë të kënaqur nga ky takim për faktin që sipas Presidentit Hashim Thaçi, "akoma nuk ka një unitet evropian dhe veprime konkrete për Ballkanin Perëndimor”.

Megjithatë nga takimi i Berlinit doli konkluzioni që palët janë pajtuar që të mbahet një takim i ri më 1 korrik në Paris, ku shpresohet për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi. Kryeministri Ramush Haradinaj, beson që takimi i ardhshëm i Parisit mund të jetë më serioz, pasi do të jetë takim dypalësh ndërmjet Kosovës e Serbisë, me temë qendrore dialogun.

Beogradi zyrtar vazhdon të kërkojë nga Prishtina heqjen e taksës ndaj mallrave serbe si kusht për rifillimin e dialogut, ndërsa Prishtina zyrtare nuk pranon që taksa te jetë kusht për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, një proces ky i ngrirë tashmë që disa muaj.