1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Integrationsgipfel Bilanz

4 Nëntor 2010

Për herë të katërt në kancelari u mblodhën për samitin e integrimit përfaqësues të politikës, ekonomisë dhe të shoqërisë. Brenda 10 vjetësh kancelarja Merkel synon të arrijë atë që është lënë pas dore për 30 vjet.

https://p.dw.com/p/PxkH
Pamje nga samiti, 3.11.10Fotografi: AP

Në samitin IV kancelarja Merkel shpalli se deri në vitin 2015 do të ketë oferta për kurse integrimi për të gjithë. Po ashtu filloi edhe një plan kombëtar për integrimin, i cili ka si synim mësimin e gjermanishtes.

Në samitin IV për integrimin nuk munguan deklaratat pozitive. Kancelarja Merkel, ministri i saj i Brendshëm de Maizière dhe e ngarkuara e qeverisë për integrimin Böhmer plotësuan njëri-tjetrin në kërkesat e tyre për një debat të diferencuar duke lëvduar të huajt e integruar në Gjermani. Por resontimentet nuk largohen me të folura. Edhe plani i aksionit që pritet të nisë në fund të vitit 2011 nuk do të sjellë suksese për aq kohë sa në Gjermani, nuk do të shmanget mungesa e besimit mes gjermanëve dhe atyre që kanë rrënjë të tjera besimi dhe kulture. Debati për integrimin duhet të zhvillohet jashtë strategjive politike të partive dhe fushatave elektorale, në mënyrë që të parandalohet ashpërsimi i fronteve.

Debat për integrimin - parakushtet për të huajt

Kjo mund të bëhet vetëm, nëse hiqet dorë prej mendësisë bardhë e zi. Pjesë e integruar e shoqërisë gjermane mund të jetë edhe një njeri, i cili i pranon hapur rrënjët e veta kulturore dhe fetare dhe identifikohet me to. Parakusht është dhe mbetet mësimi i gjermanishtes dhe pranimi i kushtetutës dhe rendit publik.

Deutsche Welle Türkische Redaktion Bahaeddin Güngör
Komenton Baha GüngörFotografi: DW

Irritimet e muajve të fundit u shtuan prej autorit bestseller Sarrazin dhe shefit të CSU-së Seehofer. Ndërsa presidenti federal Wulff e quajti fenë islame si realitet në Gjermani, kancelarja Merkel e shpalli shoqërinë multi-kulti të vdekur. Ndërsa qeveritarët e federatës dhe të landeve vrasin mendjen se si ta minimizojnë mungesën e specialistëve, turqit, arabët dhe në përgjithësi myslimanët shpallen në Gjermani si persona të padëshiruar. Aktualisht po shtohet madje numri i atyre që kanë lindur, janë rritur dhe kanë studiuar në Gjermani, dhe të cilët e ndjejnë në Gjermani veten të trajtuar si qytetarë të dorës së dytë. Këta largohen nga Gjermania, duke vajtur kryesisht në vendet e tyre të origjinës.

Plani kombëtar i aksionit

"Plani kombëtar i aksionit" pritet të bëjë tani të mundur atë që nuk arritën plani kombëtar i integrimit dhe premtimet e samiteve të tjera. Po a do të kujdeset ky plan që ofertat për nxitjen e integrimit të shtohen jo vetëm nga pikëpamja sasiore por edhe cilësore? A do të kujdeset ai që të mos ketë më diskriminim në punësimin e atyre që kanë emra turkë apo arabë?

Masat e parashikuara nuk janë të reja. Por deri tani ato nuk kanë çuar në përmirësimin e jetës së të prekurve. Ata që konsiderohen si „të integruar", që nuk bien më në sy në qarkullim, dhe që përbëjnë më tepër se dy të tretat e myslimanëve në Gjermani, duhet të gjejnë sërish besim tek popullsia shumicë. Njëkohësisht gjermanët duhet të heqin dorë prej konsiderimit të të gjithëve njësoj.

Integrimi ka si parakusht që të gjithë ta shikojnë njëri-tjetrin në sy në mënyrë të barabartë. Rrugëdalje tjetër prej dilemës së integrimit nuk ka.

Autor: Baha Güngör

Redaktoi: Lindita Arapi