1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i Londrës - Domethënie simbolike apo më shumë?

9 Korrik 2018

Intervistë me ekspertin gjerman, Bodo Weber, nga nisma Këshilli i Politikave të Demokratizimit (DPC)

https://p.dw.com/p/315DR
Bodo Weber
Fotografi: privat

DW:Zoti Weber, a nuk është pak i çuditshëm fakti, që Konferenca e Pestë e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit zhvillohet në Londër?

Bodo Weber: Jo. Londra kishte këmbëngulur vetë qysh para BREXIT që të bëhej mikpritës i konferencës ballkanike. Dhe ashtu mbeti edhe pas BREXIT-it. Ka rëndësi të madhe simbolike për Britaninë e Madhe që të dëshmojë se edhe pse do të largohet nga Bashkimi Europian, angazhimin në Ballkanin Perëndimor nuk do ta reduktojë.

Çfarë mund të pritet nga Konferenca e Ballkanit Perëndimor në Londër?

Në fakt nuk pres shumë. Nuk është e gjithë BE-ja si e tërë që merr pjesë në këtë konferencë, por vetëm një grusht shtetesh, paçka se ato janë më të rëndësishmet. Prandaj edhe në këtë kuptim, Konferenca ka një rëndësi të lartë simbolike që megjithë krizën e brendshme, aktorët kryesorë vazhdojnë të jenë për perspektivën e zgjerimit.

Por ka edhe një bashkëpunim praktik në fushën e ekonomisë: projekte infrastrukture, nisma e blerjes, projektet e digjitalizimit.

Përpjekja për të forcuar bashkëpunimin rajonal në këto fusha ka ekzistuar qysh 15 vjet para konferencës së parë të Procesit të Berlinit, në kuadër të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore. Vetëm se rezultatet nuk ishin shumë të dukshme. Shkaqet nuk ishin objektive, por kishin të bënin kryesisht me mungesën e gatishmërisë politike. Kështu që mund të thuhet se Procesi i Berlinit e ka çuar vërtet përpara bashkëpunimin në projektet e mëdha insfrastrukturore, ndërtimin e autostradave, herkurudhave. Por jo sepse BE-ja vuri para të tjera në dispozicion, por është hera e parë që paratë nuk mbeten të pashfrytëzuara. Dhe një prej rezultateve më të dukshme është me të vertetë edhe themelimi i Zyrës së Bashkëpunimit Rajonal të Rinisë, Ryco, sipas modelit gjermano-francez, me seli në Tiranë.

Cilat janë frytet e këtij bashkëpunimi?

Këtë duhet ta shohim, por është ende herët. Gjendja e të rinjve është njësoj dramatike në të gjitha vendet: papunësi e lartë dhe mungesë perspektive. Për shkak të karakterit korrupt strukturor si në ekonomi ashtu edhe në shërbimet e shtetit dhe në politikë ne kemi pak mundësi për mobilitet social të të rinjve, veç nëse ata korruptohen nga sistemi. Shumë prej tyre nuk u mbetet gjë tjetër veç të dalin në mërgim. Në disa vende pastaj si Bosnja dhe Kosova kemi edhe një ndarje mbi baza etnike, që ëshë krijuar për shkak të armiqësive nga luftrat. Pra është shumë e rëndësishme që brezi i ri të takohet, qoftë edhe thjesht për t'u njohur.
Në Konferencë marrin pjesë për herë të parë edhe Ministrat e Brendshëm. Më parë qaekulluan fjalë për ngritje kampe refugjatësh ose qendra largimi, si për shembull në Shqipëri. Këto më vonë u përgënjeshtruan. Sa ekziston mundësia që këto qendra të hapen me të vërtetë?

Nuk është shumë e qartë: Thonë që ideja të ketë lindur nga mendja e kancelarit Kurz. Unë nuk besoj se do të ketë qendra të tilla, por në qoftë se do të ketë, atëherë ato do të funksionojnë vetëm si kampe të mbyllura. Dhe kjo është në kundërshtim me çdo lloj ligji modern për azilin. Veç kësaj është një gjendje jo e mirë për procesin e zgjerimit: Ne negociojmë fjala vjen me Serbinë për kapitujt e anëtarsëimit 23/24 duke kërkuar forcimin e shtetit juridik dhe ligjet europiane për azilin, dhe nga ana tjetër i detyrojmë këto vende që ta shkelin të drejtën e BE-së duke ngritur institucione zbimi (push-backs) në kufi duke kopjuar kështu plolitikën që ka bërë Hungaria dhe Kroacia në kufijtë e tyre. Kjo flet edhe për situatën tragjike, në të cilën ndodhet BE-ja që prej tre vjetësh.

Procesi i Berlinit synon të theksojë perspektivën e zgjerimit, por sinjali nga takim i ministrave të jashtëm në fund të qershorit, sikur nuk ishte shumë i qartë. Vendimi për hapjen e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë aty u shty për një vit më pas.

Mosmarrja e një vendimi për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë ka të bëjë me faktin që Franca, ndryshe nga Gjermania, në këtë moment nuk donte ta çonte përpara zgjerimin. Parisi arriti të realizonte këtë datë fiktive, në fund të qershorit 2019, kundrejt Berlinit dhe kryeqyteteve të tjera që çeljen e negociatave donin ta kushtëzonin me reformat. Ky është me të vërtetë një zhvillim jo fort i mirë, sepse dëmton besueshmërinë e BE-së te kandidatët e mundshëm. Nga ana tjetër, ky vendim e lë të hapur, se a do të merret vendimi pozitiv pas zgjedhjeve të Europës apo se përsëri do të ketë argumente që kanë të bëjnë me gjendjen brenda Europës e që do të dalin kundër zgjerimit.

A do të marrin së paku shtetasit e Kosovës liberalizimin e vizave, që po e ëndërrojnë tash e sa vjet?

Në këtë pikë vërtet që kushti i demarkacionit me Malin e Zi u zgjidh. Tani ka mbetur vetëm lufta kundër krimit të organizuar. Mua ky kusht, sikurse edhe lufta kundër korrupsionit, më duket problematik, sepse liberalizimi i regjimit të vizave është tepër i dobët për të funksionuar si levë për luftën kundër krimit. Ky nuk ka funksionuar në asnjë vend tjetër të Ballkanit Perëndimor. Prandaj edhe Komisioni këtë kusht e ka trajtuar vetëm formalisht tek vendet mëparshme. Për shkak të debatit aktual brenda BE-së, edhe vendimi për liberalizimin e vizave, që është kaq i rëndësishëm për Kosovën dhe kredibilitetin e BE-së në Kosovë, për fat të keq do të shtyhet – por që ka për të ardhur, kjo është e sigurt.

Në një gjendje pritjeje duket se është edhe dialogu  Kosovë-Serbi.

Dialogu në fakt nuk ka filluar thuajse fare. Problemi ishte se kur në verën e vitit të kaluar u bë shpallja e negociatave për një marrëveshje përfundimtare dhe të përgjithshme as BE-ja dhe as SHBA-ja nuk ishin të përgatitura. Dhe sidomos aktori qendror i dialogut, Gjermania, ishte thuajse për një vit të tërë, për shkak të zgjedhjeve dhe më pas të negociatave të tejzgjatura për krijimin e koalicionit, thuajse jo prezente. Më 24 qershor vërtet që patëm një si raund të parë negociatash përmbajtësore. Por BE-ja ende nuk është gati, prandaj edhe negociatat e mirëfillta do të nisin nga vjeshta.

Cili është roli i Gjermanisë në to?

Gjermania mbetet aktori kyç. Por këtu kemi një problem strukturor. Zonja Mogherini dhe stafi i saj, vetëm katër vetë, nuk i kanë kapacitetet e nevojshme për të negociuar një marrëveshje kaq të zgjeruar. Sepse aty nuk do të trajtohet vetëm çështja e statusit, por do të trajtohen shumë çështje të tjera dypalëshe, si pronat, personat e humbur, mbrojtja e pakicave, etj. Tani më në fund aktorët qendrorë perëndimorë po fillojnë të dakordohen për kuadrin brenda të cilit do të zhvillohen negociatat.