1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i Unionit Afrikan - Në qendër të bisedimeve Zimbabvea

Esther Saoub30 Qershor 2008

Në Sharm el Sheikun egjiptian sot mblidhen kryetarët e shteteve dhe qeverive nga 53 shtete afrikane në një samit dy ditor. Në qendër të bisedimeve pritet të jetë kriza në Zimbabve.

https://p.dw.com/p/ETE9
Presidenti i Zimbabvesë, Robert Mugabe në Sharm el Sheik
Presidenti i Zimbabvesë, Robert Mugabe në Sharm el SheikFotografi: AP

Dy ditë nuk mjaftojnë aspak për të diskutuar rreth të gjitha krizave që trondisin aktualisht kontinentin afrikan: nga Algjeria në Somali, nga Bregu i Fildishtë në Sudan, në të katër anët ka luftëra civile, përpjekje për puç dhe diktatura.


E megjithëse situata rrallë ka qenë ndryshe, mbi këtë takim rëndon një trysni e fortë ndërkombëtare: përballë situatës politike në Zimbabve shtetet e G-8-s ashtu si dhe Kombet e Bashkuara apo organizata të ndryshme për të drejtat e njeriut i bëjnë thirrje shteteve afrikane të veprojnë. Vetë në Afrikë pritjet janë të vakëta.


Moeletsi Mbeki, zëvendësdrejtor i Insitutit Jugafrikan për Marrëdhënie Ndërkombëtare, sqaron përse:


"Qeveritë afrikane janë shumë të përmbajtura kur është fjala për të kritikuar një qeveri tjetër, pasi shumica prej tyre bëjnë vetë gabime. Veçanërisht kundrejt Mugabes ata janë tejet të kujdesshëm pasi druhen se ai në këmbim do t'u nxjerrë në shesh gabimet e tyre dhe do t'i bënte publike. Ky kujdes nuk është një problem i ri, atë e njohim që prej vitit 2000."


Moeletsi Mbeki e di për çfarë flet: vëllai i tij është presidenti i Afrikës Tabo Mbeki, një nga negociatorët kryesorë në Zimbabve, i cili deri tani ka shmangur çdo fjalë të qartë dhe ka preferuar një të ashtuquajtur "diplomaci të heshtur". Por ditët e fundit toni u bë më i ashpër: Burundi, Kenia, Ruanda, Uganda dhe Tanzania kanë deklaruar se zgjedhja me një kandidat e Robert Mugabes "nuk është zgjidhje".


Kryeministri i Kenias Odinga kërkoi dërgimin e helmetave të kaltra afrikane dhe tha: "Ajo çfarë nodh në Zimbabve përpara syve të bashkësisë ndërkombëtare është një turp për Afrikën". Për kontinentin ka ardhur koha të mbajë qëndrim të qartë dhe unik ndaj diktaturave. Një ish oficer i arratisur nga Zimbabve kërkoi gjithashtu ndërhyrje nga jashtë:


"Njerëzit në Zimbabve nuk mund të sjellin ndryshim politik, ata druhen se nuk do të mbijetojnë deri mëngjesin tjetër. Vetëm forcat nga jashtë mund të sjellin ndryshimin."


Në Sharm el Sheik zëvendëskryetari i partisë opozitare zimbabviane MDC i bëri një apel liderëve afrikanë: "Zimbabve është përfshirë nga flakët dhe është detyrë e Unionit Afrikan t'a shpëtojë vendin përpara se të bëhet shkrumb e hi."


Por Robert Mugabe nuk do të lërë t'i thonë se ç'duhet të bëjë, këtë ai e ka njoftuar përpara samitit.


Shumë sinjale lënë të kuptohet se zgjidhja do të jetë një kompromis. Ministrat e jashtëm të Unionit Afrikan në takimin e tyre përgatitor gjatë ditëve të fundit folën për një dialog. Sekretari për unitetin afrikan njoftoi se në ditën e parë të samitit do të diskutohet mbi një qeveri të unitetit kombëtar në të cilën të marrin pjesë partia në pushtet dhe opozita.


Një opsion të tillë e konsideron të mundshëm edhe lideri i opozitës dhe fituesi i vërtetë i zgjedhjeve në Zimbabve Morgan Çangirai. Për një gazetë britanike ai është shprehur se një qeveri e tillë tranzicioni me Mugaben është e mundur.


Tema e vërtetë e samitit, uji dhe sistemi kanalizimit duket se do të mbeten në plan të dytë. Por pikërisht kjo temë ka një rëndësi të madhe përballë çmimeve në rritje të produkteve ushqimore. Shumë kriza me të cilat përballet aktualisht kontinenti afrikan lidhen direkt me mungesën kërcënuese të ujit të pastër.