1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sanksionet prekin ekonominë iraniane

Sharam Ahadi/Bahri Cani1 Dhjetor 2011

Bashkimi Evropian planifikon që për shkak të tendosjeve të fundit rreth programit atomik të shtojë sanksionet kundër Iranit. Nga pasojat e sanksioneve edhe tani po vuajnë shumë sektorë të ekonomisë iraniane.

https://p.dw.com/p/13K6M
Industria e Iranit në gjunjë?
Industria e Iranit në gjunjë?Fotografi: Dolat.ir

Në shikim të parë, duket se këtu kemi të bëjmë me akuza dhe kundërakuza. Përderisa shtetet perëndimore angazhohen për ashpërsimin e sanksioneve kundër Iranit, Teherani në mënyrë demonstrative pohon se sanksionet nuk e prekin shumë. Por shumë lëmi të ekonomisë iraniane janë duke vuajtur, në mënyrë direkte apo indirekte, për shkak të sanksioneve. Në veçanti janë prekur sektorët më të rëndësishëm të eksportit iranian, si industria e naftës, gazit dhe industria kimike. Autoritetet e kongresit amerikan bëjnë të ditur se në maj të këtij viti në këta sektorë kanë punuar vetëm 16 firma të huaja. Ndërkohë që deri në vitin 2010 ishin 43 sipërmarrje të huaja që në Iran bashkëpunonin me sipërmarrjet vendore. Tërheqja në masë e investorëve të huaj ka vështirësuar punën në nxjerrjen e naftës dhe përpunimit të saj dhe ka zvogëluar aftësinë konkurruese të Iranit në tregun ndërkombëtar. Tani gjithjë e më shumë evropianë, ndër ta edhe Franca dhe Gjermania, kërkojnë që të mos blehet naftë nga Irani.

Ndalimi i prodhimit dhe largimet nga puna

Por jo vetëm industria e madhe po i ndjen pasojat e sanksioneve. Gjithnjë e më shumë sipërmarrje të mesme ankohen për kushte të rënda pune, si në prodhimin e artikujve për nevojat civile ashtu edhe ushtarake.

Sanksionet kunër Iranit
Sanksionet kunër IranitFotografi: IRNA/DW

Për shembull, sipërmarrja e mesme iraniane "Hatef", e cila importon prodhime kimike dhe instrumete për laboratorë. "Firmat nga Kanadaja, SHBA dhe Britania e Madhe nuk përgjigjen fare në ofertat tona", thotë një përfaqësues i sipërmarrjes. Gjithnjë e më shumë sipërmarrje detyrohen që lëndën e parë dhe mallrat t'i sigurojnë përmes rrugëve të ndryshme alternative - me çmime shumë më të larta, ku duhen paguar edhe ndërmjetësit.

Ndërkohë që edhe bankat po izolohen gjithnjë e më shumë, për shkak të sanksioneve. Ato mund të financojnë gjithnjë e më pak afarizmin që ka të bëjë me eksportet apo importet. Shumë sipërmarrjeve nuk u mbetet ndonjë rrugë tjetër, veçse që mallrat t'i paguajnë me para në dorë, që nënkupton se duhet të kenë shumë para në dispozicion. Një zëdhënës i sipërmarrjes "Hatef" thotë se në këto kushte më së shumti vuajnë prodhuesit, të cilët janë detyruar që të ulin prodhimet në mënyrë dramatike. Si pasojë, mijëra punëtorë janë larguar nga puna.

Devizat

Për shkak të mungesës së besimit tek monedha vendore, shumë njerëz në Iran tregtojnë me dollarë, ar apo me gjësende me vlerë. Ata kanë frikë se përkeqësimi i krizës mund të dëmtojë edhe më shumë valutën vendore. Prandaj edhe kërkesa është shumë më e madhe se sa oferta, që ndikon edhe në rritjen rekorde të çmimit të dollarit dhe euros.

Monedha
MonedhaFotografi: ISNA/DW

Një prej rrugëve për të siguruar dollarë është marrja e vizave të huaja. Ai që ka vizë ka të drejtë të blejë deviza me kurs më të volitshëm. Kjo ka bërë që numri i atyre që kanë viza është shumë më i lartë se sa i atyre që me të vërtetë duan të udhëtojnë diku jashtë vendit. Disa prej atyre që kanë marrë vizë blejnë deviza dhe i shesin me çmime më të larta, ndërsa në vendin për ku e kanë marrë vizën nuk udhëtojnë kurrë.

Pasojat e paqarta

Shumë ekspertë pyesin nëse sanksionet me të vërtetë do të arrijnë efektin e duhur në Iran. Zëvendësshefi i Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë në Iran Pedram Soltani, deklaroi së fundmi se situata me sanksionet do të jetë kritike vetëm në qoftë se atyre u bashkangjiten edhe partnerët më të rëndësishëm tregtar, si Kina, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe India.