1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sarkozi në Dublin - BE nuk do të ushtrojë presion ndaj Irlandës

Barbara Wesel22 Korrik 2008

Presidenti i radhës i Këshillit të Evropës dhe presidenti francez, Nikola Sarkozi ka zhvilluar në Irlandë bisedime për procedimin e mëtejshëm pas JO-së së popullit irlandez ndaj marrëveshjes për reformimin e BE-së.

https://p.dw.com/p/EhhD
Nicolas Sarkozy zhvillon bisedime në Irlandë. Djathtas kryeministri irlandez, Brian Cowen
Nicolas Sarkozy zhvillon bisedime në Irlandë. Djathtas kryeministri irlandez, Brian CowenFotografi: AP

Presidenti francez theksoi se BE nuk do të bëjë presion ndaj Irlandës. Por Sarkozi nuk e ka në dorë "formulën magjike" për të nxjerrë reformën nga bllokada. Në Irlandë ai u prit me protesta.

Disa demonstrues kishin planifikuar t'i hidhnin vezë presidentit francez, por nuk morën mirë shënjestër. Ndërsa demonstruesit para selisë qeveritare u lodhën shpejt. Me sa duket zemërimi i popullit nuk ishte aq i madh.

Nikola Sarkozi (Nicolas Sarkozy) në fund u tregua tepër i i qetë. Kjo pas reagimeve të zemëruara gjoja pas kërkesës së tij për të zhvilluar një referendum të dytë në Irlandë. Nuk ka arsye për zemërim tha ai:

"Nuk kam thënë kurrë, që Irlanda duhet të organizojë në referendum të dytë. Kam thënë se herët a vonë irlandezët duhet ta thonë opinionin e tyre."

Këtu ka një ndryshim sipas Sarkozisë dhe ai theksoi edhe njëherë se si kryetar i radhës i presidencës së BE-së, ai e ka për detyrë të kërkojë rrugët e daljes nga kriza.

"Nuk kemi zgjidhje magjike në dorë dhe nuk na lejohet të përzihemi. Ne dëshirojmë që të respektohet vulneti i popullit irlandez."

Nga ana tjetër së bashku me Italinë e kanë ratifikuar ndërkohë 24 shtete marrëveshjen e Lisbonës, edhe vullneti i këtyre shteteve do respektuar. Formula magjike në këtë mes është: Irlandezët kanë nevoje për më shumë kohë për të analizuar problemet e tyre" thotë Sarkozi ndërsa kryeministri irlandez, Kouen (Cowen) thotë se "ne kemi nevojë për kohë për të kuptuar se cilat janë shqetësimet e qytetarëve tanë"

"Mendojmë se një gjë e tillë është thelbësore për të zgjidhur problemet aktuale, kështu që të 27 vendet të jenë të kënaqur."

Tanimë qeveria irlandeze e di se cila ishte arsyeja që populli irlandez tha JO. Një fermer e formuloi thjesht:

"Mendoj se njerëzit nuk ishin të informuar. Pati gjithashtu mjaft tema të tjera që shkaktuan kaos."

Ka zëra në Irlandë që thonë se një referendum i dytë është i mundur, por me kusht që "vendet e tjera të BE-së t'i lenë Irlandës kohë dhe të mos ushtrojnë presion, së dyti të bëhen disa ndryshime në marrëveshjen e Lisbonës, ku secili vend i BE-së të mbajë komisarin e vet në Bruskel. Vetëm pas kësaj mund të bëhet fjalë për një referendum të dytë. Por më shumë për këtë do të dihet në samitin e BE-së në tetor.