1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Scheffer: Integrim euro-atlantik për Ballkanin Perëndimor

25 Korrik 2009

Në fjalimin e tij në Londër, Scheffer tha se një marrëdhënie e ngushtë mes NATO-s dhe BE-së është esenciale.

https://p.dw.com/p/IxKi
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop, mandati i të cilit përfundon në fillim të gushtitFotografi: picture-alliance/ dpa

Në fjalimin e tij të fundit para se të largohet nga posti, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer foli mbi sfidat dhe strategjinë e aleancës, si dhe nevojën e një partneriteti strategjik mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian.


Por cilat janë shancet e integrimit të plotë të Ballkanit në këto institucione? Më saktësisht, cila është përvoja e integrimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO si dhe perspektiva që vendet tjera ballanike, si Mali Zi, Maqedonia apo Kosova, të ndjekin këtë rrugë?


“Unë bëra një vizitë lamutmirëse në rajon javën e shkuar, dhe mendoj se rruga për siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor, që është pjesë vitale e Evropës, është integrimi euro-atlantik”. Jaap De Hoop Scheffer shton se dëshiron të shohë një gjë të tillë, Ballkanin Perëndimor të integruar në strukturat euro-atlantike, pra në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Por këtu fjala është për një proces të bazuar në rezultate. Vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas tij, janë në faza të ndryshme të trokitjes në dyert e NATO-s.


Disa kanë bërë të qartë se NATO-ja është prioritet i tyre, të tjerët ndoshta dëshirojnë të ndjekin rrugën përmes Bashkimit Evropian. “Ky është vendim i tyre”, thotë De Hoop Scheffer. Parimi ekziston, dhe vendet si Bosnje Hercegovina apo Mali Zi kanë ambicje të integrohen në NATO dhe kjo e drejtë atyre nuk duhet tu mohohet. Ashtu siç nuk iu mohua Shqipërisë dhe Kroacisë, nuk duhet t'i mohohet asnjë vendi në Ballkanin Perëndimor. “Do të nevojitet kohë, është një rrugë e gjatë, por kjo ambicje duhet të respektohet dhe ne po e respektojmë këtë ambicje”, thotë De Hoop Scheffer.


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s më tutje u shpreh për nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian. “Nëse duhet të përmend një element dëshpërimi me të cilin lë detyrën time, e të tilla elemente nuk kam shumë, kjo do të ishte mungesa e partneritetit serioz strategjik mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian”. Sipas Scheffer-it, një marrëdhënie e ngushtë e këtyre dy institucioneve është esenciale. “Bashkimi Evropian dhe NATO-ja kanë 21 vende anëtare të përbashkëta”. Sipas tij, është dëshpëruese që këto marrëdhënie nuk janë intensifikuar dhe nuk po intensifikohen aq sa dëshirohet nga shumëkush. Arsyet janë të shumta dhe shumë komplekse. Scheffer thotë se ai mbështet një BE të fuqishme, iniciativën evropiane për siguri dhe mbrojtje, BE-në që do të jetë në gjendje të marë përgjegjësinë e vet dhe të punojë më tej drejt mbrojtjes dhe sigurisë së vet. Sheffer shtoi se ai veten e sheh si atlantist dhe evropian dhe se beson se këto shkojnë jashtzakonisht mirë së bashku.

Autore: Kimete Bytyçi

Redaktoi: Elert Ajazaj