1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Schulz bën thirrje për ndryshimin e politikës së imigracionit

as/wl (dpa, afp) / Esat Ahmeti14 Tetor 2013

Presidenti i Parlamentit Evropian, Schulz, kërkoi nga qeveria gjermane dhe shtetet anëtare të BE-së që të pranojnë më shumë refugjatë. Problemi i refugjatëve është një detyrë evropiane.

https://p.dw.com/p/19z2l
Fotografi: picture alliance/ROPI

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz (SPD) ka bërë thirrje për një ndryshim të kursit në politikën e imigracionit evropian. "Evropa duhet ta pranojë më në fund se është një kontinent emigracioni dhe për këtë arsye ne kemi nevojë për një reformë urgjente të ligjeve tona të imigracionit", tha Schulz në emisonin e kanalit të parë televiziv gjerman ARD "Raport nga Berlini" dhe për revistën "Spiegel Online". Evropa ka nevojë për "një sistem legal të imigracionit", siç i kanë pasur të gjitha rajonet e mëdha të emigracionit të botës, si SHBA-të, Australia apo Kanadaja.

Pamje nga Lampedusa
Pamje nga LampedusaFotografi: AFP/Getty Images

Schulz bëri thirrje për vendosjen e një çelësi të shpërndarjes, i cili do të rregullonte pranimin e emigrantëve në shtetet anëtare të BE-së. "Nëse në një ishull si Lampedusa i cili ka vetëm 6.000 banorë vendosen 10.000 refugjatë atëherë kjo është katastrofë për këtë ishull. Por nëse këta 10.000 njerëz shpërndahen në 28 shtetet anëtare me 507 milionë banorë atëherë kjo është e mundur", tha Schulz. "As Italia e as Malta, nuk mund të lihen vetëm, kjo duhet të jetë një detyrë evropiane".

Më 3 Tetor, 360 afrikanë humbën jetë në një fatkeqësi të refugjatëve në brigjet e Lampedusës. Vetëm 155 nga rreth 550 refugjatët sa mendohet të kenë qenë në varkë arritën t'i shpëtojnë dallgëve të detit. Qëkur ka ndodhur aksidenti, në BE është diskutuar shumë për politikën evropiane ndaj refugjatëve.Të premten në mbrëmje në jug të Maltës dhe të ishullit Lampedusa është përmbysur edhe një varkë në të cilën ndodheshin kryesisht refugjatë nga Siria. Deri mbrëmjen e së dielës u nxorrën nga deti 36 viktima, anijet italiane dhe malteze arritën të shpëtojnë më shumë se 200 pasagjerë.

Schulz apelon për moral

Schulz kritikoi ministrin e Brendshëm gjerman, Hans-Peter Friedrich (CSU), i cili u fokusua në debatin e refugjatëve në "polemika boshe dhe lojra më numra." Friedrich ka theksuar vazhdimisht, pavarësisht nga tragjeditë e fundit të refugjatëve, se ai nuk sheh arsye për një ndryshim në politikën e imigracionit në Evropë. Politikani i Unionit Kristian Socal (CSU) duke iu referuar statistikave mbi numrin e azilkërkuesve në Gjermani ka hedhur poshtë kërkesat që Gjermania duhet të angazhohet më intensivisht në politikën e refugjatëve.

Në foto: Ministri i Brendshëm gjerman, Hans-Peter Friedrich
Në foto: Ministri i Brendshëm gjerman, Hans-Peter FriedrichFotografi: Reuters

Këtë të hënë Italia fillon një mision ushtarak humanitar me anije dhe aeroplanë për të siguruar aq sa të jetë e mundur pjesën e Mesdheut. Kryeministri i Italisë, Enrico Letta tha se kjo është një masë kalimtare në pritje të një angazhmi më të madh të Bashkimit Evropian. Vendet e BE-së duan të mbështesin Italinë me roje kufitare në aksionet për shpëtimin e refugjatëve nga mbytjet në det.