1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Seanca konstitutive e parlamentit të Kosovës më 17 korrik

Bekim Shehu7 Korrik 2014

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, të hënën (07.06) vendosi që seanca konstitutive e parlamentit të ri të Kosovës të mbahet më datën 17 korrik.

https://p.dw.com/p/1CXPg
Kosovo Parlament
Fotografi: DW/B. Shehu

Njoftimin presidentja e bëri nëpërmjet një komunikate për media, ku thuhet se "bazuar në nenin 84 pika 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për çertifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në vend, presidentja ka marrë vendim që seanca e parë konstituive e Kuvendit të Kosovës të thirret më 17 Korrik 2014".

Presidentja Jahjaga vlerëson se procesi i zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në vend ka përfunduar me çertifikimin zyrtar të rezultatit, që i ka hapur rrugën edhe konstituimit të Kuvendit të ri të Kosovës. Të gjitha veprimet e Presidentes së Republikës së Kosovës do të jenë të mbështetura në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në ligjet në fuqi dhe pas konstituimit të kuvendit, Presidentja do ta dërgojë në kuvend edhe propozimin për mandatarin e ri për kryeministër", thuhet në njoftimin për media të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në ditën kur presidentja caktoi datën e seancës konstitutive të parlamentit të ri, në Kosovë po qëndron drejtori politik në Ministrinë e Jashtme të Republikës së Austrisë, Jan Kickert, i cili gjatë ditës së hënë takoi ndaras pothuaj të gjithë udhëheqësit kryesorë politik. Pas një takimi që zhvilloi me presidenten Jahjaga, diplomati Kickert tha se "rruga e integrimeve evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor është e hapur dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë".