1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Senati i SHBA kërkon raportim të rregullt mbi ecurinë e luftës në Irak

Daniel Scheschkewitz16 Nëntor 2005

Senati amerikan i ka vendosur Presidentit Bush kontrolle të reja në politikën ndaj Irakut. Miratimi i buxhetit për mbrojtjen prej 450 miliardë dollarësh u kushtëzua me informimin çdo tremujor të Kongresit për përparimet e shënuara në Irak.

https://p.dw.com/p/ArNL
Fotografi: AP

Paralajmërimi u dëgjua qartë. Me 70 vota për dhe 19 kundër votuan seatorët amerikanë për plotësimin në buxhetit ushtarak, i cili e detyron Shtëpinë e Bardhë ta informojë më gjerësisht e në bazë më të rregullt parlamentin mbi zhvillimet në Irak.

Tani qeveria e presidentit George Bush duhet të japë informacion çdo tre muaj, për shembull mbi numrin e trupave irakiane të gatshme për veprim. Nisma e senatit ka si synim që ta kthejë vitin 2006 në "një vit të rëndësishëm për rivendosjen e sovranitetit të plotë irakian."

John Warner, kryetari republikan i komisionit të mbrojtjes të senatit:"Kur miratohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve atëherë ky është një sinjal mjaft i fuqishëm i gjithë Kongresit amerikan; por edhe vetëm Senati i dërgon popullit irakian mesazhin se e kemi kryer pjesën tonë të punës, se nuk i lëmë në baltë; ne presim të paktën po aq shumë mbështetje prej tij sa kemi pasur deri më sot."

Kombi amerikan nuk e mbështet pa kufi angazhimin në Irak

Deputetë të tjerë folën për një sinjal në drejtim të presidentit Bush, se kombi nuk është më i gatshëm ta mbështesë për një kohë të pakufizuar angazhimin në Irak. Kryetari i fraksionit demokrat në senain e SHBA, Harry Reid:

"Ajo që patë sot ishte një votë mosbesimi për politikën e qeverisë Bush ndaj Irakut. Republikanë e demokratë janë të një mendjeje se gjërat nuk mund të vazhdojnë si deri tani në Irak."

Votimi me karakter simbolik

Edhe nëse vendimi i Senatit nuk ka pasoja praktike, pasi që tani senatorët dhe deputetët në kongres informohen rregullisht prej anëtarëve të qeverisë mbi ecurinë e luftës në Irak, rezultati i votimit ka vlerë të madhe simbolike. Për të parën herë republikanë dhe demokratë kërkuan llogari nga qeveria Bush, për zhvillimin e mëtejshëm në Irak dhe vunë nën trysni Shtëpinë e Bardhë.

Atje sundon prej ditësh shqetësimi edhe vetëm për sondazhet e opinionit publik. Sipas një sondazhi të stacionit televiziv ABC dhe të gazetaës Washington Post, ndërkohë politika e qeverisë ndaj Irakut refuzohet nga 64 për qind e amerikanëve, 60 për qind janë të mendimit se nuk ia vlen të vazhdohet lufta në Irak. Megjithatë propozimi i Partisë Demokratike për vendosjen e një afati për tërheqjen me etapa të trupave u hodh poshtë.

Aktualisht presidenti Bush, gjendet në një turne në Lindjen e Largët. Ai tregoi mirëkuptim për nevojën për informim të senatorëve dhe ishte i kënaqur që të paktën nuk iu vendos një afat.