1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbët e Kosovës deklarohen kundër pavarësisë

Bekim Shehu23 Nëntor 2005

Ndërmjetësuesi ndërkombëtar në bisedimet për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari takoi sot në Prishtinë përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës

https://p.dw.com/p/AqsV
Prishtina
PrishtinaFotografi: DW

Përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës u deklaruan kundër pavarësisë së Kosovës. Këtë qëndrim ata ja shprehën ndërmjetësuesit ndërkombëtar në bisedimet për statusin, Marti Ahtisarti. Kryenegociatori ndërkombëtar, takoi sot përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës, nga të cilët dëgjoi një qëndrim sa ai përket pikëpamjes së tyre për të ardhmen e Kosovës, ndërkohë, dy qëndrime, se ku duhet të radhiten serbët e Kosovës në bisedimet për statusin.

Udhëheqësi i Listës Serbe, për Kosovë e Metohi, Oliver Ivanoviç, tha, se akoma janë duke biseduar, se ku do të radhiten pëfaqësuesit e serbëve të Kosovës, mirëpo, për të më e rëndësishme është që serbët e Kosovës të mendojnë njëjtë sa i përket çështjes së statusit të Kosovës. Ndërsa, udhëheqësi i Këshillit Kombëtar serb, Milan Ivanoviç, nga pjesa veriore e Mitrovicës, tha serbët e Kosovës i përfaqson Beogradi në bisedime, ndërsa, misionin e deritashëm të UNMIK-ut, ai e quajti të pasukseshëm.

Ne i theksuam zotit Ahtisari se në Kosovë prej gjashtë vjetësh kemi pasur një mision jo të suksesshëm të UNMIK-ut. Pra kjo do të thotë dhe është mendim i palës serbe se çështja e Kosovës fillon të zgjidhet tash vetëm pas, vlerësimeve në raportin e ambasadorit Kai Eide, tha Milan Ivanoviç. Ai tha se, raporti i zotit Aide, nëse jo plotësisht, pjesërisht ka qenë real në vlerësimet e tij, ndërsa, zoti Ahtisari, thotë Milan Ivanoviç, nuk ka autoritet që të vendosë për statusin, por vetëm në formë të shkruar do t'i dorëzojë vlerësimet e tij, në KS të OKB-së. Ndërmjetësi ndërkombëtar, Marti Ahtisari së bashku me zëvëndësin e tij, Albert Rohan, ndërkaq, mbrëmë biseduan edhe me përfaqësuesit e kishës serbe në Kosovë. Peshkopi, Teodosije, në manastirin e Deçanit, njoftohet se ka kërkuar mbrojtje të veçantë për kishat dhe manastiret serbe në Kosovë.

Natyrisht kemi biseduar edhe për mbrojtjen e kishave ortodokse. Pas bisedimeve me peshkopin, besoj se të gjitha modelet e ndryshme do të diskutohen, por ne gjithashtu i kemi thënë që statusi ligjor është një çështje tjetër dhe praktika është diçka tjetër, sa i përket kishave dhe monumenteve fetare, thotë Albert Rohan, pas takimit në manastirin e Deçanit. Sidoqoftë, ndërmjetësi ndërkombetar, Marti Ahtisari së bashku me ekipin e tij, përfundoi të gjitha takimet e parapara në vizitën e parë në Kosovë. Dëgjoi pikëpamjet e të gjitha palëve sa i përket çështjes së statusit të Kosovës, ndërsa, përshtypjet e tij ai do t'i shpalosë në një takim me gazetarët në orët e mbrëmjes. Nga Prishtina, Ahtisari, do të udhëtojë për në Beograd, më pas Podgoricë, Tiranë dhe Shkup.