1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbët e Kosovës: Neve na duhet Serbia

Bekim Shehu9 Shkurt 2007

Serbët e Kosovës zhvilluan një protestë në pjesën veriore të Mitrovicës, kundër planit të ndërmjetësit ndërkombëtar, Marti Ahtisari. Organizatorët e protestës u shprehën se serbëve të Kosovës u duhet Serbia dhe Kosova nën Serbi

https://p.dw.com/p/ArYl
Nënë serbe në Kosovë
Nënë serbe në KosovëFotografi: dpa

Disa qindra pjesëtarë të komunitetit serb, protestuan në pjesën veriore të Mitrovicës, duke kundërshtuar kështu planin e ndërmjetësit, Marti Ahtisari për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Organizatorët e protestës, thanë se, plani i Ahtisari i garanton Kosovës pavarësinë gjë që për serbët e Kosovës është e papranueshme.

Marko Jakshiq, anëtar i delegacionit të Serbisë në bisedimet për zgjidhjen e statusit të Kosovës, tha para masës protestuese, se plani i zotit Ahtisari, u merr të gjitha të drejtat serbëve kurse shqiptarëve ua ofron ato.

"Serbëve të Kosovës i janë ofruar 5 komuna, por edhe sikur të na i ofrojnë 75 komuna nuk na duhen në një shtet monstër dhe kriminal. Neve na duhet Serbia dhe ajo është këtu", tha Marko Jakshiq. Protesta e serbëve në pjesën veriore të Mitrovicës, u zhvillua në mënyrë paqësore dhe sipas policisë nuk është shënuar asnjë incident. Protestuesit marshuan rrugëve të Mitrovicës së veriut por, marshimi ishte mjaft paqësor, thotë zëdhënësi i policisë ndërkombëtare, Lary Miller.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, ndërkaq, thonë se qytetarët kanë të drejtë të shprehin pakënaqësitë e tyre, mirëpo, ata rikujtojnë qytetarët se cdo destabilizim i vendit në këtë fazë të zgjidhjes së statusit do të jetë kundërproduktiv për të gjith.

Kundër planit të ndërmjetësit ndërkombëtar, Marti Ahtisari, të shtunën do të protestohet edhe në Prishtinë. Organizatorët e protestës nga levizja vetëvndosje, thonë se, pakoja e Ahtisaarit nuk e përmban dhe nuk e përmend askund vullnetin e popullit të Kosovës për pavarësi, ndërsa propozimi për shpërbërjen e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës e bën atë një pako siç e quajnë ata skandaloze dhe të papranueshme për shqiptarët.