1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave

Lindita Arapi3 Shkurt 2012

Intervistë për zhvillimet në Kosovë me drejtoren e sektorit për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Sabine Freizer pas publikimit të enjten (02.02) të raportit të GNK-së.

https://p.dw.com/p/13wMT
Sabine Freizer
Sabine FreizerFotografi: International Crisis Group

DW: Në ç'masë është në gjendje shtysa për Serbinë për të arritur statusin e vendit kandidat për në BE ta zvogëlojë apo ta largojë potencialin për konflikt me Kosovën?

Freizer: Mendoj se mundësia e Serbisë për të marrë statusin e vendit kandidat [për anëtarësim në Bashkimin Evropian] është ende një shtysë shumë e fortë për qeverinë aktuale në Serbi që të bëjë kompromise dhe të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Nëse e hedhim vështrimin në atë çka ka ndodhur në gjashtë muajt e shkuar që prej ngjarjeve të verës, kemi vënë re se ka pasur një ndryshim dramatik të gjuhës së përdorur nga Beogradi për sa i takon veriut të Kosovës. Kemi parë se si ata [qeveria e Beogradit] kanë marrë pjesë në dialogun me Kosovën për të bërë hapa përpara atje dhe për të lidhur marrëveshje, gjë që në të kaluarën do të na kishte surprizuar sikur të ndodhte. Prandaj mendoj se kandidatura për në BE është ende një shtysë mjaft e madhe për qeverinë aktuale për të ndërmarrë hapa për normalizimin me Kosovën.

DW: A janë serbët e veriut një ndryshore më vete në këtë ekuacion të Kosovës?

Freizer: Po, sigurisht. Problemi është pozicioni i serbëve që jetojnë në veri. Ekziston prirja e përshtypjes në Kosovë dhe në bashkësinë ndërkombëtare që Beogradi mund në njëfarë mënyre të shtypë butonin dhe serbët që jetojnë në veri do të duhet të bindeshin menjëherë ndaj asaj që u thuhet. Kërkimet që kemi kryer ne të Grupit Ndërkombëtar të Krizave gjatë gjashtë muajve të kaluar kanë gjetur se serbët e Kosovës që jetojnë në veri janë një ndryshore e veçantë dhe që ata bëjnë një mbrojtje energjike kundrejt Beogradit. Veçanërisht disa prej kryetarëve të komunave, të cilët jetojnë aty, refuzojnë ndonjëherë t'u binden instruksioneve që vijnë nga Beogradi. Prandaj njerëzit që banojnë në veri duhen trajtuar ndaras, me ta duhet folur drejtpërdrejt dhe ata duhen përfshirë në diskutimet që po zhvillohen midis Prishtinës dhe Beogradit.

DW: Cila duhet të jetë qasja e qeverisë së Kosovës në këtë mes?

Freizer: Këtu do të thosha (dhe kjo rekomandohet edhe në raportin tonë të publikuar dje (02.02): 'Kosova dhe Serbia: Pak vullnet i mirë i thjeshtëson mjaft gjërat') që Prishtinës i duhet të vendosë një lidhje kuptimplotë me serbët e Kosovës që jetojnë në veri. Natyrisht, kjo është e vështirë, dhe autoritetet në Prishtinë më kanë thënë mua dhe kolegëve të mi se janë përpjekur të flasin direkt me njerëzit në veri, dhe ajo që themi në këtë pikë është: E para, Beogradi duhet t'ua bëjë krejt të qartë njerëzve në veri, që ata duhet të flasin me Prishtinën; dhe e dyta është që Prishtina duhet të zhvillojë një strategji mjaft afatgjatë, graduale për të përfshirë në këtë proces njerëzit në veri. Gjërat nuk do të ndryshojnë brenda natës, madje as brenda një a dy vjetësh. Do të lipsen shumë përpjekje dhe ndërtim besimi, ngritje konfidence, dialog për t'ia dalë që njerëzit në veri së paku t'i besojnë Prishtinës. Nuk do të them se ata do të 'mbarojnë' ndonjëherë që të drejtohen prej Prishtinës, por së paku duhet t'i besojnë asaj dhe të kuptojnë bazat e kushtetutës së Kosovës dhe të planit Ahtisaari dhe të kuptojnë se do të marrin të drejta sinjifikative brendapërbrenda Kosovës.

DW: Si i vlerësoni veprimet e Vetëvendosjes për të bllokuar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë mbështetur në zbatimin e reciprocitetit?

Freizer: Sigurisht, Vetëvendosja është një parti mjaft interesante dhe lipset të ndiqet nga mjaft afër sepse ata përfaqësojnë një pjesë të popullit në Kosovës, e cila është e pakënaqur me gjendjen aktuale brenda vendit. Prandaj nuk mendoj se lëvizjet e Vetëvendosjes mund të lihen tërësisht pa u marrë parasysh. Mirëpo, sigurisht, në këtë kryqëzim, ata nuk janë veçanërisht ndihmës për sa i takon mbështetjes së dialogut Kosovë-Serbi. Pra, do të thosha se ajo [Vetëvendosja] duhet parë në dy mënyra: Njëra mënyrë pranon që Vetëvendosja ka influencë dhe një nivel të mirë përkrahjeje, por nga ana tjetër gjithashtu, disa prej veprimeve të saj shihen me sy kritik, sepse po qe se po kërkojmë stabilizim rajonal dhe normalizim midis Kosovës dhe Serbisë, ndoshta veprimet e Vetëvendosjes në terren nuk janë të dobishme se në këtë moment.

Autor: Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi