1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

310310 Serbien Srebrenica-Massaker

31 Mars 2010

Parlamenti serb ka kërkuar falje për vrasjesn e mijëra muslimanëve boshnjakë në Srebrenicë në vitin 1995. Por fjala "gjenocid" nuk përmendet në rezolutë.

https://p.dw.com/p/MjEy
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Parlamenti serb aprovon deklaratën për masakrën e Srebrenicës. Vetëm 127 nga 250 deputetët votuan në Beograd në orët e para të ditës së sotme pro rezolutës së qeverisë, që dënon në formë të përgjithshme krimin më të rëndë në Evropë pas Luftës II Botërore. me hollësitë nga Beogradi.

Srebrenicë - emri i vendit në malet e Bosnjës. Ai simbolizon mizorinë e luftërave ballkanike dhe ngjathtësinë e ushtarëve të Kombeve të Bashkuara në të ashtuquajturën zonë të mbrojtur, të cilët vetëm mbrojtje që nuk ofruan. Rreth 8.000 djem dhe burra myslimanë ranë viktimë e trupave të serbëve të Bosnjës. Udhëheqësi i tyre i atëhershëm, gjenerali Ratko Mladić, vazhdon të jetë në arrati. 15 vjet kanë kaluar që prej masakrës. Udhëheqësi politik i asaj kohe, Radovan Karadžić , duhet të përgjigjet ndërkohë para tribunalit të Kombeve të Bashkuara për kriminelë lufte në Hagë. Dhe nën presidentin e vet pro-perëndimor, Boris Tadić, Serbia po mban kurs me sukses nga Evropa. Që prej dhjetorit qytetarët e këtij vendi ballkanik mund të hyjnë pa viza në hapësirën Shengen.

Ratko Mladic
Gjenerali serb Ratko MladicFotografi: AP

Deklarata e parlamentit sinjal për përballjen me të kaluarën

Afrimi i mëtejshëm me synim anëtarësimin në BE do të varet para së gjithash prej ekstradimit të Mladićit. Deklarata e miratuar prej parlamentit në Beograd është një sinjal për përballjen me kapitullin e Srebrenicës, për të mos i mbyllur sytë para mizorive. Kjo u arrit me trysninë e ushtruar nga presidenti i shtetit Tadić, i cili nuk ka vendosur vetëm qeverinë nën drejtimin e kryeministrit Mirko Cvetković, por përcakton edhe kursin politik të vendit.

"Ne duam t'i lëmë pas vitet nëntëdhjetë dhe të tregojmë se ndjejmë me vuajtjet e të tjerëve. Prandaj unë nuk e kam iniciuar sot, por shumë më herët miratimin e rezolutës për Srebrenicën, sepse është një akt konsiderate, një akt demokratik. Është akti i një shoqërie, që tregon se nuk është e aftë të mbajë zi për viktimat e veta, por edhe për viktimat e huaja."

Serbien Parlament
Parlamenti serb në BeogradFotografi: AP Photo

'Për një Serbi evropiane' quhet koalicioni qeveritar dhe kryetarja e fraksionit Nada Kolundžija bën fjalë për imazhin dhe respektin, që rifiton Serbia me deklaratën për Srebrenicën. Në të njëjtën kohë ajo kujton viktimat në anën serbe. Shumë njerëz në Serbi e lidhin këtë me emrin Naser Orić, i cili komandonte ushtarët myslimanë në Srebrenicë para futjes së trupave të Mladićit. Fshatra të tëra u dogjën gjatë kësaj kohe në rajon, por tribunali për kriminelë lufte nuk arriti t'ia dëshmonte atij përgjegjësinë për krimet e pakundërshtueshme ndaj civilëve serbë. Një pikë që ju dhemb shumë serbëve, që ndihen deri sot të dënuar në mënyrë të njëanshme prej botës.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka vlerësuar masakrën si gjenocid.

Gjenocid, kjo fjalë nuk gjehet në deklaratën e parlamentit në Beograd. Me gjasa kjo e kënaq profesorin beogradas të drejtësisë Kosta Čavoški. Këshilltari i Karadžićit ka vlerësimin e tij tejet individual të ngjarjeve në Srebrenicë:

"Atje nuk pati gjenocid, pati krime lufte. Mbi 400 myslimanë të zënë rob u ekzekutuan. Të tjerët u vranë me armë zjarri kryesisht gjatë përpjekjes për të arritur Tuzlën 60 km larg. Ata ishin të armatosur dhe në këtë mënyrë objektiva të ligjshme."

Për një shuplakë ndaj të mbijetuarve të masakrës bën fjalë Shoqata për Popujt e rrezikuar. Është hipokrizi të dënosh një krim sipas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pa thënë se ç'përmban vendimi, thotë ajo. Presidenti Tadić nga ana tjetër e quan të panevojshëm diskutimin rreth fjalës gjenocid, pasi shteti shprehet qartë dhe distancohet nga krimet në Srebrenicë. Këtu është thelbi i rezolutës, sipas tij.

Autor: Jërg Brandscheid/Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica