1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

100809 ETA Bomben Mallorca

10 Gusht 2009

Dhjetë ditë pas sulmeve të përgjakshme të organizatës terroriste ETA në Burgos dhe Palmanova, Majorkën e ka tronditur një valë e re shpërthimesh. Të dielën (9.8.) pati tri shpërthime. Kësaj radhe nuk pati të vrarë.

https://p.dw.com/p/J74K
Policë spanjollë para restorantit 'La Rigoleta', ku shpërtheu njëra nga bombat
Policë spanjollë para restorantit 'La Rigoleta', ku shpërtheu njëra nga bombatFotografi: AP

Klientët e restorantit „La Rigoletta“ përjetuan shok, por për fat askush nuk ishte në banjë, thotë një grua. Klientët e tjerë ishin të mllefosur për shkak të sulmeve ndaj objekteve publike, sepse autoritetet kanë lënë të kuptohet se ato janë të sigurta. Në „La Rigoletta“ pesoneli ishte ai, i cili i udhëzoi klientët të largohen nga restoranti, pas shpërthimit të bombës së parë. Një dëshmitare okulare shpjegon:

„Nuk kishte ndonjë panik. Në restorant ishin të punësuarit dhe nuk ka pasur ndonjë të vdekur apo të plagosur. E gjitha kaloi normalisht.“

ETA paralajmëroi pa dhënë detaje për vendosjen e tri bombave

Shpërthimi ishte i vogël dhe u dëgjua sikur dikush të përplaste derën, thotë një klient tjetër. Më vonë të gjithë klientët shpëtuan edhe në një bar tjetër, ku ishte fshehur një lëndë shpërthyese. ETA kishte paralajmëruar diku nga mesdita e ditës së dielës për vendosjen e tri bombave, shpjegon Ramón Sócias i qeverisë lokale.

„Paralajmërimi ishte pa dhënë detaje konkrete ku është fshehur lënda shpërthyese, që ETA normalisht e bën."

'Ngjarjet e fundit dëshmojnë se terroristët janë ende në ishull'

Autoritetet po hetojnë nëse edhe shpërthimi i katërt është kryer nga ETA. Më parë supozohej se ishte pasojë e shpërthimit të gazit, por hetimet po vazhdojnë në të gjitha vendet e shpërthimeve.

„Tërë kohën po punojmë me supozimin se terroristët nuk kanë mundur të largohen nga ishulli për shkak të kontrolleve të aeroporteve dhe porteve. Ngjarjet e fundit dëshmojnë se ata ende janë këtu."

Masat e sigurisë në Majorkë janë ashpërsuar dukshëm

Pas atentatit në Palmanova më 30 korrik, masat e sigurisë në Majorkë janë ashpërsuar dukshëm. Rreth 1600 forca sigurie po kërkojnë atentatorët, të cilët vranë dy policë. Reagimet e turistëve spanjollë ishin kryesisht të qeta.

„Kemi edhe tri ditë pushim dhe do ta vazhdojmë pushimin sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Ne i besojmë policisë."

Edhe në të kaluarën ETA ka ndërmarrë të ashtuquajtura ofensiva verore kundër infrastrukturës turistike, ndër të tjera edhe në Kosta Blanka, Kosta del Sol dhe në Madrid. Qëllimi i tyre nuk ishte vrasja e turistëve, sepse është vendosur sasi e vogël lëndësh shpërthyese dhe është paralajmëruar para shpërthimeve. Megjithatë në të kaluarën ka pasur edhe të plagosur.

Autor: Reinhard Spiegelhauer/ Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi