1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shërbimi Informativ Gjerman, BND, duhet të ketë spinuar gazetarët

30 Janar 2009

Spiunimi i gazetarëve mund të jetë një temë brizante politike, sepse shërbimet sekrete si BND-ja megjithë rregullat e veçanta janë nën kontrollin parlamentar dhe koordinohen nga zyra e kancelarit.

https://p.dw.com/p/GjuW
Qendra e Shërbimit Informativ Gjerman, BND, në Pullach pranë MynihutFotografi: AP

Për gati tre vjet me radhë Komisioni Hetimor Parlamentar po merret me rolin e Gjermanisë në luftën mbarëbotërore kundër terrorizmit. Më së shumti deri tani është debatuar për fatin e të burgosurve të rrëmbyer prej shërbimit sekret amerikan CIA, fluturimet sekrete mbi territorin e Gjermanisë apo agjentët gjermanë në Bagdad, në kohën e luftës së Irakut. Ndërkohë që zyrtarisht Gjermania nuk ka marrë pjesë në këtë luftë. Një kapitull tjetër është spiunimi i gazetarëve, që nuk ka lidhje me luftën kundër terrorit dhe fillimisht nuk është trajtuar prej Komisionit. Kjo ka ndryshuar në vitin 2006, kur u bë e qartë se Shërbimi Informativ Gjerman ka spiunuar gazetarë, të cilët kanë raportuar me tone kritike ndaj BND-së. Lidhur me këtë temë të enjten u morën në pyetje dëshmitarët e parë.

Shoku në radhët e Shërbimit Informativ Gjerman, BND, ishte i madh, kur publicisti Erich Schmidt-Eenboom në fillim të viteve 90-të, nën titullin "Nuhatësit pa hundë" raportonte për brendësinë e punës në shërbimin sekret. Pasoja ishte, mbikqyrja e autorit prej BND-së për vite të tëra. Por Schmidt-Eenboom nuk ishte i vetmi. Ndërkohë që masat ishin jurdikisht të kontestueshme. Në një raport të komisionit parlamentar, të ngarkuar me kontrollin e punës së shërbimeve sekrete, thuhej shumë qartë se spiunimi i gazetarëve paraqet "shkelje flagrante të lirisë së shtypit". Kështu thuhet në raportin e gjykatësit federal Gerhard Schäfer, i cili si i pavarur ka hartuar raportin. Spiunimi i gazetarëve mund të jetë një temë brizante politike, sepse shërbimet sekrete si BND-ja megjithë rregullat e veçanta janë nën kontrollin parlamentar dhe koordinohen nga zyra e kancelarit. Përfaqësuesi socialdemokrat në Komision, Michael Hartmann, premton sqarimin e plotë të aferës së mundshme.

"Duam ta shpjegojmë, nëse udhëheqësit e BND-së e madje edhe Zyra e Kancelarit ka lejuar spiunimin e gazetarëve e ndoshta edhe e ka urdhëruar. Eshtë e vërtetë, që kanë ndodhur disa gjëra, që janë shumë, shumë të këqija. Sa i përket punës së BND-së, por edhe të ashtuquajturve gazetarë."

Hellmut Königshaus, MdB und Entwicklungspolitischer Sprecher der FDP Foto www.hellmut-koenigshaus.de freigegeben f. DW
Hellmut Königshaus, politikan liberal, anëtar i Komisionit

Liria e shtypit garantohet me nenin 5 të Kushtetutës. BND-ja ka të drejtën e kontrollimit të burimeve të pasigurta në radhët e veta, shpjegon anëtari i Komisionit, Hellmut Kënigshaus i Partisë Liberale. Por me masa dhe metoda të lejuara ligjore, të cilat janë shkelur prej BND-së.

"Këtu janë spiunuar njerëz, të cilët nuk kanë rrezikuar Shërbimin, por vetëm është dyshuar. Masat kanë vazhduar edhe pas sqarimit të këtyre dyshimeve. Detyra e shtypit është të raportojë me tone kritike. Demokracia jeton prej mundësisë së raportimeve kritike."

Könighaus ka frikë për lirinë e shtypit edhe për faktin se gazetarët me ligjet e reja për luftën kudër terrorizmit në raste ekstreme duhet të llogarisin me spiunimin legal sekret. Zyra federale e krimilistikës mund të spiunojë në raste dyshimi kompjuterat e gazetarëve. Gazetarët më nuk janë të mbrojtur nga këto masa, në dallim prej deputetëve, përfaqësuesve fetarë dhe avokatëve.

Susanne Koelbl
Susanne Koelbl, korrespondente e revistës Spiegel.Fotografi: Herlinde Koelbl

Se sa shpejt gazetarët mund të futen nën masa kontrolli, dëshmon rasti i reporteres së revistës ‚Spiegel‘, Susanne Koelbl, e cila ndër të tjera ka raportuar edhe nga Afganistani. Gjatë spiunimit të BND-së është marrë vesh për komunikimin me postë elektronike të gazetares me një politikan afgan. Hellmut Kënigshaus me qejf do të merrte në pyetje gazetaren lidhur me këtë rast, por përfaqësuesit e Komisionit nga radhët e socialdemokratëve dhe unionit ishin kundër. Hartmann shpjegon edhe pse:

Ndaj zonjës Koelbl janë marrë masa, të cilat nuk kanë të bëjnë me kontrollimin e gazetarëve. Kjo nuk ka ndodhur për faktin se ajo është gazetare, sepse hetimet ishin të drejtuara ndaj një objekti tjetër në Afganistan. Kjo është shpjeguar dhe është debatuar hapur. Opozita tani po përpiqet, që është edhe e drejtë e saj, që çështjen ta bëjë skandal. Në qoftë se mendon se ne nuk kemi të drejtë, ekziston edhe mundësia e ankesës pranë gjykatave."

Spiunimi i gazetarëve prej BND-së është shndërruar në një temë grindjesh edhe mes partive politike. Por në thelb ato e mbështesin raportin e Gerhard Schäfer, të botuar në vitin 2006. Në raport thuhet se "Observimi nuk i prek vetëm të drejtat e personit por edhe lirinë e shtypit".

Shkas për shpresa është vetëobiligimi i BND-së, që gazetarët të mos kontrollohen me metoda sekrete, por në çdo kohë mund të përdoren si burim informacionesh.