1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shalke kryeson Bundesligën

Elert Ajazaj22 Shtator 2008

Bajerni me humbje historike në fushën e vet

https://p.dw.com/p/FMVs
Bavarezi Filip Lam në një dyluftim me kokë me ish-baverezin Klaudio Pizarro.Fotografi: AP

Java e pestë e kampionatit gjerman të futbollit ishte plot të papritura. I pari në renditje, Hamburgu, humbi dje 3:0 në Volfsburg, duke u larguar nga kryesimi. Vendin e tij e zuri Shalke 04 pasi mundi të shtunën 1:0 Frankfurtin.


Por befasinë më të madhe e përbën humbja 2:5 e Bajernit të Mynihut në fushën e vet kundër Verder Bremenit. Tronditja për bavarezët është e jashtëzakonshme; ata nuk kishin pësuar më shumë se katër gola në një ndeshje në Mynih prej humbjes 0:7 në vitin 1976 kundër Shalkes.


Trajneri i ri i Bajernit, ish-trajneri i kombëtares gjerman, Jyrgen Klinsman, ishte i pari ndër përfaqësuesit e klubit që u shpreh në lidhje me këtë humbje të thellë:


"Është e dhimbshme, sepse ne ishim përgatitur për të arritur një rezultat sa më të mirë. Këto momente janë pjesë e futbollit dhe do të shfaqen herë pas here. Shpresoj që të jenë të rralla. E rëndësishme është që kur je përtokë të ngrihesh shumë shpejt dhe të tregosh reagim dhe me siguri që ne do ta bëjmë këtë."


Rezultatet e tjera ishin këto:


Leverkuzen / Hanover 4:0

Kotbus / Bohum 1:1

Bilefeld / Këln 2:0

Mënhengladbah / Berlin 0:1

Shtutgart / Karlsruhe 3:1, dhe

Hofenhajm / Dortmund 4:1