"Shanse për forcimin e marrëdhënieve"
14 Janar 2006Vetëm moti nuk iu përshtat kaq mirë atmosferës së çlirët teksa Angela Merkel po hynte në shtëpinë e bardhë. Ndërsa jashtë nën qiellin e hirtë prej reve nisi të bjerë shi, presidenti Bush u disponua tri orë resht për të përshëndetur dhe njohur gruan e parë në postin e kancelares nga Gjermania. Prej saj në Uashington shpresohet një raport më i çlirët dhe miqësor në marrëdhëniet e mpira gjermano-amerikane të viteve të fundit. Pas bisedimeve presidenti e përcolli me një mori komplinetash kortezie kancelaren:
"Gjermania është një vend vërtetë i rëndësishëm në zemër të Evropës. Eshtë me interes të madh që Gjermania të marrë përsipër një rol drejtues në çështjet thelbësore. Gëzohem për bashkëpunimin me kancelaren. Përshtypja ime e parë është mjaft pozitive. Ajo është e mençur, e aftë, ka një temperament të këndshëm, dëshiron lirinë. Ne do të kemi marrëdhënie mjaft të mira me njëri-tjetrin dhe kjo është e rëndësishme për të dy popujt tanë."
Merkel, ndryshe nga prezantimi i parë i saj në Uashington asokohe si kryetare e opozitës, kësaj radhe foli në gjermanisht dhe jo në anglisht dhe nuk dukej aq euforike tek formuloi kriteret për një bashkëpunim më të mirë: "Besoj, se ka një shans për intensifikimin e marrëdhënieve tona. Kjo konsiston në përvojat tona të përbashkëta. Këtu bëjnë pjesë Afganistani, Ballkani si dhe sukseset në bisedimet në OBT (Organizata Botërore e Tregtisë), duke përmendur këtu vetëm disa shembuj. Unë jam e interesuar për kontakte më intensive, sepse besoj që pjesa më e madhe e keqkuptimeve ka të bëjë, me faktin që kontaktet nuk kanë qenë mjaft të shpeshta. Duhet dhe shoh një shans, që të mbizotërojë klima e hapur, kur edhe mund të themi, po për këtë jemi darkod, por diku tjetër kemi mendime të ndryshme. Kjo duhet të jetë një klimë e besimit për atë çka është rënë dakord dhe që duhet rrespektuar."
Lista e temave konkrete, për të cilat biseduan sy ndër sy të dy politikanët është mjaft e gjerë: qysh nga Iraku e Afganistani, tek paqja në Lindjen e Mesme, bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit, e deri tek Guantanamo e çështja e Iranit. Ndërsa Bushi lidhur me çështjen e Guantanomos bëri fjalë për keqkuptim nga pala gjermane dhe tërhoqi vëmendjen për sqarimin ligjor përpara gjykatave të ShBA, ai e lavdëroi Gjermaninë për rolin në lidhje me Iranin, programi bërthamor i të cilit kërcënon paqen në mbarë botën: "Gjermania ka luajtur një rol jashtëzakonisht konstruktiv në dialogun me Iranin dhe dua ta falenderoj këtë vend, për vazhdimin e këtij dialogu. Ne në konslutime të ngushta do të përcaktojmë, se si duhet të vazhdojmë më tutje lidhur me këtë çështje."
Merkel e përshkroi qëndrimin e planifikuar për çështjen e Iranit: "Ne nuk mund të shkojmë më tutje me bisedime, Irani i ka hedhur poshtë të gjitha. Ne madje kemi pritur ofertën ruse, por edhe këtu Irani ka refuzuar. Ndaj procesi do t´i kalojë sërish Këshillit të Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore. Nga ana tjetër këtu duhet të përpiqemi që mundësisht një numë i madh antarësh të mbështesë dhe të pasojë propozimin tonë."
Në përfundim të konferencës së shtypit Bush dhe Merkel patën një drekë të përbashkët në shtëpinë e bardhë, një nder ky që prej kohësh nuk i është bërë çdo kryeministri në vizitën e prezantimit. Merkel në përfundim të drekës deklaroi, se në maj do të udhëtojë sërish për në Uashington, përveç kësaj ajo do të angazhohet që ShBA të jenë vendi i ftuar nderi në panairin e sivjetëm të librit në Frankfurt.