1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sharon është më mirë

Bettina Marx7 Janar 2006

Pjesëmarrje masive në fatin e kryeministrit në Izrael

https://p.dw.com/p/Aqgl
Gazetarët informohen në spitalin Hadasa për gjendjen shëndetësore të kryeministrit Sharon
Gazetarët informohen në spitalin Hadasa për gjendjen shëndetësore të kryeministrit SharonFotografi: AP

Gjendja dramatike e kryeministrit izraelit Ariel Sharon bëri të domosdoshëm të premten një operacion të tretë emergjence. Operacioni duket se ka patur sukses sepse gjendja e 77-vjeçarit është përmirësuar ndjeshëm pas ndërhyrjes disa orëshe. Mesazhi që dha të premten në mbrëmje drejtori i spitalit Hadasa në Jeruzalem, Shlomo Mor Jozef, ishte befasues.

Gjendja shëndetësore e kryeministrit izraelit është përmirësuar ndjeshëm pas operacionit të fundit të emergjencës. Para gazetarëve që prisinin prej disa orësh drejtori i Hadasës deklaroi: "Mund t'ju them se në krahasim me vizitat e mëparshme që kemi kryer që prej shtrimit të kryeministrit e deri më sot, ka një përmirësim të rëndësishëm. Sipas specialistëve nga repartet e neurologjisë dhe neokirurgjisë të spitalit Hadasa truri i tij paraqitet shumë më mirë."

Gjatë ndërhyrjes disa orëshe kirurgjikale është arritur të normalizohet presioni në kokën e Sharonit dhe të ndërpriten hemoragjitë cerebrale. Pas ndërhyrjes dhe tomografisë kompjuterike kryeministri është vendosur përsëri në repartin e kujdesit intensiv të neokirurgjisë. Gjendja e tij megjithë përmirësimet e dukshme mbetet si më parë serioze por stabile.

Izraelitët ndjekin me tension të madh informacionet e medieve mbi gjendjen shëndetësore të kryeministrit të tyre. Pjesëmarrja në fatin e Ariel Sharonit i cili prej dy javësh po lufton për të mbetur në jetë është masive. Por edhe e ardhmja e pasigurtë dhe vakumi që lënë në politikën izraelite Sharoni dhe partia e tij e re Kadima, është burim shqetësimesh të mëdha për qytetarët. Ja si shprehet ky burrë nga qyteti port i Haifës: "Unë jam shumë i shqetësuar. Mendoj se Sharon ka filluar një proçes të rëndësishëm i cili tani do të ndërpritet. Unë shqetësohem edhe për të personalisht. Kam frikë se gjendja e tij mund të përkeqësohet gjë që do të pështjellonte sigurinë në gjithë shtetin izraelit."

Miku i Sharonit Shimon Peres i cili kohët e fundit u bashkua me të në rrugën e re politike u shfaq në televizionin izraelit i shqetësuar. Por njëkohësisht ai u përpoq të përcillte një mesazh shprese: "Çdo të ndodhë më tej me politikën izraelite? Shteti qëndron mbi dy këmbë: luftën kundër terrorit dhe përpjekjen për arritjen e paqes. Ne do ta vazhdojmë këtë politikë të Ariel Sharonit e cila ka qenë dhe politikë e koalicionit të madh. Megjithëse është e vështirë nuk e kemi humbur optimizmin."
Por ky optimizëm në këto momente nuk ndahet nga askush në Izrael. Pjesa më e madhe e analistëve druhen se partia e re e Sharonit do të shpërbëhet pas vdekjes së tij dhe kjo mund të sillte një vakum pushteti të vështirë për t'u mbushur. Një gjë e tillë mund të ndodhë edhe pse sondazhet për partinë e re e cila ende nuk ka as struktura, as instanca drejtuese dhe as program, vazhdojnë të jenë të mira. E përditshmja "Harretz" vlerëson se Kadima mund të fitonte 40 deri 42 mandate në zgjedhjet e ardhshme megjithëse sondazhet e tjera e rendisin më poshtë.

Shkrimtari i njohur izraelit Eli Amir i afërt me partinë laburiste e përmbledh kështu atmosferën e këtyre ditëve në Izrael: "Duhet kuptuar shqetësimi i madh që ne ndiejmë pasi Sharon përfaqëson për ne një baba apo më mirë të themi një gjysh. Tani jemi dëshmitarë të vulnerabilitetit të tij dhe nuk mund t'i vijmë në ndihmë. Sharon gjatë gjithë jetës ka qenë i pranishëm në skenën politike, në kohë të mira dhe të këqija. Çfarë do të bëjmë kur të mos jetë më? Kush mund ta zëvendësojë atë në krye të qeverisë?"

Ariel Sharon ka qenë gjithnjë një figurë e polemizuar. Me tërheqjen nga Gaza dhe themelimin e një partie të re ai arriti megjithatë të pushtonte qendrën e Izraelit politik dhe të bënte kështu për vete shumicën e popullsisë.