1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

ShBA dhe Irani & Pengjet gjermane në Irak

10 Prill 2006

Ndër temat që komentohen në shtypin e sotëm gjerman veçojmë konfliktin lidhur me programin bërthamor të Iranit si dhe kërcënimin e fundit që erdhi nga Iraku për vrasjen e dy pengjeve gjermane të rrëmbyera qysh në janar.

https://p.dw.com/p/ArqV
Irani bën manovra detare në Gjirin Persik, 3 prill 2006
Irani bën manovra detare në Gjirin Persik, 3 prill 2006Fotografi: AP

Lidhur me konfliktin atomik me Iranin dhe planet eventuale të ShBA për sulm në komentin e "Sächsische Zeitung" lexojmë:

"S´ka arësye për të dyshuar ndaj njoftimeve, sipas të cilave qeveria e ShBA ka filluar të shqyrtojë skenare të ndryshme për një luftë kundër Iranit. I shumëcituari "obsioni ushtarak" asnjëherë s´ka qenë vetëm një formulë boshe, por gjithnjë një kërcënim i menduar seriozisht në konfliktin me Iranin që synon të posedojë bombën atomike. Kjo megjithatë nuk do të thotë, se këto sulme janë punë e mbaruar. Ndryshe nga rasti i Irakut, ku qysh në fillim ekzistonte vendosmëria politike për rrëzimin me dhunë të regjimit dhe pas kësaj u kërkua një legjitimitet i besueshëm, në konfliktin me Iranin ndërhyrja është vetëm një mjet i fundit, pasi të jenë ezauruar të gjitha mundësitë politike dhe diplomatike", shkruan "Sächsische Zeitung".

E përditshmja "Westfalenpost" shkruan:

"Tani regjimi me presidentin Mahmud Ahmedinexhad faktikisht po bën gjithçka, për të pasur një sqarim të besueshëm dhe të sigurtë që të fshehë synimet e veta. Ndaj që të shtrohen të gjitha obsionet në tryezë, kjo është mëse në rregull. Por nisur nga disfata e Irakut pikërisht obsioni ushtarak, që me sa duket sërish dhe i menduar gjerë e gjatë po del në plan të parë, kjo i ngjan një marrëzie të pafre. E kush duhet të marshojë në Iran pas Irakut dhe Afganistanit, Mr. Bush?", shtron pyetjen "Westfalenpost".

Gazeta "Berliner Morgenpost" komenton:

"Bushi beson, se mund të shpërthejë një garë e armatimit atomik, në rast se Irani ka armë bërthamore. Ai beson, se ai që do të shpëtojë marrëveshjen për ndalimin e armëve bërthamore, duhet t´ia arrijë kësaj me të gjithë pushtetin. Gjeneralët e tij e kuptojnë këtë. Por edhe ata besojnë, se një përdorim i parë i bombës atomike mund ta ndezë aq shumë botën kundër Amerikës, sa që kjo të humbasë aftësinë e ushtrimit të pushtetit me mjete të ndryshme prej dhunës së armëve. Ata besojnë, se Osama bin Ladeni mund të godasë me armë atomike dhe kjo do të festohej si një kundërgoditje. Pra në debat shtrohen çështje parimore politike dhe morale," vëren "Berliner Morgenpost".

Ndërsa komentatori i "Pforzheimer Zeitung" tërheq vëmendjen për pasojat e një sulmi eventual ndaj Iranit: "Sido që të jetë një sulm i tillë, pasojat janë të paparashikueshme. Vetëm një gjë është e sigurtë; bombat amerikane do të shërbenin si ujë për mullinjtë e ekstremistëve islamikë, fryma antiperëndimore në Lindjen e Mesme do të nxitej edhe më shumë. Por pavarësisht nga kjo, ushtria e ShBA e rraskapitur prej Irakut nuk është në gjendje që të trondisë qeverinë e Iranit apo t´i japë fund programit atomik të saj. Thënë shkurt: arësyeja flet kundër një aksioni ushtarak. Por çështja është, a i bën përshtypje kjo Bushit?", nënvizon "Pforzheimer Zeitung".

Tema e dytë: pengjet gjermane në Irak. Qeveria gjermane ka marrë në fundjavë një videokasetë, përmes së cilës kidnapuesit kërcënojnë me vrasjen e dy teknikëve gjermanë të rrëmbyer qysh në janar.

Gazeta "Leipziger Volkszeitung" shkruan: "Gjendja e pengjeve edhe pas shenjave të jetës vazhdon të mbetet e frikshme. Ata janë rraskapitur deri në ekstrem si nga nervat ashtu edhe psiqikisht. Në duart e njerëzve të dhunshëm e perfidë pengjet vetëm se mund të shpresojnë për ndonjë mrekulli. Po kështu mund të shpresojnë edhe familjarët e miqtë e tyre si dhe miliona bahskëatdhetarë këtu në Gjermani. Më e tmerrshmja në këtë situatë është, se edhe pse je i ndërgjgjshëm për gjendjen kaq të rrezikshme nuk mund të bësh asgjë. Ndonëse solidarizimi i bashkëqytetarëve në Drezden, lutjet dhe manifestimet e tyre mbeten të rëndësishme si shenjë e shpresës dhe ngushëllimit", komenton "Leipziger Volkszeitung".

Komentatori i "Rhein Neckar Zeitung" vë në dukje luftën mes kulturave duke analizuar: "pavarësisht nëse pengmarrësit janë "vetëm kriminelë" që duan të përfitojnë para, apo fundmanetalistë: rrëmbimi i Rene Breunliht dhe Tomas Niçkes në Irak tregon, se prej kohësh Gjermania ka mbërritur në "luftën e kulturave". Një gjerman "i pasur" në të dyja rastet paraqet një armik. Dallimi nuk është dhe aq i madh në sytë e një banori të botës së tretë - aq më tepër kur është fjala për një vend islamik të botës së tretë", shkruan "Rhein Neckar Zeitung".