1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA duan të shpëtojnë nga akuzat lidhur me kampin e Guantanamos - Planifikohet lirimi dhe reduktimi i të burgosurve

Hans-Perter Riese12 Janar 2005

Numri i të burgosurve në bazën ushtarake amerikane në Gjirin e Guantanamos në Kubë do të shkurtohet dukshëm. Duket, se me këtë hap presidenti i SHBA, Xhorxh Bush, do t´i zbusë akuzat e rënda ndërkombëtare lidhur me këtë kamp. Të martën u publikua lirimi i katër britanikëve dhe një australiani nga kampi i Guantanamos.

https://p.dw.com/p/ArR2
Burgu i Guantanamos
Burgu i GuantanamosFotografi: AP

Pentagoni në Uashington planifikon të shkurtojë numrin e të burgosurve në kampin e Guantanmos në Kubë me mbi 50%. Në fund të vitit në këtë kamp duhet të ketë maksimumi vetëm të ashtuquajtur "luftëtar armiq", që sipas qeverisë amerikane konsiderohen njerëzit që kanë punuar për rrjetin terrorist të El Kaidës dhe që mbahen në Guantanamo pa asnjë vendim juridik.

Kohët e fundit ushtria ka dëbuar një sërë të burgosurish, pasi u bë e qartë, se ndaj tyre ose nuk mund të ngriheshin akuza, ose se ata nuk ishin të përshtatshëm si dëshmitarë. Londra ka arritur ndërkohë lirimin e katër britanikëve të tjerë, të cilët qysh prej dy vjetësh u mbahen në Guantanamo dhe që së shpejti do të dëbohen prej andej. Përveç tyre do të lirohet edhe një australian. Të gjithë të liruarit ndërkohë ndodhen në gjendje të lirë në vendet e tyre, sepse asnjëri prej tyre nuk mund të akzohej për vepër penale.

Pentagoni, sipas një njoftimi të gazetës "Finantial Times", planifikon që ky burg në bazën amerikane të Kubës të rikonstruktohet në një burg afatgjatë për reth 200 të dënuar. Siç duket ky është numri i të burgosurve që duhet të mbahen afatgjatë në burg, sepse ata sipas mendimit të ushtrisë amerikane paraqesin rrezik për SHBA. Por në bazë të një vendimi të Gjykatës Supreme në SHBA ata kanë të drejtë që të konslutohen me gjykatat e rregulta amerikane dhe të kërkojnë prej tyre verifikimin e rastit.


Nuk mund të parashikohet, se çfarë pasojash do të ketë kjo për të burgosurit në bazën e Guantanamos, sepse deri tani asnjëri prej proceseve nuk është mbyllur. Planet e Uashingtonit konsiderohen si një shenjë e qartë, se presidenti Bush gjatë mandatit të dytë presidencial do ta zbusë barrën që i ngarkon atij opinioni ndërkombëtar për çështjen e Guantanamos. Kjo bëhet edhe për faktin, se gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se nuk ia vlen e gjithë angaria e këtij burgu, që më shumë po e dëmton se sa po i shërben politikës së jashtme të SHBA.