1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA heqin Korenë e Veriut nga lista e shteteve të dyshuara për terrorizëm

Peter Kujath 13 Tetor 2008

Deciziv për këtë vendim të Uashingtonit ishte premtimi i Penjanit, se në të ardhmen do të lejojë inspektimin e komplekseve atomike.

https://p.dw.com/p/FYQx
Qytetarë duke u përkulur përpara statujës së Kim Il Sungut
Qytetarë duke u përkulur përpara statujës së Kim Il Sungut People bow in front of a statue of Kim Il Sung in Pyongyang, North Korea Tuesday, Feb. 26, 2008. (AP Photo/David Guttenfelder)Fotografi: AP

Parimin e reciprocitetit e kanë theksuar vazhdimisht si SHBA, ashtu edhe Koreja e Veriut. Vetëm nëse njëra palë i përmbahet detyrimeve të saj, edhe pala tjetër do të jetë e gatshme të ndërmarrë hapin përkatës. Në shkurt të vitit të kaluar SHBA, Koreja e Veriut, Koreja e Jugut, Kina, Rusia dhe Japonia në kuadër të bisedimeve gjashtë palëshe me Korenë e Veriut ranë dakord, që shteti komunist të heqë dorë nga programi bërthamor dhe si kompensim të marrë ndihma me energji dhe mallra të tjerë.

Centrali atomik koreano-verior Yongbyon
Centrali atomik koreano-verior YongbyonFotografi: AP

Por nga të dyja palët pati vazhdimisht shtyrje dhe qysh prej disa javësh ka pasur edhe spekulime, pasi udhëheqësi autoritar Kim Jong Il nuk ishte shfaqur më në publik. Të shtunën (11.10.) zëdhënësi i ministrisë së jashtme të SHBA, Sean McCormack, papritur deklaroi: „Bazuar në marrëveshjet e fundit dhe faktit, që Koreja e Veriut i ka përmbushur kritieret për t´u hequr nga lista te vendeve të dyshuara për terrorizëm, ministria e jashtme e SHBA këtë të shtunë e tërhoqi përkufizimin për Korenë e Veriut si një vend që mbështet terrorizmin. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë."

Koreja e Veriut në listën e terrorit qysh në vitin 1988

Republika Demokratike e Koresë, apo DPRK-ja siç quhet shkurt ky vend në SHBA, është futur në të ashtuquajturën listë e terrorit qysh në vitin 1988. Asokohe arësyeja kishte bënte me sulmin me bombë të Koresë së Veriut ndaj një avioni pasagjerësh koreano-jugorë. Në vitin 1994 SHBA negociuan me Korenë e Veriut, që ajo të hiqte dorë nga programi bërthamor. Në vitin 2003 filluan sërish bisedimet mes gjashtë vendeve, ndonëse presidenti i SHBA Bush e kish cilësuar Korenë e Veriut si pjesë të aksit së të keqes. Në 2006 ky vend i izoluar ndërkombëtarisht, sipas të dhënave të veta, kreu me sukses një provë bërthamore nëntokësore. Eshtë pikërisht ky potenciali kërcënues, që Koreja e Veriut e varfëruar përdor kundrejt SHBA dhe botës, në mënyrë që këto të bëjnë lëshime. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të SHBA, McCormack: „Koreja e Veriut është shprehur e gatshme, që të rifillojë punën për asgjësimin e një kompleksi bërthamor. Kjo dëshmon, se parimi i grupit të gjashtë vendeve negociuese ‚action for action’ ka pasur efekt."

Marrëveshja e Christopher Hill-it

Përpara dy javësh situata ishte krejt ndryshe. Koreja e Veriut publikoi rivëninen në funksionim të kompleksit përthamor në Yongbyon dhe nuk lejoi që ekspertët e SHBA dhe vëzhguesit e Agjencisë Atomike Ndërkombëtare ta inspektojnë atë. Javën që pasoi papritur i dërguari i posaçëm i SHBA, Christopher Hill, shkoi në Penjan dhe arriti me sa duket një marrëveshje, se si mund të verifikohet çarmatimi nuklear i këtij vendi. Kjo ishte pika e grindjes që duhej zgjidhur mes dy vendeve, në mënyrë që Koreja e Veriut të hiqej nga lista e terrorit. Koreja e Veriut vazhdimisht është rrezikuar nga katastrofa e urisë dhe me plotësimin e këtij kushti vendi përfiton prej programeve të ndihmës nga organizatat ndërkombëtare. Mbetet e hapur nëse ky vendim mban vulën e udhëheqësit Kim Jong Il. Por po të shtunën një spikere e lajmeve në televizionin shtetëror komunikoi: „Gjenerali i madh, Kim Jong Il, ka vizituar një njësi të ushtrisë të përbërë nga gratë dhe ka dhënë udhëzimet në terren."

Imazhe televizive stereotipe

Në televizion u shfaqën imazhet se si Kim Jong Il me kostumin tipik ushtarak dhe me gjyslykë dielli bisedonte me anëtarët e ushtrisë. Nga dhjetë pamje të shfaqura gjithsej nuk ka asnjë të dhënë, se kur dhe ku janë xhiruar ato. qysh nga 14 gushtipavarësisht festimeve me rastin e 60 vjetorit të themelimit të shtetit, Kim Jong Il nuk është shfaqur në publik dhe as nuk është filmuar e fotografuar. Sipa stë dhënave të shërbimit sekret koreano-jugor ai ka pësuar një infarkt. Por ekspertët koreano-jugorë nga fotografitë e fundit konsiderojnë, se gjendja e tij shëndetësore nuk është dhe aq keq, sidoqoftë kusht është që fotografitë të jenë aktuale.