1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA nën presion para samitit të krizës për Afganistanin

24 Gusht 2021

Në takimin virtual të G7-s, kryesuesja e radhës, Britania e Madhe kërkon zgjatjen e misionit të evakuimit nga Afganistani. SHBA po peshon aktualisht të gjitha mundësitë, paralelisht zhvillohen bisedime me talibanët.

https://p.dw.com/p/3zPMT
Afghanistan I Evakuierung von Zivilisten der USA und ihrer Partner aus Kabul
Evakuimi nga AgfanistaniFotografi: Sgt. Samuel Ruiz/U.S. Marine Corps/AP/picture alliance

Partnerët perëndimorë duan që SHBA të zgjasë përtej 31 gushtit misionin e shpëtimit të dhjetëra mijëra njerëzve nga Kabuli. Tek përkrahësit e zgjatjes së misionit bën pjesë edhe kryeministri britanik, Boris Johnson. Sipas ministrit të Mbrojtjes, Ben Wallace, Boris Johnson do të bëjë të qartë pozicionin e tij në samitin e krizës të shtatë vendeve më të industrializuara, G7 që zhvillohet virtualisht. Madje edhe zgjatja e misionit "me një ose dy ditë do të na jepte ne një ose dy ditë më shumë për të shpëtuar njerëzit", tha Wallace. Edhe Franca e mbështet zgjatjen e misionit.

Në një deklaratë për samitin e krizës së G7-s, Boris Johnson theksoi se shpëtimi i "qytetarëve tanë dhe atyre afganëve që na kanë ndihmuar këto 20 vjet", ka tani "prioritet parësor". Shtetet e G7-s duhet të kenë parasysh edhe "fazën tjetër", në të cilën do të bëhet fjalë për "një qëndrim të përbashkët" kundrejt Afganistanit. Britania e Madhe mban aktualisht presidencën e radhës së G7-s.

Presidenti amerikan, Joe Biden deri më tani i mbetet respektimit të datës 31 gusht për tërheqjen e trupave nga Afganistani. Zëdhënësi i Pentagonit, John Kerby tha se "fokusi ynë është i drejtuar tek arritja e kësaj deri në fund të muajit."

Großbritannien | PK Boris Johnson zu COBR
Boris JohnsonFotografi: Simon Dawson/Avalon/Photoshot/picture alliance

Maas synon evakuimin civil

Gjermania po shikon edhe mundësi të tjera për të nxjerrë njerëzit nga Kabuli. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas tha në Berlin, se qeveria gjermane po zhvillon bisedime me SHBA, Turqinë dhe partnerë të tjerë, "me qëllim që të mundësohet funksionimi civil i aeroportit". Me synim që forcave lokale dhe atyre që kanë nevojë për mbrojtje "t'u mundësohet largimi nga Afganistani përtej misionit ushtarak të shpëtimit aktualisht".

Nga ana tjetër po punohet me vendet fqinje, që të pranojnë refugjatët që vijnë nga Afganistani. Për këtë Gjermania ka vënë në dispozicion 100 milionë euro. Ambasadat gjermane në vendet fqinje më pas duhet që personave që kanë nevojë për mbrojtje t'u japin pa shumë komplikime vizat për të hyrë në Gjermani. Përtej kësaj, sipas Heiko Maas, duhet folur edhe me talibanët. Islamistët paralajmëruan për "pasoja", nëse misioni i evakuimit do të zgjatej. Zëdhënësi i talibanëve, Suhail Shahin tha se data 31 gusht është "vija e kuqe".

Afghanistan Kabul Flughafen
Fotografi: Sayed Khodaiberdi Sadat/AA/picture alliance

Rrezik për punonjësit e organizatave humanitare

Ministri gjerman për Zhvillimin, Gerd Müller shprehet i shqetësuar, se nën sundimin e islamistëve radikalë ka rrezik të madh për punonjësit afganë të organizatave të zhvillimit.  Për gazetën "Augsburger Allgemeine", Müller tha se nuk u beson premtimeve të talibanëve, sepse "që tani ka përndjekje e vrasje". Ai është i shqetësuar për punonjësit afganë të Organizatës Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, GIZ dhe organizatave të tjera. Gerd Müller kërkoi zgjatjen e masave të evakuimit.

Në Kabul avionët që kryejnë evakuimet punojnë nën presion të madh, sepse gjendja në aeroport është shumë dramatike. Bundeswehri ka nxjerrë nga Afganistani ndërkohë të hënën 944 vetë, gjithsej janë shpëtuar 3650 vetë- SHBA nga 14 gushti ka nxjerrë 48.000 vetë nga Afganistani.

 

 

la/se/as (afp, dpa, epd, rtr, kna, zdf)