1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Paralajmërim serioz për rrezik terrorizmi

Eliana Xhani6 Gusht 2013

Parlajmërimi i SHBA për akte terroriste vazhdon. Shumë përfaqësi diplomatike mbetën të mbyllura edhe pas fundjavës. Ekspertët flasin për situatë shumë të rrezikshme dhe përforcim të El Kaida-s.

https://p.dw.com/p/19KQS
Ambasada amerikane në Sana të JemenitFotografi: picture alliance / landov

"Ky është paralajmërimi më i gjerë për akte terroriste prej një dhjetëvjeçari", thotë Bruce Riedel në bisedë me Deutsche Wlle-n. Eksperti i Lindjes së Mesme pranë institutit me emër Brookings në Uashington dhe ish punonjës i CIA-s, është i shqetësuar: "Nuk janë mbyllur asnjëherë më parë kaq shumë përfaqësi diplomatike, jo vetëm amerikane por edhe evropiane. Dhe paralajmërimi për akte terroriste u zgjerua për gjithë muajin gusht. Kjo lë të kuptosh se kërcënimi është real dhe shumë, shumë serioz."

Komunikimi i përgjuar nga shërbimet sekrete mes mbështetësve të rrjetit terrorist El Kaida duket se është i ngjashëm me komunikimin direkt para atentateve të 11 shtatorit 2001. Kërcënimi duket aq serioz sa administrata Obama ka reaguar dyfish. Gjatë fundjavës ajo mbajti të mbyllura 21 përfaqësi diplomatike të SHBA-së në botën myslimane dhe pjesën më të madhe do ta rihapë vetëm pas 10 gushtit. Pas kësaj edhe disa shtete evropiane, ndër të cilat Gjermania, mbyllën disa nga përfaqësitë e tyre. Në të njëjtën kohë departamenti i shtetit përgjegjës për politikën, e jashtme nxorri një parlajmërim global për udhëtime.

Informacione nga Agjencia për Sigurinë Kombëtare

Siç konfirmuan për DW qarqe amerikane të sigurisë, paralajmërimi për akte terroriste bazohet në informacione të NSA-së, e cila kohët e fundit ka qenë në qendër të kritikave me programet e saj mbarëbotërore të përgjimit. NSA duket se ka lexuar postë elektronike dhe ka dëgjuar biseda telefonike. Në të njëjtën kohë përballë reagimit me rreze të gjatë të qeverisë amerikane, ekspertët besojnë se ka të ngjarë të jetë edhe një "burim njerëzor", një informator, i cili ka përforcuar analizën e fakteve të kryer nga autoritetet e sigurisë. Nga paralajmërimi relativisht jospecifik për akte terroriste, kuptohet megjithatë se amerikanët nuk e dinë se kur dhe ku janë planifikuar të kryhen atentatet.

Bruce Riedel Brookings Institution
Bruce Riedel nga Instituti Brookings në UashingtonFotografi: Brookings Institution

Ekspertët për sigurinë thanë për DW se ndoshta El Kaida dhe veçanërisht celulat e saj lokale në gadishullin arab planifikojnë akte shpagimi për tre sulmet amerikane me avionë pa pilot javën e kaluar në Jemen, gjatë të cilave humbën jetën nëntë vetë. Në këtë kontekst është shprehur edhe Ayman al-Zauahri, një nga drejtuesit e El-Kaidës.

"Më shumë celula të El-Kaidës se kurrë më parë"

Ngjarjet e fundit nuk lënë të presësh asgjë të mirë, thotë Bruce Riedel: "Ajo që shohim është siç e quaj unë brezi i tretë i El Kaidës. Ose El Kaida 3.0." Brezi i parë ka qenë ai para 11 shtatorit, i dyti deri në vdekjen e Osama bin Ladenit. "Brezi i tretë është produkti i vdekjes së bin Ladenit dhe Pranverës Arabe. Ajo prodhoi kaos në botën arabe, nga Magrebi në Mali, Sinai, Siri deri në Jemen dhe Itak." Riedel është i bindur se El Kaida përfiton nga kjo situatë kaotike dhe është pozicionuar tashmë më gjerë dhe rajonalizuar më fort. "Mund të thuhet me një farë sigurie se në 2013 në botën arabe ka më shumë celula të El Kaidës së kurrë më parë."

Professor Joseph Wippl / Boston Universität
Profesr Joseph Wippl nga Universiteti i BostonitFotografi: bu.edu

Njoftimet e fundit për arratisje masive nga burgje ekstremistësh në Irak, Pakistan dhe Libi e kanë shtuar më tej nervozitetin e autoriteteve të sigurisë. Dhe ishte ky shkaku që autoriteti ndërkombëtar policor Interpol shpalli një paralajmërim global për akte terroriste. "Fakti që El Kaida ka arritur të lirojë të burgosur tregon se ajo i ka mundësitë për aksione të tilla", thotë në bisedë me DW, Joseph Wippl, profesor për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit. Sipas tij është e mundur që "në qeveri të ndryshme punojnë njerëz të cilët kanë simpati për ekstremizmin dhe ndoshta kanë ndihmuar për lirimin e të burgosurve. Por unë nuk besoj se kjo ka të bëjë direkt me paralajmërimin e tanishëm për akte terroriste."

Paralajmërimi si manovër për të larguar vëmendjen?

Jo vetëm në debatin publik dhe në Kongresin amerikan por edhe në Evropë shprehet tani dyshimi se administrata e Obamës kërkon të heqë vëmendjen me paralajmërime dramatike për terror, nga programet mbarëbotërore të përgjimit të NSA-së. "Nuk besoj se kërcënimi terrorist përdoret nga administrata Obama", thotë Bruce Riedel. Sipas ekspertit ai është më tepër "një kujtesë e dobishme se përballë rreziqeve duhet të merren masa efektive." Edhe Joseph Wippl mendon se nuk kemi të bëjmë me një manovër politike pasi një gjë e tillë do të dëmtonte imazhin e vetë administratës Obama: "Gjëra të tilla gjithmonë dalin në shesh dhe kjo do të nënkuptonte një humbje dramatike besueshmërie."

USA Obama Reaktion Trayvon Martin
Presidenti amerikan, Barack obamaFotografi: Reuters

Eksperti i sigurisë me përvojë Wippl, përballë paralajmërimeve të gjera nga Uashingtonit për akte terroriste këshillon: "Nuk do të thoja që të anulohet udhëtimet. E vetmja gjë që rekomandoj është të mos shkohet patjetër në rajone të rrezikshme për turistët. Pra nëse është e mundur shmangni shkretëtirën jemenite apo malet e Irakut."