1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shefi i NATO-s Rasmussen i apelon partive politike për bashkëpunim

29 Prill 2010

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Rasmussen vlerësoi në Tiranë ndryshimet pozitive në reformimin e ushtrisë shqiptare dhe kontributin në misionet paqeruajtëse jashtë kufijve të saj.

https://p.dw.com/p/N9mN
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh RasmussenFotografi: DW/Alen Legovic

Temat e diskutimit të shefit të NATO-s me autoritetet zyrtare në Tiranë përmblidhen në bilancin e performancës së ushtrisë shqiptare në vitin e parë të anëtarësimit. Në këtë aspekt Anders Fogh Rasmussen përsëriti konsiderata pozitive, si per reformat që kryhen në rradhët e forcave të armatosura, ashtu dhe për pjesëmarrjen në misionet paqeruajtëse jashtë vendit. Në mënyrë të veçantë për kontributin e Shqipërisë në Afganistan. Ky ishte rasti që Tirana zyrtare të përsëriste planet e saj për rritje të kontigjentit të trupave të saj, por dhe marrjen përsipër të projekteve mbështetëse me natyrë joushtarake.

Rasmussen: Partitë të angazhohen pozitivisht në jetën politike

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në kontaktet me median tregoi kujdes në vlerësimet për zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri. “Sot kam shprehur shpresën, që të gjitha partitë dhe grupet do të angazhohen pozitivisht në jetën politike në Shqipëri”, tha Rasmussen.

Albanien Alfred Moisiu
Presidenti i Republikës, Alfred MoisiuFotografi: DW

Moisiu: Politika shqiptare e sheh anëtarësimin më shumë si privilegj

Duke komentuar vizitën e shefit të NATO-s në Tiranë si dhe 1 vjetorin e parë të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën Veriatlantike, ish Presidenti i Republikës Alfred Moisiu shpreh rezerva për situatën politike. Moisiu një ish gjeneral në pension thotë për DW se qënia pjesë e aleancës më të madhe të paqes nuk ka vetëm obligime ushtarake, por dhe politike. Ndoshta, sipas tij, nga klasa politike shqiptare kjo është kuptuar vetëm si privilegj.

“Përkundrazi duhet të kemi detyrime më të mëdha. Nuk e kam fjalën vetëm për detyrime buxhetore për ushtrinë. Por në kuptimin që të jemi më të kujdesshëm në bërjen e politikës në zhvillimin e demokracisë. Çfarë shikojmë? Ne akoma nuk jemi mësuar të administrojmë proceset zgjedhore. Kemi patur më parë shumë të meta, i kemi zgjidhur ato, por këtu ne kemi mbetur. Tjetër. Duam të bëjmë tani ligje të tilla, si ai për shërbimin sekret siç e duam ne. Tani je i detyruar të zbatosh ato, që të kërkojnë. Ose kemi përpara zgjedhjet për anëtarët e rinj në Gjykatën Kushtetuese, ose Gjykatën e Lartë. Ne jemi të detyruar t'i përmbahemi standarteve dhe kërkesave demokratike më tepër se më parë. Se ndryshe çfarë do të thotë që jemi në NATO?””

Albanien Cerciz Loloci
Çerçiz Loloçi, nga Fondacioni SOROS në Tiranë.Fotografi: DW

Loloçi: Emancipimi i klasës politike do të kërkojë kohë.

Çerçiz Loloçi, nga Fondacioni SOROS në Tiranë, e shikon anëtarësimin e NATO-s si një proces evoluimi për politikën dhe institucionet demokratike në Shqipëri. Ai thotë për DW se që nga 4 prilli i vitit të kaluar, kur vendi u bashkua zyrtarisht në Aleancë, kjo nuk do të thoshte se të nesërmen në 5 prill, apo ditë më pas gjithshka do të ishte tjetër.

“Politika shqiptare ka problemet e veta, të cilat do të zgjidhen menjëherë nga të qënit anëtar i NATO-s. Këto do të zgjidhen gradualisht, nga viti në vit. E rëndësishme është, që tek pjesa e mbrojtjes vendi ka bërë hapa të rëndësishëm. Pastaj probleme të tjera siç janë ato të ndarjes së pushteteve, të drejtësisë etj., do vazhdojnë të jenë një sfidë e Shqipërisë, që duan një kohë të gjatë me ose pa NATO-n.

Loloçi e konsideron si një presion të nevojshmëm për institucionet shqiptare përmbushjen e kushteteve për integrimin europian, monitorimin dhe vlerësimin sistematik, që bëjnë organizmat ndërkombëtare për reformat shumëplanëshe, që duhen të realizohen. “Ato do të marrin më pak kohë dhe energji, nëse ka vullnet dhe bashkëpunim nga klasa politike”, thotë ai për DW.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica