1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shefi i UNMIK-ut - i vendosur që në Mitrovicën e Veriut të vendoset rendi dhe ligji

Bekim Shehu/Prishtinë17 Korrik 2008

Lamberto Zannieri ka thënë megjithatë se duhet gjetur mënyra më e mirë që serbët e kësaj pjesë të pranojnë bashkëpunimin me institucionet e Kosovës

https://p.dw.com/p/Ee4J
Rezidenca kryesore e UNMIK-ut në Prishtinë
Rezidenca kryesore e UNMIK-ut në PrishtinëFotografi: picture-alliance/ dpa

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannieri, ka thënë se në pjesën veriore të Mitrovicës duhet të vendoset rendi dhe ligji dhe institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare, duhet të ushtrojnë funksionin e tyre edhe në këtë pjesë. Lamberto Zannieri, që nga marrja e detyrës si shef i UNMIK-ut, akoma po viziton rajone të ndryshme të Kosovës, në fokus ka rajonet serbe aty ku ka probleme dhe ka thënë se duhet gjetur menyra se si banorët serbë të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.

Prioritet i UNMIK-ut, sipas numrit një të administratës ndërkombëtare, është hapja e gjykatës në pjesën veriore të Mitrovicës, e cila është jashtë funksonit që nga marsi i këtij viti, kur serbët lokalë u përleshën me policinë ndërkombëtare. Një problem tjetër që është paraqitur nga serbët lokalë, është kundërshtimi që po i bëjnë ata punës së kuvendit komunal të Mitrovicës. Banorët serbë të pjesës veriore, po pengojnë punimet e një projekti për hapjen e një kanali ujesjellësi në fshatin Suhodoll, i banuar më shqiptar, mirëpo, që gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës. Banorët serbë kanë gjuajtur me gurë punëtorët dhe kanë ndërprerë punimet. Administrata e Kombeve të Bashkuara, ka kërkuar nga kryetari i komunës së Mitrovicës, që të jetë i kujdesshëm me projektet për pjesën veriore të Mitrovicës, në mënyrë që situata e sigurisë të mbahet e qetë. Por kryetari i komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, është shprehur se punimet e ujësjellësit në pjesën veriore të Mitrovicës do të vazhdojnë, pavarësisht dakordimit apo jo nga ana e UNMIK-ut.

Që nga hyrja në fuqi i Kushtetutës së Kosovës ka filluar edhe procesi i decentralizimit. Ky plan, parasheh që Mitrovica të jetë një qytet me dy komuna, një serbe në veri dhe një shqiptare në jug. Banorët serbë nuk e pranojnë këtë plan dhe ata tashmë ka formuar kuvendin e tyre komunal të serbëve të veriut, në kuadër të strukturave paralele serbe që janë formuar gjithandej Kosovës. Këto struktura, për administratën e Kombeve të Bashkuara dhe për institucionet e Kosovës janë të jashtëligjshme dhe si të tilla, nuk do të ketë bashkëpunim me to.