1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

080710 Russland Agentenaustausch

9 Korrik 2010

Dhjetë agjentët rusë të arrestuar në SHBA janë nisur drejt Moskës me avion nga Nju Jorku. Edhe Moska po përgatit dorëzimin e oficerëve të lartë dhe të shkencëtarëve SHBA-së, të falur nga presidenti rus, Medvedev.

https://p.dw.com/p/OElx
Burgu i Moskës, Lefortovo ku qëndron u burgosur Igor Sutjagin.
Burgu i Moskës, Lefortovo ku qëndron u burgosur Igor Sutjagin.Fotografi: AP

Ishte një titull lajmi që i jep krahë fantazisë: Rusia, thuhej në një njoftim urgjent të agjencisë Interfaks, planifikon një shkëmbim spektakolar agjentësh. Mund të përfytyroje sesi burra të veshur me pardesy qëndrojnë poshtë një ure duke mbajtur dorën lehtë mbi armën në xhep. Nga mjegulla del ngadalë spiuni i zbuluar...

Në realitet në vitin 2010 gjërat do të shkojnë ndryshe, megjithëse edhe jo më pak konsumuese për nervat, sipas avokates së njohur për të drejtat e njeriut Ana Stavickaja. Stavickaja mbron kërkuesin e fizikës bërthamore Igor Sutjagin, i cili u dënua në 2005 në Rusi me 15 vjet kamp ndëshkimor për tradhti të lartë: "Pardje Igori u shoqërua papritur nga kampi ndëshkimor në rajonin Arhangelsk. Atij iu desh të përgatiste shumë shpejt plaçkat. U çua në drejtim të panjohur. Dje mu desh gjysmë dite që të mësoja prej nëpunësit të kampit se përse dhe ku u çua ai."

Nesër kalon afati

Sutjagin ishte zhvendosur në një burg në Moskë. Sipas avokates, këtu atë e presin përfaqësues nga SHBA-ja dhe të shërbimit të fshehtë të jashtëm rus. Se përse bëhej fjalë, këtë Stavickaja e mësoi të mërkurën: "Atij iu tha: Ne duam t'ju shkëmbejmë me persona, që akuzohen në SHBA për spiunazh. Sepse nesër kalon afati: ose ngrihet padi ose do të përpiqen ta rregullojnë çështjen në mënyrë tjetër. Me sa duket marrëveshja është arritur në nivelet më të larta, 11 persona nga SHBA-ja kundër 11 personave nga Rusia, për të cilat janë të interesuar në njëfarë mënyre amerikanët."

Kusht për shkëmbimin ka qenë sipas Atavickajës një pranim faji nga ana e Sutjaginit. Deri tani ai e kishte mohuar gjithnjë të kishte spiunuar. Fizikanti ishte arrestuar në vitin 1999. Ai mendohet t'iu ketë përcjellë britanikëve me lidhje me shërbimin e fshehtë amerikan informacione ushtarake sekrete.

Shumë pyetje pa përgjigje

Sipas të dhënave të stacionit radiofonik rus Eko Moskvi, në listë gjendet edhe ish-koloneli rus i shërbimit të fshehtë të jashtëm, Sergej Skripal. Edhe ai ishte dënuar me 13 vjet kamp ndëshkimor për kallëzim të sekreteve ushtarake.

Shkëmbimi i të dënuarve për tradhti të lartë nëpërmjet Vjenës në Angli, të dënuar në procese me bujë në medie, madje falja e tyre, shtron shumë pyetje. Të paktën udhëheqja ruse e kishte bërë qesharak zbulimin e rrjetit të supozuar terrorist në SHBA. Më vonë u bë fjalë për peshq të vegjël, të cilët duhet të kenë disi vlerë më të madhe. Se çfarë fshihet vërtet pas gjithë kësaj, do të mbetet me gjasa e pazbuluar, ndryshe nga rastet e thrillërve nga koha e Luftës së Ftohtë.

Autor: Christina Nagel/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama