1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkaqet e falimentimit qëndrojnë te gabimet e mëparshme në manaxhim

21 Tetor 2009

Falimentimi i sipërmarrjes tregtare Quelle, e cila kishte një traditë mbi 80-vjeçare në Gjermani është në qendër të shtypit të sotëm gjerman.

https://p.dw.com/p/KBmQ
Fotografi: AP

Märkische Allgemeine shkruan:

"Për shumë vjet me radhë ky koncern nuk po i kuptonte shenjat e kohës. Ndër një kohë që konkurrenca kishte filluar prej vitesh që të përdorte shitjet përmes internetit, sipërmarrja Quelle vazhdonte të prodhonte katalogun e saj prej 1.400 faqesh. Një problem ishte edhe gjendja kaotike e koncernit Arcandor, ku bënte pjesë edhe Quelle. Është e vështirë të thuhet nëse për Quellen do të kishte ndonjë mundësi shpëtimi. Lajmi për falimentimin është i hidhur për shumë kreditorë të Quelles."

«Financial Times Deutschland» shkruan:

Në fakt që kurse koncerni Arcandor shpalli falimentimin Quelle nuk mund të shpëtohej dot më. Si edhe në rastet e tjera shkaqet për gjendjen aktuale qëndrojnë te gabimet e mëparshme në manaxhim. Por gjendja në sipërmarrjen Quelle ishte edhe më dramatike dhe për të nuk e gjetën dot investorë të tjerë. Në vend që ta ndryshonte konceptin dhe modelin e vet të tregtisë hap pas hapi, Quelle ndoqi një kurs zig-zag pa mend e pa kokë. Fillimisht Quelle nuk iu përgjigj tendecës për porosi përmes internetit dhe pastaj ndërmori një sërë manovrash radikale. Në fund ajo nuk arriti t'ia përshtatste kohës asortimentet e saj, sepse manaxherët i kushtuan shumë punë dhe energji fuzionit me firmën Karstadt.

«Nürnberger Nachrichten»

Shpallja e falimentimit, si një rrugë që ministri Guttenberg e lëvdon me qejf si mjet të sprovuar për ndërmarrë një ristrukturim - nuk e shpëtoi dot Quelle-n. Asnjë investitor në Gjermani nuk do ta marrë përsipër aktivitetin e kësaj firme, madje as po t'ia falin e t'i japin edhe para shtesë. Kjo është një goditje tjetër tepër e hidhur për të punësuarit e Quelle-s, që në të kaluarën bënë shumë lëshime për ta shpëtuar sipërmarrjen. E si po duket tani më kot." (dpa/pp/aca)