1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkarkohet prefekti i Preshevës, Riza Halimi

Jeton Ismajli16 Shtator 2005

Mënyra e votimit kaloi në një atmosferë të tendosur. Deputetët e Partisë për Veprim Demokratik braktisën seancën

https://p.dw.com/p/AqtM
Presheva
PreshevaFotografi: AP

Partitë e Koalicionit, të cilat paraqesin shumicën në Kuvendin Komunal të Preshevës, kanë marrë sot inicativën për shkarkimin nga detyra të prefektit të kësaj komune, Riza Halimit. Ishin 23 vota pro nga radhët e Partisë Demokratike Shqiptare, Lëvizjes së Progresit Demokratik dhe Bashkimit Demokratik të Luginës që mjaftuan për marrjen e një qëndrimi të tillë. Vetë mënyra e votimit kaloi në një atmosferë të tendosur. Si pasojë deputetët e Partisë për Veprim Demokratik braktisën seancën. Nga ana tjetër, Riza Halimi, prefekt i komunës, njohësisht dhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, thekson se një qëndrim i tillë vjen në një kohë mjaft të papërshtatshme për rrjedhat e përgjithshme në Luginën e Preshevës, edhe pse ai nuk e mohon të drejtën e shumicës, të cilën e konsideron si demokratike.

Ragmi Mustafa, thotë se votimit të sotëm i ka paraprirë mosrrespektimi i marrëveshjeve nga ana e z.Halimi që kanë të bëjnë me emërimet në vendet kyçe të administratës. Me gjithë votimin e sotëm, në bazë të ligjit ekzistues, janë qytetarët ata, të cilët duhet të deklarohen me anë të një referendumi, se a janë për ose kundër shkarkimit të prefektit të komunës. Në rast të votimit kundër, atëherë Riza Halimi, mbetet prefekt, ndërsa shkarkohet Kuvendi dhe shpallen zgjedhje të reja. Riza Halimi, mban postin udhëheqës në Preshevë që nga viti 1992, ndërsa për herë të fundit në këtë detyrë është zgjedhur në korrik të vitit 2002. Ishin mospajtimet të ngjashme që kishin shkaktuar ndërprerjen e punës së Kuvendit në Preshevë, të cilat rezultuan me mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në shtator të vitit të kaluar. Nga gjithsejt 38 këshilltarë sa ka kuveni komunal, partia e Riza Halimit, për herë të parë ishte mundur nga rivalët e tri subjekteve politike shqiptare. Presheva, pothuaj se paraqiste nje rast specifik ku prefekti i takonte një subjekti politik, ndërsa në Kuvend partia, të cilës ai i përket paraqet opozitës.