1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkup: 1 Maj pa protesta, por me probleme për punëtorët

1 Maj 2009

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë vendos të mos organizojë protesta me rastin e 1 majit. Me këtë ata synojnë të mos rëndojnë edhe më gjendjen sociale dhe ekonomike. Por edhe punëtorët në Maqedoni luftojnë për punë

https://p.dw.com/p/HiEy
Shkupi, Ulica Makedonskia
Shkupi, Ulica MakedonskijaFotografi: DW

Të drejtat e punëtorëve në Maqedoni janë të cënuara

Rrugë të boshatisura, dyqane të mbyllura, pak njerëz në lëvizje, kjo është pasqyra reale e 1 Majit në kryeqytetin e Maqedonisë Shkup. Në kohërat e kaluara Dita Ndërkombëtare e Punës, 1 Maji, festohej me pompozitet, por kriza ekonomike e ka bërë të vetën: shumë fabrika janë mbyllur, numri i të papunëve dita- ditës është në rritje.

Ramadan Gajniu nga Shkupi ka punuar për 27 vite në fabrikën e autobusëve , tani ai është i papunë , pa asnjë asistencë sociale.

“ Më parë thonin se punëtorët kanë të drejta, tani askush nuk flet për të drejta. Më larguan nga puna dhe më lanë në rrugë. Kam dy fëmijë, jemi familje katër anëtarshe, të gjithë të papunë. Si ta festoj unë 1 Majin?"

Me intonimin e Internacionales dhe moton ”Kriza është botërore, por problemet janë tonat”, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka kremtuar festën e punës. Kryetari i sindikatës, Vanço Muratovski ka anuluar protestat e punëtorëve, meqë ai nuk dëshiron ta rëndojë situatën e rëndë socio-ekonomike të të punësuarve. Ai i ka bërë thirrje qeverisë që të ketë një kujdes më të madh për punëtorët.

Si të festohet kur je i papunë

Greva dhe protesta janë format më të shpeshta, përmes të cilave kërkojmë të drejtat e punëtorëve, thotë nënkryetarja e sindikatës për arsim dhe shkencë, Muzafere Sinani. Punëtori lufton për ekzistencë, për ta mbrojtur vendin e punës , kjo situatë po na përcjell plot 19 vite, thotë zonja Sinani. Edhe pse ekzistojnë marrëveshjet kolektive të punës, ato nuk respektohen.

“ Në vendin tonë nuk zbatohen normat, ligjet, sidomos ligji për marrëdhënie të punës, të mos flasim për aspektin financiar. Mbi 8000 punonjës të arsimit janë pa vend pune”, thotë sindikalistja Muzafere Sinani.

Ajo punon si mësuese në një shkollë fillore në Shkup. E ka pasur të vështirë se si t'ua shpjegojë nxënësve se 1 Maji është dita e punëtorëve:

“ Mund të them se 95% e prindërve të nxënësve që kam në klasë janë të papunë, andaj fëmijët e kanë vështirë të kuptojnë se për çka duhet të festohet, kur prindi i tyre është i papunë,” thotë zonja Sinani.

Aksidentet më të rënda ndodhin në fundjavë, që tregon se punëtorët punojnë shtatë ditë në javë

Shoqata për Mbrojtjen e Punëtorëve, në Ditën Ndërkombëtare të Punës ka informuar se në Maqedoni kushtet në të cilat punojnë punëtorët janë mizore. Vetëm gjatë vitit të kaluar mbi 60 qytetarë kanë humbur jetën në vendin e punës, ndërsa mbi 180 kanë marë lëndime të rënda.

“ Fatkeqësitë më të shpeshta ndodhin gjatë ditëve të fundjavës, që do të thotë se punëtorët punojnë 7 ditë në javë pa pushim. Kjo është një situatë e patolerueshme,” thotë Zoran Dimovski nga Shoqata për Mbrojtjen e Punëtorëve.


Autor: Fatos Musliu/Shkup

Redaktoi: Auron Dodi