1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkup: Parlamenti sërish ratifikon marrëveshjen me Greqinë

5 Korrik 2018

Me 69 vota pro dhe një abstenim riratifikohet marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit. Marrëveshja u ratifikua për herë të dytë në kuvend pasi ajo nuk u nënshkrua nga presidenti Gjorge Ivanov.

https://p.dw.com/p/30t3B
Mazedonien Parlament Protest
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski

"Ju siguroj se as unë, e as Zaevi nuk pranojmë kërcënimin e identitetit të kombit. Me marrëveshjen e arritur nuk cënohet identiteti por përkundrazi ai riafirmohet dhe e përforcon atë si asnjëherë më parë”, u shpreh në parlament ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov. Ai tha më tej, se "kushtetuta nuk mbrohet duke u shkelur, ndërsa pikërisht këtë po e bën presidenti i shtetit Gjorge Ivanov".
 

Deputetët e opozitës maqedonase  të VMRO-DPMNE-ja nuk morrën pjesë në seancën e së enjtes (05.07) ku u votua për së dyti herë marrëveshja për emrin. Nga kjo parti thanë se do të kërkojnë përgjegjësi penale për shkelësit e ligjit dhe të Kushtetutës. Partia e Mickoskit i bëri thirrje presidentit Ivanov përsëri të mos e dekretojë marrëveshjen as pas rivotimit.

" VMRO-DPMNE nuk mori pjesë në seancë sepse nuk dëshiron të jetë bashkpjesmarëse në sjelljen e një marveshjeje që është kundër kushtetuese  dhe që paraqet degradim të qytetarëve të Maqedonisë. VMRO nuk do të jetë pjesë e deputetëve që votojnë për ndryshimin e Kushtetutës me çka do të ndryshojnë edhe emrin e shtetit. Këtë marrëveshje ne e vlersojmë si kapitullim, ndërsa kapitullimi çdo kund në botë është një akt i turpshëm”, vlersojnë nga VMRO-DPMNE.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, paralajmëroi se pas rivotimit, do ta dërgojë ligjin në fletoren zyrtare me një nënshkrim, ndërkaq njejtë do të veprojë edhe për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, dekretin e të cilit Ivanov nuk e nënshkroi. Pritjet janë se edhe pas votimit të dytë Ivanov nuk do ta nënshkruajë dekretin për ligjin për ratifikim të marrëveshjes për emrin duke zbatuar të drejtën e vetos, të ashtuquajturën veto xhepi, siç bëri me ligjin për përdorimin e gjuhëve. 

Kryetari i PRSD Tito Petkovski vlerëson se mosrespektimi i Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve nga kreu i shtetit të Maqedonisë Gjeorgji Ivanov është  një vepër penale dhe I duhet të jetë fajtor për përgjegjësi penale dhe jo përgjegjësi politike. "Unë jam i habitur nga Prokuroria, se pse që në herën e parë kur refuzoi të mos nënshkruaj, nuk ngriti padi penale, sepse ai nuk është i paprekshëm. Ne nuk kemi sistem të pastër presidencial, as nuk jemi  monarki, ne jemi demokraci parlamentare”, ka thënë Petkovski.

Profesori i së drejtës kushtetuese Mersim Maksuti parasheh situatë të përsëritur nga ana e presidentit dhe sugjeron shpalljen e Ligjeve në fletoren zyrtare pa firmën presidentit Ivanov. "Po na përsëritet situata e njëjtë si me rastin e Ligjit të gjuhëve. Në mungesë të dispozitave kushtetuese që rregullojnë këtë situatë ne nuk kemi mundësi tjetër pos që parlamenti ta dërgojë drejtpërdrejtë ligjin në Fletoren Zyrtare dhe ligji të konsiderohet i shpallur dhe të hyjë drejtpërsëdrejti në fuqi”, vlerëson prof. Mersin Maksuti.

VMRO opozitare ka porositur sërisht LSDM-në që të mos luajë me ligjet dhe Kushtetutën që garantojnë rendin dhe sundimin e ligjit. "Publikimi i ligjevet në Gazetën Zyrtare, pa firmën e kryetarit Ivnov, është një vepër penale për të cilën do të shkohet në burg. Duhet të ketë përgjegjësi për këto procedura”, thuhet në deklaratën e VMRO-DPMNE.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski ka ftuar qytetarët në marsh protestues të dielën në Strumicë për të kundërshtuar marrëveshjen për emrin me Greqinë.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut