1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpërblim për veprimtarinë e gjithë jetës së tij në ndërmjetësimin e paqes

Anila Shuka10 Tetor 2008

Feith: Tani që serbët e Kosovës e dinë që propozimi për Kosovën është bërë nga një nobelist ndoshta do ta lexojnë edhe njëherë me vëmendje

https://p.dw.com/p/FXrB
Martti Ahtisaari
Martti AhtisaariFotografi: AP

Përfaqësuesi i lartë i BE-së në Kosovë, Peter Feith, e ka përshëndetur zgjedhjen që ka bërë komisioni i Oslos për çmimin Nobel për paqen këtë vit: "Erdhi pak me vonesë, por është shenjë e mirënjohjes për përpjekjet që presidenti Ahtisaari ka bërë për paqen dhe stabilitetin në botë", tha Feith, i cili e njeh ish presidentin e Finlandës, qysh nga koha e angazhimit të tij për paqen në rajonin e Aceh në Indonezi.

Edhe qeveria gjermane e ka përshëndetur përzgjedhjen e këtij viti për çmimin Nobel për paqen: "Ky lajm u prit me gëzim nga qeveria gjermane" tha zëdhënësi i qeverisë gjermane Thomas Steg në konferencën e shtypit dhe theksoi se evropianët e çmojnë Ahtisaarin për angazhimin e tij për paqen.

Ministri shtetit Gernot Erler u shpreh paksa i befasuar: "Por është një befasi e bukur, sepse Ahtisaari jo vetëm që ka dhënë një ndihmesë për statusin e Kosovës, por ai ka kohë që ndërmjetëson në planin ndërkombëtar dhe ky është një shpërblim për veprimtarinë e gjithë jetës së tij në ndërmjetësimin e paqes", vlerësoi Erler.

Veton Surroi, që në Berlin sapo kishte ardhur nga Helsinki, ku ishte takuar me Ahtisaarin, është i gëzuar për këtë lajm: "Jo vetëm që e meriton me tërë angazhimin e tij jetësor drejt paqes, por për ne në Kosovë, në Ballkan në Evropë, është po aq me rëndësi sepse propozimi i tij, i cili solli pavarësinë e Kosovë tashmë mban edhe këtë mirënjohje të madhe ndërkombëtare".

Eksperti i Evropës juglindore, Franc Lothar Altmann, parashikon kontroversa mbas këtij lajmi: "Serbia dhe Rusia do të protestojnë dhe do ta quajnë një vendim tipik të shteteve perëndimore".

Dhe pikërisht njëri nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç, ministër për Kosovën dhe Metohinë në qeverinë e Beogradit, nuk është dakord me përzgjedhjen: "E prisja, por jam i zhgënjyer", i tha ai Deutsche Welles, "Sepse ai vërtetë që bëri një punë të mirë, por kjo punë ishte vetëm për shqiptarët e Kosovës", thotë Ivanoviç.

Peter Feith shpreson, që edhe serbët e Kosovës tani do ta kuptojmë që plani i Ahtisaarit është i mirë për ta: "Tani që ata e dinë që propozimi është bërë nga një nobelist ndoshta ata do ta lexojnë edhe njëherë me vëmendje."