1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpërthen konflikti i hapur mes Vuçiqit dhe Nikoliqit

20 Shkurt 2017

Kryeministri Aleksandar Vuçiq ka vendosur të kandidojë për postin e presidentit të Serbisë. Por këtë post e synon edhe presidenti i tanishëm Tomisllav Nikoliq, gjë që e ka thelluar konfliktin mes liderëve të Serbisë.

https://p.dw.com/p/2Xqyc
Serbien Premierminister Aleksandar Vucic
Fotografi: picture alliance/AP Photo/D. Vojinovic

Këshilli i Përgjithshëm i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) ka vendosur pa asnjë votë kundër që Aleksandar Vuçiq të jetë kandidat i kësaj partie në zgjedhjet presidenciale në Serbi. Presidenti i tanishëm Tomisllav Nikoliq ende nuk ka saktësuar nëse sërish do të kandidojë për këtë post, por ai ka paralajmëruar këtë mundësi, gjë që ka lëkundur dukshëm themelet e partisë në pushtet (SNS) dhe ka thelluar hendekun mes Vuçiqit dhe Nikoliqit. Aktualisht nuk ka ndonjë sinjal për marrëveshjen mes Vuçiqit dhe Nikoliqit. Mediat serbe njoftojnë se Vuçiq dhe Nikoliq kanë telefonuar së fundi rreth 15 minuta dhe kanë rënë dakord për një takim.

Nuk ka kthim?

Serbien Plakate Nikolic Verräter
Fotografi: DW/I. Petrovic

Nikoliqi në një intervistë për Sputnjik-un  rus ka kërkuar që Vuçiqi t'ia kthejë partinë dhe ta nominojë për kryeministër, sepse ai e ka themeluar SNS dhe e ka nominuar Vuçiqin për kryeministër. "Nëse nuk merremi vesh do të kandidojë për president", tha Nikoliq. Disa media thonë se po vazhdojnë edhe negociatat e fshehta, por nga kabineti i Vuçiqit pohojnë se nuk ka kurfarë bisedimesh dhe se "Nikoliqi nuk u intereson më".

"Një karakteristikë  e veçantë është që këto ditë vërtet kemi një bllokadë të plotë të informacioneve nga të dy palët", thotë për DW kryeredaktori i gazetës Danas, Dragoljub Petroviq. "Më parë kemi pasur një komunikim ditor me Presidencën e Serbisë, ndërsa tani nuk po përgjigjen në mesazhet tona. Kjo tregon se Nikoliqi dhe bashkëpunëtorët e tij janë në konfuzion dhe nuk e dinë se çfarë të bëjnë."

Petroviqi mendon se Nikoliqi në fund do të futet në një konflikt të hapur me Vuçiqin. "Mendoj se nuk ka kthim pas të gjithave që kanë ndodhur. Në raportet mes Vuçiqit dhe Nikoliqit asgjë më nuk do të jetë si më parë, nuk do të ketë pajtim, sepse shenjat e konfliktit janë të pranishme kaherë, ndërsa tani konflikti ka shpërthyer."

Nikoliqi është larguar gradualisht

Profesori i Shkencave Politike, Zoran Stojiljkoviq mendon se pozita e Tomisllav Nikoliqit është e keqe. "Fushata mediatike kundër Nikoliqit ka filluar kaherë. Tani kemi një lloj margjinalizimi komplet."

Shumë shpejt pas paralajmërimit të Nikoliqit se do të mund të rikandidonte për president kanë filluar edhe vlerësimet se ai nuk ka kurrfarë shansi të rizgjidhet në këtë post. Por ai mund të dëmtojë Vuçiqin që të mos fitojë në raundin e parë. "Nëse heq dorë nga kandidatura, Nikoliqi do të margjinalizohet tërësisht. E nëse kandidon, hapet mundësia për balotazh, por nuk dihet se kush do të futet në raundin e dytë me Vuçiqin", thotë Stojiljkoviq për DW.

Motivi i Nikoliqit - ofendimi?

Serbien Premierminister Aleksandar Vucic
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Isakovic

Dragoljub Petroviq thotë se sipas burimeve të Danasit, bisedimet e fundit mes Vuçiqit dhe Nikoliqit kanë qenë shumë të rënda dhe se Nikoliqit i janë "ofruar edhe para" për të shkuar në pension. Petroviq beson se shkaku kryesor që Nikoliqi ka vendosur të futet në konflikt me Vuçiqin është pakënaqësia me sjelljen e partisë ndaj tij, sepse ai e ka themeluar vet SNS. Tek e fundit, Nikoliqi ishte ai që e ka futur në pushtet SNS dhe i ka dhënë mandatin Vuçiqit për kryeministër. "Partia ndërkohë ka ndryshuar dhe tani Nikoliqi shihet si bezdi. Por nuk mund ta përjashtoj mundësinë që Nikoliqi ka mbështetjen e Rusisë. Për këtë nuk kam dëshmi, por kjo është logjike", thotë ai.

Në shikim të parë, duket se SNS është stabilizuar pas shokut të parë të përçarjes mes Vuçiqit dhe Nikoliqit. Por Petroviq beson se partia do të destabilizohet sërish, nëse Nikoliqi kandidon edhe zyrtarisht për postin e presidentit. Kjo për faktin se në nivelin lokal ka shumë persona të dëshpëruar për shkak se nuk kanë arritur të realizojnë atë që kanë shpresuar. "Burime të SNS thonë se shumica e personave në këtë parti janë futur për shkak të interesave personale dhe ata shumë lehtë mund t'ia kthejnë shpinën Vuçiqit. Dhe do të ishte logjike që të bashkohen me Nikoliqin, i cili e ka themeluar këtë parti."

Po sa ndikon konflikti Vuçiq-Nikoliq në shanset e opozitës për të fituar? Shumica thonë se me konfliktin mes tyre shtohen shansat që ndonjë kandidat i opozitës të futet në raundin e dytë. "Vuk Jeremiq mund ta shfrytëzojë këtë përçarje, sepse ai është interesant edhe për zgjedhësit e partive në pushtet - SNS, socialistët dhe një pjesë të zgjedhësve të Nikoliqit", konstaton Petroviq.