1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpëtimtar me dy fytyra - Para 100 vjetësh lindi Oskar Shindler

29 Prill 2008

Njeriu i cili shpëtoi 1000 hebrenj nga holokausti. po nderohet në mbarë botën. Posta gjermane ka nxjerrë një pullë postare me portretin e tij. Ekspozita e hapur në 29 mars synon të sqarojë kontradiktat mbi këtë figurë.

https://p.dw.com/p/Dqf2
Oskar Shindler

Në qytetin e lindjes së Shindlerit, në Svitavin çek, banorët e kanë vështirë të pranojnë figurën e Shindlerit. Nuk mund të nderojmë një "nazist" dhe "spiun" kundër Çekosllovakisë - ngrihen zërat kundër tij. Një ekspozitë mbi figurën e Shindlerit synon të ndryshojë këtë imazh.

Shindleri njihet më së shmuti nga filmi "Lista e Shindlerit" i Steven Spielbergut, film i nderuar me 7 Oskar në vitin 1994. Ky film është zgjedhur të shoqërojë ekspozitën mbi figurën e Shindlerit që hapet në 29 mars në qytetin e lindjes së tij, Svitavi. Ekspozita u përgatit nga historiani, Radoslav Fikejz. Ai është i mendimit se Oskar Shindlerin, historinë e birit më të famshëm të qytetit, banorët e Svitavit duhet ta njohin më mirë. Disa prej tyre nuk e njohin aspak, është i mendimit ai.

Historia e Shindlerit

Oskar Shindler lindi në vitin 1908, më 28 mars 2008 Oskar Shindleri do të kishte mbushur 100 vjeç. Ai ishte djali i një fabrikanti të makinerive bujqësore. Qyteti asokohe quhej Zvitau, dhe nëntë nga dhjetë banorë ishin gjermanishtfolës. Hebrenjë dhe të krishterë. Sot qyteti ka ndërruar emrin, Svitavi, dhe pas Luftës së II Botërore e dëbimit të tyre, nuk gjen më asnjë gjerman. Edhe nga trungu i Shindlerit nuk gjendet më asnjë pasardhës.

Schindler Museum bei Krakau eröffnet
Shtëpia muze e Shindlerit, Krakov, PoloniFotografi: AP

Nuk ka vetëm kujtime të mira për Shindlerin, siç shprehet, historiani, Radoslav Fikejz duke treguar fotografitë, Oskar Shindlerin si shkollar, pastaj makinën e parë të Shindlerit. si edhe djaloshin në vitet e rinisë, kur mbante nofkën, "mashtruesi Shindler nga Svitavi", kjo për shkak të aftësive të tij për ta dredhur."

Pas gjashtë vjetësh shkollë të detyruar, Shindler kaloi në ciklin e dytë të shkollës, katër vjet më vonë atë e dëbuan. Shindler kishte fallsifikuar dëftesën. Në ato vite duket se vajzat e bukura dhe motoçikletat e shpejta ishin për të më të rëndësishme se sa shkollimi. Edhe më vonë ai pati probleme me ligjin, gjë që shkaktoi edhe prishjen përfundimtare me të jatin.

Figura problematike e Shindlerit

Shindler dështoi si biznesmen, pas kësaj ai u bë agjent i Hitlerit në Çekosllovaki. Më vonë edhe anëtar i partisë naziste (NSDAP). Në Svitavi thuhet se një njeri të tillë nuk mund ta nderosh me ekspozitë. "Historiani Fikejz përpiqet të kuptojë paragjykimet për figurën e Shindlerit: "Ka një pakicë që thotë: Ai ishte nazist, spiun, anëtar i partisë nacionalsocialiste, asaj partie që shkatërroi Republikën. Ai punoi si spiun kundër Çekosllovakisë, prandaj konsiderohet si tradhtar."

Oskar Schindler
Oskar Shindler, në vitin 1967 pas marrjes së Çmimit të Paqes nga shoqata ndërkombëtare, Martin BuberFotografi: picture-alliance / dpa

Në vitin 1994 pas një debati të gjatë sidomos në këshillin e qytetit u ngrit në qytet një monument në përkujtim të shpëtimtarit të hebrenjve. Në Svitavi nuk pranohet ende nga të gjithë që të nderohet një gjerman si pjesë e historisë çekosllovake.

"Sigurisht që do të ishte më mirë nëse qytetarët këtu do të thoshin: Po ai ishte njëri prej nesh, ishte një bashkëqytetar. Por gjenerata e vjetër e kupton në mënyrë shumë të thjeshtëzuar historinë. Nga ana tjetër apeli i aktit moral të Shindlerit që shpëtoi jetë njerëzish po fillon të ndikoje gjithnjë e më shumë njerëzit këtu, ngadalë ai po shihet si shpëtimtari i hebrenjve."

Ekspozita e re synon të japë kontribut sqarues për figurën e Shindlerit. Ndoshta këtë kontribut mund ta japin edhe ata hebrenj që jetën e kanë falë Shindlerit dhe që do të marrin pjesë në hapjen e saj.

Një shitës në Svitavit thotë: "Ai është një person kontrovers për shkak të historisë së tij. Është e vështirë ta vlerësosh pozitivisht. Por qyteti ynë nuk ka shumë personalitete, për këtë arsye është mirë që së paku e kemi edhe atë."